CH-Ballkani

Mantelbardhët po ikin nga Kosova

Drejtori i Qendrës Emergjente, Basri Lenjani tha se shumë mjekë e infermierë tashmë janë në kurse të gjuhës gjermane, pasi që shteti gjerman ka kërkesë të madhe për “mantelbardhë” kosovarë

Pagesa më e mira dhe trajtimi me adekuat, po ndikon që shumë mjekë dhe infermierë kosovarë ta braktisin Kosovën për të kërkuar një punë në vendet e Bashkimit Evropian, kryesisht në Gjermani. Shumë nga mjekët dhe infermierët janë duke vazhduar kurse të gjuhës gjermane që është kusht për integrim.

Vetëm nga Qendra Emergjente në Qendrën Klinike Universitare në Prishtinë, gjatë vitit 2014, kanë ikur më shumë se 10 infermierë, gjë që ka bërë që kjo klinikë, si më e frekuentuara në tërë QKUK dhe qendër terciare referente për gjithë Kosovën, të mbetet me mungesë të kuadrit të mesëm.

Drejtori i Qendrës Emergjente, Basri Lenjani, i tha REL-it se shumë mjekë e infermierë tashmë janë në kurse të gjuhës gjermane, pasi që shteti gjerman ka kërkesë të madhe për infermierë dhe kosovarët janë të interesuar të punojnë atje për shkak të kushteve më të mira të punës dhe pagës më të madhe.

“Kemi informata që një pjesë e stafit mjekësor, mjekë dhe infermierë, po e mësojnë gjuhën gjermane. Por, ne nuk duhet lejuar që njerëz profesionistë të ikin nga vendi, pasi që për ata njerëz ka nevojë Kosova”, ka thënë Lenjani.

Por, Ministria e Shëndetësisë thotë se fenomeni i ikjes së stafit profesional nuk po e godet vetëm Kosovën. Faik Hoti, drejtor i departamentit për Informim në Ministrinë e Shëndetësisë, se me këtë situate të ikjes së stafit nga vendi përballen edhe shtetet më të zhvilluara, përfshirë Gjermaninë.

“Lëvizja e stafit, përkatësisht e infermierëve, por edhe e mjekëve, nuk është trend që ndodh vetëm këtu. Me këtë dukuri po ballafaqohen edhe shtetet tjera. Por ajo që na mbetet neve është që të krijojmë mundësi që pas kryerjes së shkollimit profesionistët ta gjejnë veten këtu. Ka shumë shtete që ballafaqohen me këtë fenomen, si vetë Gjermania, ku stafi po u ikën në vendet skandinave”, ka thënë Hoti.

“Mundësit e kufizuara buxhetore nuk po lejojnë të punësojmë infermierë të rinj, pasi që ka të tillë, dhe kjo shihet si më problematike, pasi që nuk ka mungesë”, ka shtuar ai.

Në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës janë të punësuar rreth 613 mjekë dhe 1,833 infermierë. Paga e mjekëve specialistë është rreth 600 euro në muaj, derisa infermieri, për punën që kryen, paguhet rreth 300 euro në muaj.

Lirie Beqiri është drejtoreshë e Infermierisë në QKUK. Ajo ka thënë kohë më parë se ka mungesë të stafit në këtë institucion, duke shtuar se janë gjithsej 1,833 infermierë, të cilët punojnë për 2,099 shtretër, sa edhe i ka Qendra Klinike.

“Infermieret ndahen me punë në mami, infermiere pediatrie, instrumentare, teknike anestezioni, laborant, teknik rëntgeni, teknik farmacie, si dhe kardiokirurgjia e të tjera. Është numri i vogël, në raport me kërkesat. Ne edhe vitin e kaluar kemi kërkuar rritje të stafit, ku kërkesa jonë ka qenë se na duhen edhe rreth 300 infermierë më shumë”, ka thënë Beqiri.

Aktualisht Qendra Klinike Universitare e Kosovës gjatë ditës frekuentohet nga më shumë se 30 mijë vizitorë, ndërkohë që vetëm në Qendrën Emergjente ndihmë mjekësore për 24 orë kërkojnë rreth 200 persona.