Në pritje të Zvicrës

Tollovia me pensionet e kosovarëve që kanë punuar në Zvicër, e nuk po arrijnë t’i marrin ato në Kosovë, ende vazhdon

Në muajin prill mbushen dy vjet që pensionistët kosovarë nga Zvicra nuk i marrin paratë e tyre. Gjykata Federale Administrative e shtetit helvetik ka vendosur në favor të pensionistëve, por Enti Federal për Sigurime Sociale nuk dorëzohet. Ministri Nenad Rashic beson se ky problem do të zgjidhet brenda gjashtë muajve.

Tollovia me pensionet e kosovarëve që kanë punuar në Zvicër, e nuk po arrijnë t’i marrin ato në Kosovë, ende vazhdon.

Tash ky pështjellim ka mbërthyer edhe vetë institucionet e shtetit helvetik.

Në tërë këtë hallakamë, Nenad Rashic, ministër kosovar për Punë dhe Mirëqenie Sociale, beson se brenda gjashtë muajve të parë të këtij viti, ky problem do të zgjidhet.

E derisa jepen premtime, në muajin prill të këtij viti, mbushen plot dy vjet prej që Zvicra u ka ndalur pensionet kosovarëve.

Këta pensionistë, pa fajin e tyre, kanë mbetur pa marrë kontributet e punës së tyre.

Enti Federal për Sigurime Sociale i Zvicrës vazhdon të refuzojë pagesën e të hollave për personat me sigurim pensional dhe atij të invaliditetit nga ky shtet, e të cilët jetojnë në Kosovë.

Pavarësisht se këtë vendim e ka hedhur poshtë Gjyqi Federal Administrativ.

Por ky vendim nuk ka ndryshuar asgjë.

Gjendja vazhdon të mbetet e njëjtë për kosovarët, të cilët kanë fituar pensionin e pleqërisë ose të invaliditetit në Zvicër, e të cilët kanë vendosur që vitet e mbetura të pleqërisë t’i kalojnë në vendlindje.

E tërë kjo ndodh përkundër faktit se Gjyqi Federal Administrativ i Zvicrës, në marsin e vitit të kaluar, i kishte rekomanduar Entit Federal për Sigurime Sociale, që të ndryshonte këtë praktikë.

Por në lidhje me këtë çështje, Nenad Rashiq, ministri kosovar për Punë dhe për Mirëqenie Sociale thotë se në muajin shkurt pret të realizojë edhe një vizitë tjetër në Zvicër.

“Jemi në proces të zgjidhjes së këtij problemi, i cili më shumë është teknik”, thotë Rashic për Express. “Por se kur saktësisht do të rregullohet ky problem, kjo varet më shumë nga Zvicra”, thotë ai.

Sipas tij, problemi nuk është fare i pështjellur ngase gjithçka varet vetëm nga rregullimi i dokumenteve.

“Ne kemi mungesë të Ligjit për sigurimin shëndetësor. Kjo është një prej arsyeve kryesore të këtij problemi”, thotë Rashic për Express, i bindur se ky projektligj së shpejtoi do të miratohet.

“Shpresoj se diku nga muaji mars, edhe ky ligj do të miratohet. Prandaj, besoj se brenda gjashtë muajsh, jo vetëm nga Zvicra, por edhe nga shtetet e tjera, pensionistët kosovarë do t’i marrin pensionet”, thotë ministri Nenad Rashiq.

Ndërkohë, mediat zvicerane i kanë kushtuar shpesh vëmendje kësaj çështjeje.

Në një vështrim të radios zvicerane “Drs”, së cilës i referohet Albinfo.ch, është sqaruar në mënyrë kronologjike se si qëndron problemi në lidhje me këtë çështje.

Aty thuhet se shkas për ndërprerjen e njëanshme të marrëveshjes për sigurimet shoqërore, qe bërë pretendimi se detektivët socialë të dërguar nga Zvicra, ishin kërcënuar nga abuzuesit kosovarë të pensioneve.

Përveç kësaj, sipas Qeverisë së Zvicrës, ishte thënë se në Kosovë nuk funksionon sistemi social.

Por Gjykata Administrative Federale kishte gjykuar ndryshe. Sipas saj, kosovarët posedojnë dyshtetësinë (krahas shtetësisë kosovare u njihet edhe ajo serbe) dhe duke qenë se ndërmjet Zvicrës dhe Serbisë marrëveshja vazhdon të funksionojë, rrjedhimisht edhe kosovarët duhet të kenë të drejtë për pensionet.

Megjithëkëtë, Enti Federal për Sigurime Sociale nuk e ka pranuar këtë qëndrim dhe e dërgoi lëndën në Gjykatën Federale si instanca më e lartë e gjyqësisë së Zvicrës.

Por edhe atje mori përgjigje negative.

Pasi kjo gjykatë nuk kishte parë ndonjë arsye që të merret me çështjen, tash Gjykata Federale Administrative konsideron se vendimi i saj i marrë më herët është i plotfuqishëm dhe kërkon një vendim të ri të saj nga Zyra e përmendur Federale, që të zbatojë pa zvarritje vendimin e vitit të kaluar (të Gjykatës Federale Administrative).

Por, në Zyrën Federale për Sigurime Sociale mbajnë qëndrimin se fjala e fundit nuk është thënë akoma.

Kjo zyrë do të shqyrtojë të gjitha rastet e refuzuara, por edhe më tutje nuk do t’i paguajë pensionet në Kosovë.

Prandaj, një zëdhënës i kësaj zyre ka thënë për radion zvicerane se “do të luftojnë edhe një herë deri në Gjykatën Federale për qëndrimin e tyre”.

Kështu, gjendja pezull për personat e prekur nga ndërprerja e zbatimit të marrëveshjes po vazhdon.

Osman Osmani, ekspert i migracionit dhe sindikalist i UNIA-s, është shprehur i mllefosur lidhur me situatën e krijuar.

“Juridikisht gjendja është e qartë”, thotë ai dhe shton se është i bindur se mbrapa këtij konflikti fshihet diçka më shumë se vetëm interpretimi i ligjit.

Ai ka deklaruar se kjo rrëmujë bëhet më e qartë kur shikohet ecuria e negociatave për sigurimet sociale të Zvicrës me shtetet trashëgimtare të ish-Jugosllavisë.

Duke përdorur kërcënimin e ndërprerjes së marrëveshjeve në fjalë, Zvicra imponon marrëveshje më restriktive. Kështu, në marrëveshjen e arritur me Kroacinë, sipas tij, nuk përfshihen shtesat e fëmijëve.

Ndërkohë, Sindikata UNIA ka dalë me një komunikatë nëpërmjet së cilës kërkon që marrëveshja e vjetër për sigurimet shoqërore të kthehet në fuqi derisa të negociohet marrëveshja e re.

“Sindikata e UNIA-s pret nga Enti Federal për Sigurimet Shoqërore të heqë dorë nga kundërshtimi dhe në fund të pranojë që Marrëveshja mbi Sigurimet Shoqërore është e vlefshme dhe duhet të zbatohet për qytetarët e Republikës së Kosovës. Enti në fjalë duhet të udhëzojë institucionet përkatëse (Entet e AHV/IV) të veprojnë në përputhje me vendimet në fjalë”, thuhet në këtë komunikatë.

Sipas tyre, derisa nuk është negociuar një marrëveshje e re me Kosovën, marrëveshja e vjetër e trashëguar mbetet në fuqi.

“UNIA kërkon vendosmërisht nga Enti Federal për Sigurimet Shoqërore të fillojë pa stërzgjatje bisedimet për një Marrëveshje të re me Republikën e Kosovës”, thuhet në reagimin e UNIA-s, organizatës më të madhe sindikale në Zvicër.

E, vendimi i Gjykatës Administrative Federale?

Ruzhdi Ibrahimi, specialist i sigurimeve sociale në Zvicër, ka deklaruar se vendimi më i ri i Gjyqit Administrativ është vazhdimësi e atij të marrë në muajin mars. “Ky vendim vjen edhe si përgjigje ndaj një rasti të ri të një ankese të palës së dëmtuar kosovare, të proceduar në këtë gjykatë”, ka thënë ai për Albinfo.ch. Sipas tij, ai e përforcon edhe më tutje qëndrimin parimor të Gjykatës Administrative për drejtësinë e vendimit të marrë nga ajo. “Pastaj, duke marrë shkas nga mosmarrja në shqyrtim nga ana e Gjykatës Federale, (instancës më të lartë në Zvicër) të ankesës së Zyrës Federale të Sigurimeve Shoqërore, Gjykata Administrative e konsideron me të drejtë vendimin e vet si të plotfuqishëm”, ka deklaruar specialisti i sigurimeve sociale, Ruzhdi Ibrahimi.