Lajme
Makina me naftë dhe benzinë pas 2035? Dilema e madhe që po trondit industrinë evropiane të automobilave
Në Bruksel po nxehet debati mbi të ardhmen e motorëve me djegie të brendshme. Manfred Weber, president i Partisë Popullore Evropiane dhe një zë i rëndësishëm në Parlamentin Evropian, i bëri thirrje Bashkimit Evropian që të rishikojë planin për ndalimin e shitjes së makinave të reja me benzinë dhe naftë pas vitit 2035.
Në një intervistë për Financial Times, Weber theksoi se qytetarët duhet të kenë ende mundësi të blejnë makina tradicionale, për aq kohë sa emetimet e tyre të karbonit mund të kompensohen. Kjo deklaratë vjen në një kohë kur kontinentin e vjetër e ka kapluar pasiguria në industrinë e automobilave — një sektor jetik për ekonominë evropiane.
Shembujt janë të freskët: Britania e Madhe këtë muaj zbuti rregullat për automjetet elektrike, duke ulur penalizimet për industrinë vendase. Në të njëjtën kohë, nga SHBA-të erdhi një tjetër goditje – një tarifë 25% mbi importet e makinave, një masë që pritet të ndikojë eksporte evropiane në vlerën e 67 miliardë eurove, transmeton albinfo.ch.
Kriza e fundit nuk i kurseu as gjigantët e makinave evropiane. Shumë kompani njoftuan shkurtim të vendeve të punës, të përballura me konkurrencën në rritje të makinave më të lira të prodhuara në Kinë.
Brukseli, nën presion të madh, në mars lejoi një lehtësim të përkohshëm të objektivave të ashpra për emetimet. Megjithatë, plani për ndalimin e motorëve me djegie të brendshme në vitin 2035 mbetet për momentin i pandryshuar.
Statistikat flasin qartë për një realitet kompleks. Regjistrimet e makinave të reja në BE shënuan rënie me 1.9% në tremujorin e parë të vitit 2025, krahasuar me një vit më parë. Sipas Shoqatës Evropiane të Prodhuesve të Automjeteve (ACEA), në muajin mars pati një rënie të lehtë prej 0.2%.
Në këtë peizazh të tronditur, automjetet hibride-elektrike kanë marrë pjesën më të madhe të tregut (35.5%), ndjekur nga ato me benzinë (28.7%), automjetet elektrike me bateri (15.2%) dhe makinat me naftë (9.5%).
Ndërkohë, automjetet elektrike me bateri po tregojnë rritje solide: në Gjermani regjistrimet janë rritur me 38.9%, në Belgjikë me 29.9% dhe në Holandë me 7.9%. Përjashtim bën Franca, ku është shënuar një rënie rekord prej 6.6%.
Në anën tjetër, automjetet hibride po përjetojnë një bum të vërtetë: në tremujorin e parë të vitit, regjistrimet e tyre në BE u rritën me 20.7%, me rritje të fortë sidomos në Francë, Spanjë, Itali dhe Gjermani.
Ndërsa ora rreh drejt 2035-ës, Evropa gjendet përballë një pyetje thelbësore: A do të mbizotërojë tranzicioni i pastër drejt automjeteve elektrike, apo industria dhe konsumatorët do të detyrojnë një kthesë të re në rrugën e saj të gjelbër?
Të tjera nga Lajme
E-Diaspora
-
Gjermani
Lionela Jakaj në finalen e “The Voice Kids”, 14-vjeçarja shqiptare synon fitoren në Gjermani Finalja e madhe zhvillohet të premten më 3 prill në ora 20:15, ku fituesi do të... -
Suedi
Muaji i Frankofonisë në Stokholm shënohet me aktivitete kulturore nga Ambasada e Kosovës -
Bern
Nxënësit e klasës së nëntë në Ostermundigen nisin diplomën “Qyteti i rrënjëve të mia” -
Ambasada e Kosovës në Austri njofton për pushimet gjatë festave zyrtare në prill 2026 -
Filharmonia e Kosovës debuton me sukses në Berlin
Jeta në Zvicër
-
Banorët në Bazel ankohen për akomodimin e azilkërkuesve Akomodimi për azilkërkuesit në Kleinhüningen, Bazel, ka shkaktuar kritika. Banorët kanë shprehur shqetësimet e tyre pranë... -
Funksioni i ri i SBB shkakton konfuzion te udhëtarët -
Rrezik i shtuar nga ortekët në Zvicër gjatë Pashkëve -
Lufta në Lindjen e Mesme ndryshon destinacionet e pushimeve për turistët zviceranë -
Zvicra rishqyrton kërkesën për riatdhesimin e një luftëtari të ISIS-it












