Lajme
Ligji kundër abuzimit të fuqisë në treg, mbyllen dy hetime
Dy vite pas hyrjes në fuqi të ligjit për fuqinë relative të tregut, Komisioni i Konkurrencës (Comco) ka përmbyllur vetëm dy hetime në këtë fushë gjatë vitit 2024, ndërsa vala e shumëpritur e ankesave nuk u konkretizua. Kështu bën të ditur Comco në raportin e saj vjetor, të publikuar të martën.
Ligji i ri, që synon të luftojë fenomenin e “ishullit të çmimeve të larta” në Zvicër, është një kundërpropozim ndaj nismës popullore për çmime të ndershme, e cila u tërhoq më herët. Synimi kryesor i tij është të ndalojë praktikat e padrejta të importuesve që vendosin çmime të fryra për konsumatorët zviceranë, transmeton albinfo.ch.
Pavarësisht debatit të zjarrtë në Parlament në momentin e miratimit të ligjit dhe pritshmërisë për një fluks të madh ankesash, në vitin 2024 Comco mori vetëm tre formularë për abuzim të mundshëm të fuqisë relative të tregut – më pak se gjysma e vitit paraprak. Po ashtu, pesë qytetarë paraqitën pyetje apo ankesa në këtë drejtim, gjithashtu një numër në rënie krahasuar me dhjetë në vitin 2023. Asnjë nga këto nuk çoi në hetime të reja.
Sipas Comco, shumica e ankesave nuk kishin prova të mjaftueshme ose u zgjodhën rrugë civile në vend të procedurave administrative. Në disa raste, kompanitë nuk vazhduan më tej me procesin.
Hetimi ndaj Payot ekspozon praktikat abuzive të një botuesi francez
Një nga rastet më të spikatura të trajtuara nga Comco ka të bëjë me librashitësin zviceran Payot. Komisioni zbuloi se grupi botues francez Madrigall aplikonte çmime dukshëm më të larta për librat e tij në Zvicër sesa në Francë. Meqenëse Payot nuk kishte burime të tjera të përshtatshme për të zëvendësuar këtë furnizues, Comco vlerësoi se Madrigall po abuzonte me fuqinë e tij relative në treg.
Vendimi është aktualisht i apeluar nga Madrigall në Gjykatën Administrative Federale, shkruan RTS.
Hetimi i dytë dhe rasti i hapur ndaj BMW
Në hetimin e dytë të përfunduar, që përfshinte kompaninë zvicerane Galexis dhe furnizuesin gjerman Fresenius Kabi, Comco nuk konstatoi abuzim të fuqisë në treg, pasi nuk u identifikua varësi strukturore midis palëve.
Aktualisht, Komisioni po zhvillon një hetim të tretë ndaj prodhuesit gjerman të automjeteve BMW, i cili dyshohet se ka përdorur pozitën e tij për të detyruar një garazh të investonte miliona franga përpara se të përfundonte bashkëpunimin pa një marrëveshje kalimtare. Përfundimet e këtij rasti priten gjatë verës, transmeton albinfo.ch.
Rregullimi i tarifave të kartave të pagesës
Comco po merret gjithashtu me tarifat e shkëmbimit për kartat e kreditit dhe debitit. Është arritur një marrëveshje me Mastercard për uljen e këtyre tarifave në përputhje me standardet ndërkombëtare, duke ndihmuar në uljen e kostove për tregtarët dhe përdoruesit e kartave në Zvicër. Diskutimet me Visa janë ende në vazhdim.
Pavarësisht fillimit të ngadaltë të zbatimit të ligjit të ri, presidentja e Comco, Laura Melusine Baudenbacher, mbetet optimiste dhe pret që numri i rasteve të rritet në të ardhmen, ndërsa bizneset dhe konsumatorët njihen më mirë me të drejtat e tyre, shkruan RTS.
Të tjera nga Lajme
E-Diaspora
-
Policia bastis një klub shqiptar për shkak të lojërave ilegale të fatit "Gjatë një kontrolli të plotë të individëve të pranishëm, zyrtarët e policisë kantonale gjetën një shkop... -
Manifestim përkujtimor kombëtar KUSHTRIMI I LIRISË, edhe në Itali -
Shwyz: Komuna kundërshton ngritjen e një xhamie të shqiptarëve -
Rumani
Sopranoja Besa Llugiqi debuton në Operën Shtetërore të Bukureshtit -
Shqipëri
Remitancat drejt Shqipërisë në rritje, pritet vit rekord me mbi 1 miliard euro
Jeta në Zvicër
-
Grabitje banke në Erlinsbach, Solothurn, vidhen disa mijëra franga Një kërkim në shkallë të gjerë ndaj tij deri më tani ka qenë i pasuksesshëm... -
Pse kantoni i Aargaut mund të jetë vendi më i mirë për të jetuar në Zvicër -
Shwyz: Komuna kundërshton ngritjen e një xhamie të shqiptarëve -
Qindra akademikë në Zvicër janë mobilizuar kundër një marrëveshjeje akademike me Izraelin -
Crans-Montana: Përgjegjësitë mund të arrijnë deri te kantoni













