Kosova

Lajçaku: Normalizimin i raporteve Kosovë-Serbi, nevojë urgjente

Në një deklaratë për media, emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka dhënë sinjale paralajmëruese për hapat që do të bëhen në këtë proces “në muajt e ardhshëm”, përcjell albinfo.ch.

Ai ka zhvilluar një sërë takimesh me zyrtarë të lartë italianë gjatë vizitës në Romë, ku temë e diskutimit ka qenë dialogu Kosovë-Serbi, që lehtësohet nga Brukseli zyrtar.

Laçak ka njoftuar se është takuar të enjten në Romë me Fabrizio Saggion, këshilltarin e kryeministres Giorgia Meloni dhe zëvendëssekretarin e përgjithshëm të Ministrisë së Punëve të Jashtme së Italisë, Carlo Lo Cascio.

“Shumë i lumtur që isha në Romë sot. Pata diskutime të rëndësishme me këshilltarin e kryeministres Meloni, Fabrizio Saggio dhe zëvendëssekretarin e përgjithshëm të MPJ-së së Italisë, Carlo Lo Cascio, për Ballkanin Perëndimor dhe dialogun për normalizim të raporteve në muajt e ardhshëm”, ka shkruar Lajçaku.

Po ashtu Lajçak ka pasur takime edhe në Bruksel me Dora Bakoyannis, Raportuese për Komisionin e Çështjeve Politike të PACE.

Lajçak ka theksuar nevojën urgjente për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke shtuar se “ky normalizim është thelbësor për stabilitetin e rajonit, zhvillimin ekonomik dhe përparimin drejt Bashkimit Evropian”.

“Në fillim të kësaj jave, ndërsa isha ende në Bruksel, mirëprita Dora Bakoyannis, Raportuese për Komisionin e Çështjeve Politike të PACE, në selinë tonë. Kemi shkëmbyer përditësime në dosjet tona përkatëse. E informova për dialogun Beograd-Prishtinë dhe ajo më informoi për punën e saj në muajt e fundit”.

“Pjesa më intensive e javës së kaluar ishte padyshim Konferenca vjetore e Sigurisë në Mynih të fundjavës së kaluar. Kam marrë pjesë në ngjarje të shumta të fokusuara në Ballkanin Perëndimor, duke përfshirë një panel diskutimi publik për të ardhmen e Ballkanit Perëndimor, ku theksova nevojën urgjente për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ky normalizim është thelbësor për stabilitetin e rajonit, zhvillimin ekonomik dhe përparimin drejt Bashkimit Evropian”, ka shkruar ai.

Kujtojmë se të mërkurën, zëvendëskryeministri Bislimi tha se e refuzoi një ftesë të Brukselit për të biseduar lidhur me çështjen e ndalimit të dinarit serb në Kosovë dhe e akuzoi të dërguarin e posaçëm të BE-së për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak, për shkelje të parimeve.

Sjellja e zëvendëskryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimi, ndaj zyrtarëve të Bashkimit Evropian (BE), është e papranueshme. Kështu deklaroi gjatë ditës së djeshme zëdhënësi i bllokut, Peter Stano.

“Ne shpresojmë se zoti Bislimi do t’i vlerësojë përpjekjet, në vend që, në mënyrë të pabazë, t’i akuzojë zyrtarët e BE-së. Një sjellje e tillë është e papranueshme”, tha Stano.

 

Bislimi tha se, Lajçaku, me dërgimin e kësaj ftese, kishte shkelur “parimet që i ka vendosur vetë”, pasi, sipas tij, “është hera e parë që ai ka caktuar një takim pa pajtim paraprak me palët dhe është munduar që të përcaktojë agjendën përkundër parimeve që ai ka vendosur në vitin 2021, që asnjë temë nuk vendoset në agjendë pa pajtimin e palëve”.

Bislimi tha se në Bruksel shkon vetëm për marrëveshjen bazike kur diskutohet, e sipas tij dinari nuk është pjesë e dialogut.

“Nuk ka kurrfarë zhvillimi. Ka një kërkesë nga Brukseli që të mbahet një takim javën e ardhshme për çështjen e rregullimit të transfereve nga Serbia për Kosovë, por ky nuk është takim që duhet të shkoj kryenegociatori për arsye se çështja e dinarit nuk është pjesë e dialogut, unë shkoj atëherë kur diskutohet për marrëveshjen bazike, kështu që do shohim kush mund të shkojë që të bisedojë për dinarin, por që nuk është nga ekipi i kryenegociatorit”, tha ai para gazetarëve.

Bislimi ka thënë se Qeveria e Kosovës në ditët në vijim do të dalë me listë prej 10 masave lidhur me ndalimin e dinarit serb si mjet pagese në Kosovë. Nga ana tjetër, një plan për periudhën tranzicionale e ka publikuar edhe Banka Qendrore e Kosova si autoriteti i pavarur. Teksa ndërkombëtarët kanë qortuar Kosovën për veprime të njëanshme dhe të pakordinuara sa i përket ndalimit të dinarit.