Lifestyle

Në Kosovë yje, po në Zvicër?

Punëtorë të vyeshëm, të përpiktë në orare, gjithmonë gati për ta bërë më të mirën. Vetëm kështu, se ndryshe nuk bën në shtetet perëndimore, aty ku punojnë e veprojnë një pjesë e mirë e emrave të njohur të industrisë së muzikës, modës dhe jo vetëm. Në Kosovë janë të famshëm, të pëlqyer, të admiruar, por kush janë ata në Zvicër, Gjermani, Suedi...?

 

Albana Azizi, edhe mjeke, edhe këngëtare

Albana Azizi është ndër zërat e fuqishëm, ndër ato këngëtare që e vlen të dëgjohen në çdo kohë. Aktive në festivale, koncerte, e gjithashtu e pranishme edhe me këngë e videoklipe. Albana, nga diaspora në Kosovë ka sjellë frymën e muzikës moderne dhe ka treguar qartë se shqiptarët e diasporës po kultivojnë një shije të mirë muzikore. Albana jeton në Gjermani, vend në të cilin ka vazhduar studimet në Fakultetin e Mjekësisë, Dega e Stomatologjisë. Njëkohësisht ajo ka ndjekur mësimet për solo këndim në Konservatoriumin e Bernës. “Muzika është jeta ime, është oksigjeni im, është gjithçka për mua. Nuk mund ta paramendoj jetën pa muzikë. Do të vazhdoj të këndoj”, thotë për albinfo.ch këngëtarja simpatike.

Hysni Zeqiri: “Në Zvicër, thjesht punëtor”

Hysni Zeqiri ka përfunduar Akademinë e Arteve, dega e aktrimit, por merret me muzikë. Ai, prej vitesh lanson këngë të bukura dhe shpesh është diskutuar në media për muzikën që bën, por edhe për deklaratat që lëshon. Hysi, disa herë e ka goditur estradën, duke i gjykuar disa për falsitet të tepruar. Aktori dhe këngëtari së fundi ka ardhur me një baladë prekëse, të titulluar “Të pres”. Kjo këngë u cilësua si shumë artistike dhe këngëtari e promovoi atë në disa televizione, ku u trajtua si këngëtar i vlerës dhe kundër komercialitetit. Hysni Zeqiri jeton në Zvicër dhe për albinfo.ch, thotë: “Unë në Zvicër nuk merrem me muzikë, këtu jam thjesht punëtor, si të gjithë shqiptarët. Punoj në një fabrikë dhe jam i kënaqur me vendin tim të punës. Zvicra nuk njihet për showbiz e gjëra të kësaj natyre. Në Kosovë vij zakonisht për të promovuar artin tim, që nuk është komercial dhe që e bëj së pari për të kënaqur veten, e pastaj për ata njerëz që duan për të dëgjuar diçka të mirë”, përfundon Zeqiri.

Kush ia financon karrierën Gjon Karricës?

Në anën tjetër, Gjon Karrica, i njohur si “Lugati”, ka shkaktuar sensacion me atë çfarë bën. I rritur në Zvicër, i sprovuar në disa profesione, por i dhënë shumë pas muzikës dhe modës, Karrica tashmë e ka gjetur mënyrën për të qenë gjithherë në qendër të vëmendjes. Ai, sa herë që vjen me diçka të re, godet menjëherë. “Arti është pasioni im përmes të cilit nuk kam përfituar asnjëherë. Unë nuk bëj këngë për të fituar materialisht, pasi në Zvicër punoj diçka tjetër që s’ka të bëjë me muzikën e artin. Por nga ajo punë unë arrij të jetoj mirë, të shëtis dhe gjithashtu të financoj karrierën time”. Gjon Karrica për albinfo.ch shton se kolegët dhe miqtë e tij zviceranë e dinë për impaktin që ka ai te publiku shqiptar dhe shpesh tregojnë entuziazëm për këtë gjë.

Mimoza Shkodrën, fansat mund ta takojnë në ordinancë stomatologjike

Një ndër këngëtaret që jetojnë në diasporë, e që pavarësisht kilometrave të shumtë ia ka dalë të bëhet tejet e famshme në trojet shqiptare, është edhe Mimoza Shkodra. U bë njësh me publikun përmes këngës me titull “Ndarja”, e tutje solli shumë këngë hite. Mimoza ka treguar se në Zvicër punon si teknike dhëmbësh, ndërkohë që merret edhe me muzikë, ku këndon në vende të ndryshme për argëtimin e bashkatdhetarëve.

Mërgimi, adoleshenti i zakonshëm në Suedi, u bë ‘Kidda yll’ në Kosovë

Ndërkohë, reperi Kidda, i lindur e i rritur në Suedi, tashmë po bën emër në Kosovë. Ai ka lansuar disa këngë që janë shndërruar në hite dhe po merr gjithë pëlqimin e publikut shqiptar. “Kam të kryer shkollën e mesme dhe kam për synim ta vazhdoj shkollimin edhe më tutje. Merrem me muzikë dhe më pëlqen të sjell risi në tregun muzikor shqiptar dhe jo vetëm”, thotë këngëtari që vjen nga diaspora për ta bërë për vete publikun në Kosovë. Mërgim Kidda jeton mes Suedisë dhe Kosovës dhe ai tregon se nuk është rastësisht në muzikë, pasi një pjesë e mirë e familjes së tij janë marrë me të. “Në shtëpi kemi disa instrumente. Unë u fiksova pas çiftelisë, sepse ishte interesante për mua, pasi që ishte një vegël me vetëm dy tela dhe që nxirrte tinguj aq të bukur. Meqë edhe babai, por edhe nëna ime luajnë me çifteli, ishte më e lehtë ta mësoja. Sigurisht që kam parë dhe klipe në internet ku jepeshin instruksione se si mund t`i biesh këtij instrumenti”, thotë këngëtari që sot po konsiderohet ndër më modernët në treg.