Lajme

Libri nga Elmedina Buja: Prekazi-Altar i lirisë

Prekaz - Opferplatz der Freiheit - një libër që nuk është menduar për shqiptarët

Për masakrën ndaj Jasharëve dhe sakrificën e popullit shqiptar për liri ka shkrime, libra e përmbledhje nga të gjitha anët. Në data historike e përvjetorë organizohen ceremoni e përkujtime për të rënët.

Mirëpo ajo çfarë ka shkruar studentja e jurisprudencës, Elmedina Buja, shkon përtej kësaj.

Qëllimi i saj është që përmes një përmbledhje të saktë në gjuhën gjermane të ilustrojë për shokët e saj të shkollës dhe profesorët e saj sakrificën e popullit shqiptar për liri, duke trajtuar problemin që nga periudha e hershme otomane.

Elmedina ka lindur në Zvicër një vit pas mbarimit të luftës në Kosovë. Në moshën 16-vjeçare ajo kishte nisë të shkruaj për vuajtjet e popullit të Kosovës, të cilat i kishte përjetuar rëndë kur kishte parë masakrën e Reçakut dhe ndaj familjes Jashari në Prekaz. Nga ai moment ajo kishte filluar të shkruajë për tmerrin dhe vuajtjet e shqiptarëve, duke përfshirë në një përmbledhje si temë diplome në kuadër të shkollës si gjimnaziste dhe më pas edhe duke botuar librin „Prekaz – Opferplatz der Freiheit“ dhe më vonë e ka përkthyer librin në gjuhën shqipe „Prekazi Altar i lirisë“.

Punimi i saj ishte vlerësuar me notën maksimale nga profesorët e gjimnazit. Ata i kishin thënë asaj në fund të paraqitjes se kjo përmbledhje nuk ka diskutim që është për notë maksimale dhe nuk duam të të shtrojmë pyetje të tjera për këtë histori të dhimbshme. Ajo çfarë ne na impresionoi në këtë përmbledhje është kronologjia e një problemi shekullor mes shqiptarëve që kanë luftuar për liri dhe serbëve që kanë provuar me çdo mjet ta mbajnë nën sundimin e tyre një territor e popull që nuk është dorëzuar kurrë.

Masakra e Reçakut e kishte prekur shumë Elmedina Bujën, por drithërimat në trup i kishte ndier kur kishte vizituar si fëmijë Prekazin.

Aty ajo kishte parë një fushë me varre, mes tyre edhe shumë fëmijë, të një familjeje heroike që çmimin e lirisë e kishte paguar me aktin me sublim që mund të ketë një njëri, flijimin.

Si fëmijë i rritur në një vend ku lufta e dhuna e atyre përmasave është e paimagjinueshme, ajo kishte filluar të shkruante gjermanisht për moshatarët e saj, madje edhe për shqiptarë të rinj, të cilit dinin shumë pak për masakrën ndaj familjes Jashari dhe luftën e gjatë të popullit shqiptar për liri.

Për ta kuptuar kronologjinë e problemit mes dy popujve, njërit në luftë për liri dhe tjetrit në luftë për territore, Elmedina ka ilustruar në formë vizuale periudhat më të rëndësishme të historisë.

“Çdo i ri shqiptar i rritur në mërgim do të ketë mundësi përmes këtij libri në një mënyrë të thjeshtë të marrë informacionet elementare mbi sakrificën e popullit shqiptar për liri”, thotë ajo.

Libri sjell një përmbledhje të balancuar me kujdes mes të mbijetuarve të familjes Jashari dhe raportimeve zyrtare që në shumicën e rasteve bien ndesh me realitetin e treguar nga të prekurit e luftës.

Elmedina nuk ka ngurruar po ashtu të përfshijë në intervistë një pjesëtar të policisë serbe që kishte marrë pjesë në masakrën e Prekazit ndaj familjes Jashari dhe duke e plotësuar atë edhe me një intervistë tjetër të një profesoreshe maqedonase që jeton në Zvicër.

Ajo ka përfshirë në librin e saj po ashtu rrëfimin e Besarta dhe Bekim Jasharit. Pjesë e librit është edhe ish-ushtari i UÇK-së, Abaz Kajtaz Jashari, i cili ka qenë pjesë e betejës së familjes Jashari.

Mbresëlënëse në tërë këtë angazhim të një studenteje aktualisht të ekonomisë, është argumentimi i saktë i problematikës shpesh të shtrembëruar në Zvicër nga njerëz që nuk i kuptojnë mjaftueshëm vuajtjet dhe rrugën e popullit shqiptar për të jetuar i lirë e i pavarur.

„Unë jam munduar t‘ua shpjegoj edhe bashkëmoshatarëve të mi shqiptarë se Kosova që njohim ne nga pushimet e shkurtra e turbulente, duke shëtitur e dalë qytet me qytet, ka dalë nga një luftë e tmerrshme, më shumë viktima e me shkatërrime totale pak kohë para se të lindnim ne”, tregon Elmedina.