Lajme

Lesoto njeh pavarësinë e Kosovës

Njohjen nga Lesoto, kryeministri Hashtim Thaçi e konsideron si lajmin më të mirë në prag të 6-vjetorit të pavarësisë së Kosovës

Mbretëria e Lesotos ka njohur Pavarësinë e Kosovës duke u bërë shteti i 106-të që njeh realitetin evropian. Këtë njohje e ka konfirmuar ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj, në rrjetin social facebook.

 

“Para pak minutash m’u konfirmua njohja e radhës për Kosovën nga shteti i Lesotos. E falënderova ministrin e Jashtëm të Lesotos, Mohlabi Tsekoa për vendimin e marrë. Tani numërojmë 106 vende që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Urime!”, shkruan shefi i diplomacisë kosovare, Enver Hoxhaj.

 

Ndërkohë siç raporton “zëri” këtë njohje e ka konfirmuar edhe kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi i cili ka shprehur gëzimin e tij me këtë rast.

 

“Sapo u informuam se Mbretëria e Lesotho, në Afrikën jugore, ka njohur Kosovën. U bënë 106 shtete që njohën Republikën tonë të pavarur dhe sovrane. Dhuratë e bukur në javën kur festohet ditëlindja e 6 e shtetit”, ka shkruar kryeministri Thaçi në rrjetin social Facebook.

 

Lesoto ndodhet në pjesën jugore të Afrikës dhe është i kufizuar nga të gjitha anët nga Republika e Afrikës së Jugut. Ka një sipërfaqe prej 30 mijë kilometrash dhe një popullsi prej 2 milion 267 mijë banorë. Kryeqytet dhe qyteti më i madh është Maseru.

 

Ndërkohë, tri javë më parë mediet raportuan edhe për një njohje nga Myanmari (Birmania), por kjo nuk u konfirmua nga Qeveria e Kosovës. Duket se qeveria e këtij shteti nuk ka dërguar kredencialen e njohjes. Pavarësisht kësaj Kosova me njohjen e Lesotës i bën 106 njohje.