Lajme

Mimoza Rudaj, modelja që po e ndjek ëndrrën e saj

“Ndiqni ëndrrat e juaja, pasi që kemi vetëm një jetë e së paku të jetojmë një të atillë që pas disa viteve te buzëqeshim dhe të jemi të lumtura me atë se si kemi zgjedhur të jetojmë”

Komentet për vajzat e modës zakonisht janë të atilla që përveç bukurisë nuk posedojnë asgjë tjetër, por kjo nuk qëndron gjithmonë. Një shembull që e dëshmon këtë, është Mimoza Rudaj e cila përveç bukurisë ka edhe shumë njohuri, është inteligjente dhe ka qëllime që dëshiron t’i arrijë.

Por, vetia kryesore që e karakterizon atë është pozitiviteti që e përçon qoftë edhe në një bisedë vetëm virtuale.

Mimoza Rudaj është një vajzë e re e cila ka lindur dhe jeton në Zvicër. Përveç si modele, ajo punon edhe si asistente administrative në Zvicër.

Si pjesë të rëndësishme të jetës ajo i cilëson studimet, duke këshilluar të gjitha vajzat që si pikë kryesore t`i kenë studimet e larta dhe pastaj të vazhdojnë me hobit e tyre.

Albinfo.ch: Kush është Mimoza Rudaj?

Mimoza Rudaj: Mimoza është  një vajzë 25 vjeçare që ka lindur në Zvicër. Merrem me modelizëm për brendet si @zebrafashion_official & @vögeleshoes. Përveç këtyre, mendoj se ajo që më karakterizon është energjia e madhe dhe rrethi më njeh si një femër shumë të gjallë. Njëra nga dëshirat e mia më të mëdha është të vizitoj vende të ndryshme nëpër botë dhe të mësoj gjëra të reja. Pjesa më e madhe e familjes time jeton po ashtu në Zvicër dhe kohën e lirë e shfrytëzoj duke qëndruar me mbesat dhe nipin tim. Dhe diçka tjetër që mundem të them që më karakterizon mua është varësia nga shopping, kam shumë dëshirë të blej.

Albinfo.ch: Me çfarë merreni përveç modelizimit?

M.Rudaj: Përveç modelizimit punoj edhe si asistente në administratë, por, në të ardhmen po mendoj që të fokusohem më shumë në modelizëm. Ajo që unë e cilësoj si të rëndësishme është të jesh e edukuar dhe të posedosh një diplomë e cila ndoshta një ditë do të të duhej. Në Instagram merrem me Influencing edhe bashkëpunoj me firma botërore si @nakdfashion @idealofsweden @desenio @nyxcosmetics @lorealmakeup.

Albinfo.ch: Cili është hobi tjetër i juaji?

M.Rudaj: Përveç modelizmit më pëlqen të vizitoj vende të ndryshme nëpër botë. Kam qenë  për gjashtë muaj e vetme nëpër Amerikë, pastaj për katër muaj vetëm në L.A. California dhe  dy muaj në Waikiki Hawaii. Qëllim i qëndrimit në Amerikë ka qenë studimi i gjuhës angleze, por kohën e lirë e kam shfrytëzuar edhe për vizita dhe për ta njohur vendin atje. Aq shumë i dua kulturat e huaja saqë  çdoherë mundohem që së paku dy herë në vit të dal nga kontinenti për të vizituar ndonjë vend të ri. Unë madje e kam edhe një tattoo “Wanderlust” që në shqip do të thotë dëshirë e shfrenuar për të vizituar dhe njohur vende të reja.

Albinfo.ch: Cili është ushqimi i juaj i preferuar shqiptar?

M.Rudaj: Kam provuar ushqime të ndryshme nëpër botë me shije fantastike, ushqimi shqiptar tradicional çdoherë ka një vend të veçantë tek unë dhe ndonëse ka shumë që më pëlqejnë ajo që kisha veçuar  është krelane dhe pasuli, normalisht, duke i shoqëruar me turshi, hahaha.

Albinfo.ch: Sa shpesh e vizitoni Kosovën?

M.Rudaj: Në Kosovë shkoj shumë shpesh.  Kur kam qenë në shkollë, isha më e lirë dhe shumë shpesh kam shkuar në Kosovë për vizitë. Por, edhe tani, në pushimet verore, minimum dy javë jam çdo herë në Kosovë dhe mendoj se kjo traditë do të vazhdojë për tërë jetën sepse si në Prishtinë, pushimet e verës nuk kanë hijeshi askund ne botë. Kështu që gjatë verës shkoj në Kosovë çdo herë, por edhe brenda vitit shkoj shpesh për vikende sepse e dua shumë Kosovën.

Albinfo.ch: Nga cili vend i Kosovës vini?

M.Rudaj: Babin e kam nga Malisheva kurse mamin nga Peja. Por, kur shkojmë në Kosovë, qëndrojmë në Prishtinë.

Albinfo.ch: Sipas jush, më të bukura janë vajzat shqiptare apo ato zvicerane?

M.Rudaj: Vajzat shqiptare janë defitinivisht më ekzotike kështu që edhe më të mira, hahaha. Edhe s`ka lidhje a janë  vajzat shqiptare nga Zvicra apo Kosova, secila që ka gjene shqiptare është e bukur. Sinqerisht, mua të paktën më pëlqejnë shumë, si për stil ashtu edhe për pamje, janë shumë të bukura.

Albinfo.ch: Sa është e vështirë të depërtosh në tregun e Zvicrës?

M.Rudaj: Në  Zvicër është vështirë, jo veç për modelizëm por për gjithçka, si për këngëtare, aktore, në Zvicër nuk ke shumë zgjidhje. Por, rrjetet sociale tashmë kanë filluar ta bëjnë çdo gjë më të lehtë, sepse përmes Instagramit mundesh të kontaktosh me firma të ndryshme në mbarë botën, vetëm duhet pak përkushtim dhe punë, sepse në Zvicër të bëhesh modele nuk është aspak e lehtë.

Albinfo.ch: Cili është libri i fundit që e keni lexuar?

M.Rudaj: Prej Paulo Coelho “The Alchemist”.

Albinfo.ch: Cila është modelja juaj e preferuar?

M.Rudaj: Prej shqiptareve është Lorena Haliti, e cila përveç që është e bukur, është pozitive dhe e mençur, por ajo që më së shumti më pëlqen te Lorena është se përkrah femrat shqiptare të përparojnë dhe e gëzon suksesi i tyre. Kurse nga modelet me famë botërore është Gigi Hadid e cila ka një fizik shumë të mirë por edhe është e talentuar.

Albinfo.ch: Na flisni pak për jetën private: single, e fejuar apo e martuar?

M.Rudaj: Për momentin jam në një lidhje me një djalë shqiptar që jeton në Zvicër, i cili është aktor në Gjermani dhe Zvicër. Nuk ka shumë kohë që jemi në lidhje  dhe është një lidhje e re fresh dhe për të cilën nuk do të kisha dhënë shumë detaje të tjera.

Albinfo.ch: Cilat janë synimet tuaja për të ardhmen?

M.Rudaj: E kam vetëm  një dëshirë. Të jem  e lumtur me arritjet e mia dhe me jetën e përditshme timen. Dua që kur të zgjohem në mëngjes të jem me energji dhe pozitivitet, të mos pritoj të ngrihem nga shtrati, thënë me fjalë të tjera.

Albinfo.ch: Cfarë këshille keni për vajzat e reja?

M.Rudaj: Mos i lini asnjëherë studimet pas dore, siguroni një jetë të mirë së pari që në qoftë se ëndrra juaj nuk funksionon, atëherë do të keni diçka në dorë me të cilën do të merreni dhe nuk do të mbeteshit pa asgjë. Ndiqni ëndrrat e juaja, pasi që kemi vetëm një jetë e së paku të jetojmë një të atillë që pas disa viteve te buzëqeshim dhe të jemi të lumtura me atë se si kemi zgjedhur të jetojmë. Mos lini asgjë që ju intereson pa e provuar, njiheni më mirë veten tuaj. Mos keni si synim vetëm fejesat e martesat pasi që ato nuk të kompletojnë, përvojat e jetës janë ato që të kompletojnë, pra me një fjalë shijojeni jetën.

Grenata Thaçi