Në provën e parë në skenë, Rona Nishliu mahnit me vokalin

Kengëtarja kosovare Rona Nishliu që pëefaqëson Shqipërinë në Eurovision, ka bërë me të vërtetë përshtypje me vokalin e saj në provën e parë në skenën e Azerbajxhanit. Ajo ka kryer provën e parë, ku gjatë performancës ka qëndruar statike në skenë e ndriçuar nga një dritë e kuqe.

Gjatë performancës janë shtuar dritat po në ngjyrë të kuqe. E gjithë kjo, sipas eurovision.tv bëhet për tu përqëndruar tek vokali dhe orkestrimi. Ekranet e mëdha të skenës janë mbajtur në ngjyrë të errët.

Siç shkruan web faqja zyrtare e Festivalit Europian, kënga e cila u interpretua krejtësisht në gjuhën shqipe ishte shumë bindëse dhe profesionale. Rona nuk kishte aspak nevojë për mbështetje vokale nga zëra të dytë.

Në këtë provë të parë bëhet një kontroll i zërit, ndërsa në provën e dytë do të mund të zbulojmë edhe veshjen me të cilën Rona Nishliu do të ngjitet në skenë në natën gjysëmfinale.