Sport

Loja Zvicër–Shqipëri, paqësore dhe pa eksese

Se loja Zvicër – Shqipëri ishte një përballje mes dy shteteve mike këtë e dëshmon më së miri ardhja e një autobusi nga St. Galleni, me flamuj kuq e zi e me tifozë të zjarrtë që zbrisnin bashkë me disa tifozë të tjerë zviceranë që i kishin marrë dikund në një fshat të Lucernit.

Të dyja palët ishin plot harmoni e zbrisnin duke i uruar njëri-tjetrit lojë të mirë dhe fer. Le të fitojë më i miri, thanë ata duke ecur turma-turma, sa me të kuq e zi, e sa me të kuq e bardhë.

Para portës hyrëse të sektorit D takojmë shqiptarin e parë të përfaqësueses zvicerane, Milaim Ramën, i cili dukej që sonte për një natë kishte braktisur helvetikët. Ai bënte tifo për kuq e zinjtë. Dëshiroj të fitojë Shqipëria, tha ai gjersa përshëndetej me të tjerë shqiptarë.

© albinfo.ch

Ndërkohë që deputeti shqiptaro-zviceran i kantonit St. Gallen, Etrit Hasler, na del përballë me biletë të prerë në sektorin e tifozëve Kuq e Zi, në pjesën D të stadiumit. Do të fitojë Zvicra 3 me 1, thotë ai gjersa presim në radhë për të marrë nga një birrë pa alkool të sponzoruar nga Etriti.

© albinfo.ch

Katër vajza të veshura me fanella të Aleancës Kuq e Zi thanë se ndjehen të lumtura që janë sot në Zvicër. Të pyetura se prej nga kanë ardhur, ato u përgjigjen shkurt: „Kemi ardhur nga Shqipëria“. Ku është Shqipëria , pyesim. „Tirana, pastaj qytetet e tjera, Prishtina e kështu me radhë“. Dukeshin të lumtura e dinjitoze. Në Zvicër kishin ardhur enkas për këtë lojë, të cilën e përcillnin me interesim të madh shumë pranë portës kundërshtare.

„Atmosfera këtu është fantastike. Lojën duhet ta fitojmë. Do të fitojmë“, ishin të bindura ato.

© albinfo.ch

„Jam Leda nga Tirana, jam aktiviste e Aleancës Kuq e Zi, kemi ardhur me shpresën se do të fitojmë, dhe do fitojmë“. Për Elenën nga Librazhdi atmosfera është super. „Tifozët janë më të zjarrtë se kurrë. Shpresojmë të fitojmë. Me lojën jemi të kënaqur, megjithatë mendoj se duhet të bëjmë më shumë. Gjyqtari deri tani nuk më duket i drejtë në marrjen e vendimeve“, u shpreh ajo.

„U mërzitëm pak për golin. Mirëpo atmosfera është e paparë. Të jesh shqiptare sot është wau, kënaqësi“, na thotë me mirësjellje vajza që duket se nuk ka më shumë se njëzet vjet.

Edhe në mesin e stafit të uniformave blu që mbajnë rregullin dhe rendin në stadium ishin disa shqiptarë. Njëri prej tyre, i ri, biond, e me sy të gjelbër që i qetë vëzhgon situatën pranë tifozëve Kuq e Zi, thirrjes së një tifozi shqiptar në gjermanisht se a mund të kalojë në pjesën tjetër të tribunës, i kthye me ton urdhërues në gjuhën shqipe: “Rri aty ku je, nuk bën“. Ai ndërkohë u tregua shumë i dashur dhe miqësor, gjersa tregonte të jetë shumë i emocionuar sot në këtë takim.

„Jam i rregullt në këtë punë dhe kështu deri më sot këso atmosfere kurrë nuk kam parë“. Deri më tash nuk ka pasur asnjë problem, asnjë incident, tregon i riu Driton Hylaj nga fshati Strellc i komunës së Deçanit, i cili qëndroi përplotë 90 minuta me fytyrë kah tifozët.

Me të kuptuar që në mesin e tifozëve shqiptarë është edhe një gazetar,(i albinfo.ch), një i ri kërkon që të kalojmë sipër rrethojës e ta fotografojmë për medium pankartën e Aleancës Kuq e Zi, e cila ishte shtrirë në përmasa të mëdha përballë fushës ku zhvillohej loja. Kemi ardhur 18 veta, jemi përfaqësues të Aleancës Kuq e Zi dhe sonte këtu jemi në mbështetje të kombëtares sonë shqiptare, tregon ndërkohë ai. Përshtypjet e para për Zvicrën dhe qytetet e Zvicrës janë shumë të mira. „Lucerni është shumë i paparë, por edhe ndeshja është shumë emocionuese, nuk i gjej dot fjalët. Lojtarët tanë janë mirë të përgatitur dhe tifozët Kuq e Zi i japin një emocion të veçantë“. Shumica e tifozëve këtu janë shqiptarë nga Kosova e Maqedonia, a keni pasur kontakte me ta, e pyesim. „Ne nuk i ndajmë tifozët në të Kosovës a të Maqedonisë. Për ne të gjithë këta janë tifozë shqiptarë. Dhe kështu duhet të mbesin“. Përmes këtij të riu që tha se e quajnë Erion, kuptuam se me ta në këtë ndeshje ishte edhe lideri i Aleancës Kuq e Zi, Kreshnik Spahiu. „Kemi katër ditë këtu dhe do të qëndrojmë dhe dy ditë të tjera“, tregon Erion Gjergji, përfaqësues i Aleancës Kuq e Zi nga Tirana.

Dy vajzat ekzotike me bluza të bardha e me plis mbi kokë thanë që nuk ishin tifoze të rregullta të kombëtares. Me qetësinë dhe qëndrimin e tyre, e mbi të gjitha me veshjen që dallonte nga tifozët e tjerë, ato merrnin shoun e vajzave të tjera në këtë derbi. Të pyetura për këtë dhe lojën e kombëtares ato pa dashur të tregojnë emrin, thanë: „Jo, nuk i përcjellim, sepse nuk e kanë skuadrën bash të mirë. Do të ishin më të mirë nëse do të luanin edhe të tjerët më ta. Se lojtarët më të mirë luajnë jashtë, jashtë Shqipërisë“. Kombëtarja, e them me keqardhje, nuk luan aq mirë. Jo ashtu si kam pritur, flet vajza nga Bazeli që megjithatë pranoi ta fotografojmë”.

I pyetur në fund të lojës se me çfarë përshtypje po ik tani nga ky takim, pasi u menduar për një kohë, deputeti Etrit Hasler tha: “Është vështirë të përgjigjem. Ishte lojë e mirë. Ishte fer“. Kanë qenë paksa neveritëse sjelljet nga të dyja anët gjatë intonimit të himneve kombëtare. „Fishkëllimat ishin neveritëse“

-Këtë nuk e bëjnë burrat. Që shqiptarët i fishkëlluan lojtarët, njerëzit e vet, është një tjetër tregim, por me himnin nacional kjo nuk ka të bëjë asgjë. Më ka pëlqyer jashtë mase gjesti i Xhakës kur u zëvendësua që u kthye nga sektori shqiptar dhe duartrokiti me respekt. Ai u shpreh në fund të bisedës i shoqëruar me tifozë shqiptarë që kërkonin fotografi me të.