E-Diaspora

Medalje në Zvicër edhe për karateistët nga Maqedonia

Garuesit e Klubit te Karatesë “DRINI” nga Struga, Shaban Murtishi dhe Besa Lleshi janë kthyer me medalje nga “Swiss Open 2014” që u mbajt këtë fundjavë në Cyrih të Zvicrës

Për klubin e karatesë “Drini” nga Struga aktiviteti ndërkombëtar “Swiss Open 2014” në Zvicër ka qenë i suksesshëm, pasi janë kthyer me dy medalje, një të argjendtë dhe një të bronztë.

Shaban Murtishi në kategorinë -60 kg në një konkurrencë të fortë për nga cilësia u radhit i dyti, pas dy fitoreve në kualifikime dhe në një finale shumë të diskutueshme, edhe pse  ishte më i mirë se kundërshtari i tij, në fund u desh të pajtohet me humbjen me rezultat 6:5, kurse Besa Lleshi në kategorinë -50kg u radhit e treta, por që në luftimin e parë pësoi një lëndim dhe u desh të pajtohet me vendin e tretë.

  “Mendoj se ishte një garë e fuqishme ku kishte edhe garues të nivelit botëror dhe evropian. Garuesit tanë treguan nivel të mirë dhe ishte një test i mirë para kampionatit shtetëror që do të zhvillohet gjatë këtij vikendi në Shkup.”, tha trajneri Alimi, transmeton Lajmi.

Ai  ka falënderuar edhe familjarët dhe bashkatdhetarët të cilët i kanë pritur dhe vendosur nëpër shtëpitë e tyre në Cyrih, si dhe për mbështetjen e tyre gjatë zhvillimit të turneut.