Sport

Kuqezinjtë ‘pushtojnë’ tregun e futbollit

‘Ajka’ e të gjithave është Barcelona që po kërkon Elseid Hysaj, yllin e Shqipërisë, që aktivizohet në Napoli

Paraqitjet e mira të futbollistëve shqiptarë në Kampionatin Evropian nuk kanë kaluar pa u vërejtur nga menaxherët e ndryshëm. Shumë nga lojtarët e Shqipërisë luajnë në skuadra të mëdha dhe nuk kushtojnë shumë, çka ka bërë që interesimi për ta të rritet edhe më shumë, shkruan albinfo.ch.

Njëri nga të kërkuarit është portieri Etrit Berisha. E ardhmja e “gardianit” kuqezi duket larg Lazios, ndërsa interesimi për 27-vjeçarin nuk mungon. Gjigandët turq të Beshiktashit dhe Galatasarayt kanë nisur të mbledhin informacion për Berishën, kontrata e të cilit me Lazion përfundon vitin e ardhshëm. Për Berishën interesohet gjithashtu edhe Sassuolo në Serinë A dhe që mund ti jepte shansin të luante në Ligën e Evropës, ndërsa për shërbimet e tij interesohet edhe Watford, skuadër që është rikthyer në Premier League. Sirenat turke dhe alternativa për t’u transferuar në elitën e futbollit anglez duken edhe pistat më konkrete për momentin.

Interesim nga Superliga turke ka edhe për golashënuesin historik të Shqipërisë në Kampionatin Evropian, Armando Sadiku. Interes konkret për shërbimet e 25-vjeçarit, kartoni i të cilit zotërohet nga Zurich, ka shfaqur Rizespor.

Megjithatë, Sadiku duket se do të presë. Sulmuesi po sponsorizohet nga trajneri Gianni De Biasi dhe zëvendëstrajneri Tramezzani për t’u transferuar në Itali, ndërsa në një intervistë për “Corriere dello Sport”, ai tregoi se ëndërron që një ditë të luajë në elitën e futbollit përtej Adriatikut.

Mbrojtësi nga Kosova, Mërgim Mavraj, që është duke luajtur shkëlqyeshëm në këtë Kampionat Evropian po ndiqet prej muajsh me ngulm nga Beshiktashi, skuadra turke, e cila përpara një muaji kontaktoi me vetë futbollistin, ndërsa po përgatiste edhe ofertën për të.

Megjithatë, deri më tani, sipas mediave turke, nuk ka pasur kontakte. Por, sipas “Fanatik”, duket se skuadra turke ka dalë në ofensivë” dhe ka ofruar plot dy milionë euro zyrtarisht. Kjo skuadër kishte kërkuar edhe Ermir Lenjanin.

Ndërkohë, Pescara ka bërë të ditur se nuk do ta shesë me asnjë çmim Ledian Memushaj, i cili ka shkëlqyer ndaj Francës dhe Rumanisë. Memushaj është kapiten i kësaj skuadre dhe njëri ndër më të merituarit që hyri në Serie A. Pescara gjithashtu është e interesuar për mbrojtësin shqiptar, Arlind Ajeti, i cili tani është pa klub, derisa nga janari ishte anëtar i Frosinones. Edhe Ajeti gjithashtu ka bërë paraqitje mjaft të mira në Evropian, kurse ndaj Rumanisë u shpall edhe lojtari i ndeshjes.

‘Ajka’ e të gjithave është Barcelona që po kërkon Elseid Hysaj, yllin e Shqipërisë, që aktivizohet në Napoli. Ai shihet si zëvendësuesi i Dani Alves, i cili u largua në Juventus. Për Hysajn interesim kanë shfaqur Bayern Munich dhe Arsenal.