Kosova

Me 18 vjet jetë, Kosova ndodhet në pragun e pjekurisë si shtet

Ambasadori i Kosovës në Zvicër, Mentor Latifi flet për marrëdhëniet Kosovë–Zvicër dhe identitetin diplomatik të Kosovës, në 18 vjetorin e pavarësisë së vendit

Reflektime me rastin e tetëmbëdhjetëvjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës mbi diplomacinë, diasporën dhe vizionin për të ardhmen. Tetëmbëdhjetëvjetori ka një simbolikë të veçantë, sepse në jetën e individit shënon pragun e pjekurisë.

Me rastin e 18 vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës, albinfo.ch ka realizuar një intervistë me Ambasadorin e Kosovës në Zvicër, Shkëlqesinë e Tij z. Mentor Latifi, për të analizuar domethënien historike dhe politike të këtij përvjetori në kontekstin e konsolidimit shtetëror dhe të pozicionimit ndërkombëtar të Kosovës. Në këtë bisedë reflektuese, Ambasador Latifi ndalet në prioritetet strategjike të diplomacisë kosovare në Zvicër për vitin 2026, në zhvillimin e marrëdhënieve bilaterale me Konfederatën Helvetike dhe në rolin kyç të diasporës si faktor ndërmjetësues ndërmjet dy shoqërive. Intervista hedh dritë gjithashtu mbi rëndësinë e diplomacisë kulturore dhe të pjesëmarrjes qytetare në proceset demokratike si elemente themelore të ndërtimit të identitetit diplomatik të një shteti të ri që synon stabilitet, besueshmëri dhe integrim evropian.

albinfo.ch: Si e përjetoni 18 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës si Ambasador në Zvicër?

Ambasador Latifi: Tetëmbëdhjetëvjetori ka një simbolikë të veçantë, sepse në jetën e individit shënon pragun e pjekurisë. Në këtë kuptim, 18 vjetori i Pavarësisë së Kosovës përbën një moment reflektimi, krenarie dhe përgjegjësie institucionale. Si Ambasador në Zvicër, e përjetoj këtë përvjetor jo vetëm si përfaqësues i shtetit tonë, por edhe si dëshmitar i rrugëtimit të Kosovës nga një ëndërr kolektive drejt një shteti funksional dhe të respektuar ndërkombëtarisht. Është një moment për të nderuar sakrificën e gjeneratave dhe për të riafirmuar angazhimin tonë për të ardhmen.

albinfo.ch: Cilat janë prioritetet tuaja kryesore diplomatike në Zvicër këtë vit?

Ambasador Latifi: Prioritetet tona diplomatike përqendrohen në forcimin e mëtejmë të marrëdhënieve bilaterale dhe në avancimin e interesave strategjike të Kosovës. Synojmë të thellojmë bashkëpunimin ekonomik dhe të nxisim investimet zvicerane në Kosovë, si dhe të forcojmë partneritetin në fushat e arsimit, inovacionit dhe formimit profesional. Një rëndësi të veçantë i kushtojmë gjithashtu angazhimit me diasporën kosovare në Zvicër dhe zhvillimit të diplomacisë kulturore, me qëllim përmirësimin e vazhdueshëm të imazhit të Kosovës në opinionin publik zviceran.

albinfo.ch: Si i vlerësoni sot marrëdhëniet ndërmjet  Kosovës dhe Zvicrës?

Ambasador Latifi: Marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Zvicrës janë shumë të mira dhe të qëndrueshme. Zvicra ka qenë një partner i rëndësishëm i Kosovës në faza kyçe të zhvillimit të saj, veçanërisht në ndërtimin e institucioneve, sundimin e ligjit, arsimin dhe zhvillimin ekonomik. Bashkëpunimi po thellohet vazhdimisht, si në nivel bilateral ashtu edhe përmes diasporës sonë të fuqishme. Një dëshmi konkrete e këtij niveli të marrëdhënieve ishte edhe ratifikimi i Marrëveshjes së EFTA-s nga parlamenti zviceran, e cila u miratua nga Dhoma e Përfaqësuesve pa asnjë votë kundër.

albinfo.ch: Çfarë roli ka diaspora kosovare në Zvicër për zhvillimin e Kosovës?

Ambasador Latifi: Diaspora kosovare në Zvicër ka një rol të jashtëzakonshëm dhe të pazëvendësueshëm. Ajo ka qenë shtyllë mbështetëse e Kosovës në momentet më të vështira dhe vazhdon të kontribuojë në zhvillimin ekonomik, social dhe kulturor përmes investimeve, transferimit të dijes dhe angazhimit qytetar. Diaspora përbën një urë të fortë lidhëse mes dy vendeve.

albinfo.ch: Si po angazhoheni me brezin e ri të diasporës për ruajtjen e lidhjes me Kosovën?

Ambasador Latifi: Përmes aktiviteteve kulturore, edukative dhe dialogut të hapur, synojmë të forcojmë lidhjen emocionale dhe institucionale të brezit të ri me Kosovën. Ky brez përfaqëson një potencial të madh dhe një zë të rëndësishëm për të ardhmen dhe imazhin e vendit tonë. Një rol të veçantë luajnë shoqatat shqiptare në Zvicër, të cilat përmes veprimtarive kulturore ruajnë lidhjen me trevat e origjinës. Kontribut i veçantë është ai i Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë, e cila që nga vitet ’90 ofron mësim plotësues në gjuhën shqipe për brezat e rinj. Ne do ta mbështesim këtë organizatë me libra mësimorë dhe forma të tjera ndihme, në mënyrë që prindërit të vazhdojnë t’i dërgojnë fëmijët në mësimin e gjuhës shqipe.

albinfo.ch: Si i vlerësoni zgjedhjet parlamentare të dhjetorit 2025 dhe rolin e diasporës në to?

Ambasador Latifi: Zgjedhjet parlamentare të dhjetorit 2025 përbëjnë një moment të rëndësishëm për demokracinë e Kosovës. Pjesëmarrja e diasporës në këto zgjedhje është dëshmi e pjekurisë demokratike dhe e lidhjes së fortë me atdheun. Angazhimi i qytetarëve tanë jashtë vendit e forcon legjitimitetin e proceseve demokratike.

albinfo.ch: Çfarë mesazhi keni për pjesëmarrjen e diasporës në proceset demokratike?

Ambasador Latifi: Mesazhi im është i qartë: pjesëmarrja juaj ka rëndësi. Vota dhe angazhimi juaj janë kontribut i drejtpërdrejtë në ndërtimin e një Kosove më demokratike, më transparente dhe më të drejtë. Demokracia forcohet kur qytetarët janë aktivë, pavarësisht se ku jetojnë.

albinfo.ch: Si është përmirësuar imazhi i Kosovës në Zvicër dhe cilat janë sfidat aktuale?

Ambasador Latifi: Imazhi i Kosovës në Zvicër është përmirësuar ndjeshëm vitet e fundit. Kosova perceptohet gjithnjë e më shumë si një shtet i ri, dinamik dhe me potencial ekonomik, me të rinj të talentuar dhe kreativë. Meritë të veçantë në këtë proces ka diaspora jonë, imazhi i së cilës është përmirësuar dukshëm. Megjithatë, sfidat mbeten, veçanërisht në promovimin e mëtejshëm të investimeve, në luftën kundër stereotipeve dhe në forcimin e pranisë sonë kulturore dhe ekonomike.

albinfo.ch: Sa e rëndësishme është diplomacia kulturore në marrëdhëniet Kosovë–Zvicër?

Ambasador Latifi: Diplomacia kulturore është thelbësore. Përmes artit, muzikës, filmit dhe trashëgimisë kulturore, ne prezantojmë një imazh autentik dhe pozitiv të Kosovës. Kultura krijon ura mirëkuptimi dhe afron shoqëritë tona në mënyrë të natyrshme dhe të qëndrueshme. Vitin e kaluar, për shënimin e Pavarësisë, Filharmonia e Kosovës performoi në Bernë, një koncert që vazhdon të përmendet edhe sot, jo vetëm nga diaspora. Sivjet, manifestimet kryesore do të mbahen në Cyrih dhe Gjenevë, ku konsullatat tona po punojnë me përkushtim për një shënim dinjitoz të kësaj date të rëndësishme. Edhe këto manifestime do ta prezantojnë kulturën tonë nga ana e saj më e mirë.

albinfo.ch: Cili është mesazhi Juaj për diasporën në këtë përvjetor të Pavarësisë?

Ambasador Latifi: Në këtë përvjetor të Pavarësisë, mesazhi im për mërgatën tonë është falënderim dhe mirënjohje. Kontributi juaj ka qenë dhe mbetet thelbësor për Kosovën. Ju ftoj të vazhdoni të jeni ambasadorët më të mirë të vendit tonë, duke u integruar me sukses në Zvicër dhe njëkohësisht duke ruajtur lidhjen me atdheun dhe duke kontribuar për një të ardhme edhe më të mirë për Kosovën.

Në këtë përvjetor me domethënie të veçantë simbolike, reflektimet e Ambasadorit të Republikës së Kosovës në Zvicër, z. Mentor Latifi, shprehin jo vetëm një analizë të pjekur politike, por edhe përgjegjësinë institucionale të përfaqësimit diplomatik të Kosovës në arenën ndërkombëtare. Përmes një diskursi që ndërthur kujtesën historike me orientimin strategjik drejt së ardhmes, Ambasador Latifi evidenton rolin thelbësor të diasporës dhe thellimin e partneritetit me Konfederatën Helvetike si shtylla të konsolidimit shtetëror. Pavarësia e Kosovës që nga akti juridik i vitit 2008,  vazhdon me procesin e vazhdueshëm të ndërtimit të institucioneve funksionale, i formësimit të identitetit diplomatik dhe i forcimit të besimit ndërkombëtar. Në këtë mision, diplomacia, kultura dhe angazhimi qytetar përbëjnë themelet mbi të cilat Kosova synon stabilitet afatgjatë, zhvillim të qëndrueshëm dhe integrim të plotë në familjen evropiane.