Integrimi

Mjekja pilote: Mbi re, bota duket më e bukur

Mjekja dhe mikrobiologia e njohur shqiptare nga Cyrihu, Dr. Fatime Imeri Berisha, ka disa vjet që e shikon botën nga qielli, në fluturaken që drejton vetë, për çfarë ajo ka të gjitha licencat e nevojshme

Ëndrrën për të parë botën nga “perspektiva e zogut” e kemi të gjithë. Por, janë të rrallë ata që ndërmarrin diçka për ta realizuar këtë ëndërr. Mjekja dhe mikrobiologia e njohur shqiptare në Zvicër, Dr. Fatime Imeri Berisha, ka pasur vendosmërinë dhe guximin për të jetësuar ëndrrën e saj, e cila e ndiqte që nga fëmijëria: të drejtonte një fluturake. Ajo, siç zbulon për lexuesit e Albinfo.ch, ka disa vjet që e shikon botën nga qielli, në fluturaken që drejton vetë, për të cilën ka të gjitha licencat e nevojshme.

Për më tepër, lexoni intervistën në vijim.

Albinfo.ch: Ju njohim si një mikrobiologe të suksesshme, bashkëpronare dhe drejtoreshë mjekësore në laboratorin LG1 në Zvicër. Përveç kësaj, ju keni edhe një pasion interesant, siç është fluturimi në ajër me fluturake: Si ka filluar ky pasion për ju?

Dr. Fatime Imeri Berisha: Pasioni për të fluturuar ka filluar qysh në fëmijërinë e hershme. Kur isha, 4 ose 5 vjeçe, e kam parë një fluturake në qiell dhe prej atij momenti, ëndrra ime ka qenë që kur të rritem, të bëhem pilote.

Albinfo.ch: Si erdhi ideja për t’u marrë më këtë pasion, që sa vjet merreni me fluturime?

 

Dr. Fatime Imeri Berisha: Ideja ishte e vjetër, në Zvicër kishte shkolla të tilla, kështu që nuk e kam pasur vështirë për të vendosur. Tani janë 6—7 vjet që kam filluar të fluturoj.

Albinfo.ch: Që jeni një mikrobiologe të suksesshme, këtë e dimë, veçanërisht në kohën e pandemisë, por a mund t`ju quajmë tashmë edhe pilote të suksesshme?

Dr. Fatime Imeri Berisha: Fluturimin e kam vetëm hobi dhe vështirë të krahasohet me profesionin tim, kështu që po vazhdoj të mbetem vetëm te mjekësia dhe mikrobiologjia.

Albinfo.ch: Po të mos ishe bërë mjeke, a mund të imagjinoni që profesioni i juaj primar të ishte profesioni i pilotes?

Dr. Fatime Imeri Berisha: Sikur të kisha pasur mundësi në rini, besoj që profesionin primar sot do ta kisha si pilote. Mirëpo, në atë kohë në Kosovë nuk ka pasur shkollë përkatëse për pilotë.

Albinfo.ch: Cilat janë kushtet që duhet plotësuar për të ngarë fluturaken. A duhen trajnime, shkollim, leje të qarkullimit?

Dr. Fatime Imeri Berisha: Po, nevojiten të gjitha këto, pra trajnime, shkollim dhe si shtesë do të përmendja edhe kontrollet mjekësore periodike që janë të obligueshme për të pasur të drejtë të fluturoni. Nëse nuk e posedoni të ashtuquajturën *Medical Licence*, nuk guxoni të fluturoni edhe nëse e keni kaluar provimin për pilot. Edhe testi për gjuhën angleze  është i domosdoshëm, sepse komunikimi dhe frazeologjia e pilotëve është në anglisht.

Gjithashtu nevojitet një numër i caktuar orësh fluturimi në vit, për t`u vazhduar licenca, pastaj për çdo kategori tjetër të fluturakeve që doni të ngitni duhet bërë provimi, respektivisht *familiarizim* me këtë kategori.

Albinfo.ch: Sigurisht që përmes këtij fluturimi keni mundësi të shihni nga lart edhe shumë vende të bukura të Zvicrës. Mbi cilat vende fluturoni zakonisht?

Dr. Fatime Imeri Berisha: Gati çdokund, përveç në pjesën jugore  të Zvicrës, sepse për të shkuar atje, nevojitet më shumë kohë që të përgatitem. Tani Zvicrën e njoh më mirë nga qielli se që kam mundur ta njoh nga toka. Një kohë kam fluturuar nga Cyrihu, kurse sot fluturoj zakonisht nga një aeroport më i vogël drejt aeroporteve të tjera në të cilët ateroj, dhe pastaj kthehem prapa. Gjatë fluturimit, në këto rrugë ajrore kaloj përgjatë maleve (Jura p.sh.), mbi liqene Neuenburgersee, Hallwillersee, Vierwaldstättersee, Bodensee etj), mbi qytete, të cilat nga ajri më duken shumë më ndryshe se në tokë.

Albinfo.ch: Cili është fluturimi më i këndshëm që keni pasur?

Dr. Fatime Imeri Berisha: Çdo herë që fluturoj është ndjenjë e njëjtë, e një fluturimi të këndshëm, d.m.th. ka shumë të tilla.

Albinfo.ch: Po, më i pakëndshmi, apo ndonjë moment i rrezikshëm?

Dr. Fatime Imeri Berisha: Për fat të mirë momente të tilla ka shumë pak. Momente të pakëndshme shkakton nganjëherë era me shpejtësi të madhe, dhe e cila shfaqet papritmas. Atëherë ose duhet kthyer në aeroportin nga je nisur ose të aterosh në aeroportin më të afërt.

Albinfo.ch: Çfarë mendoni derisa jeni në lartësi, çfarë ndjesie është ky lloj fluturimi?

Dr. Fatime Imeri Berisha: Fluturimi për mua është përjetim që rezulton me emocione shumë pozitive. Nga lartësia shihen më qartë bukuria e natyrës dhe llojllojshmëria e saj, si dhe horizonti, dielli dhe retë që janë shumë më afër teje.

Mendja është e koncentruar tek fluturimi dhe në rend të parë me drejtimin e fluturakes, me lartësinë dhe shpejtësinë e saj, pastaj me planin e fluturimit, rrugën ajrore apo pikat mbi të cilat kalon fluturakja dhe gjithashtu edhe me komunikimin me kullat e kontrollit të trafikut ajror.

Albinfo.ch: Sa shpesh e bëni këtë lloj fluturimi dhe cila ka qenë lartësia që keni fluturuar?

Dr. Fatime Imeri Berisha: Varësisht nga koha e lirë, fluturoj 3-4 ditë në muaj, nganjëherë edhe më shpesh. Lartësia në shumicën e rasteve është 1.5-2 km.

Albinfo.ch: Ua sugjeroni edhe miqve tuaj një fluturim të tillë mbi lartësi?

Dr. Fatime Imeri Berisha: Po gjithsesi, sepse është një përjetim i veçantë që nuk krahasohet me fluturimin si udhëtar në fluturaket e pasagjerëve.

Albinfo.ch: Për fund, këshilla juaj për të gjithë ata që dëshirojnë të bëjnë një fluturim me fluturake?

Dr. Fatime Imeri Berisha: Nëse fluturimin e keni pasion dhe keni vullnetin të filloni shkollimin dhe trajnimet që të ngitni një fluturake, atëherë pa dyshim do ta arrini këtë qëllim.

Intervistën e realizoi Arben Gjinaj

Lexoni po ashtu:

Dr. Fatime Imeri-Berisha drejton disa laboratorë të Covid-19 në Zvicër