E-Diaspora
Një “aterrim” i suksesshëm në Bernë i “Fluturimit mbi teatrin e Kosovës”
Shfaqjen nga Prishtina të cilës i kanë dhënë publicitet edhe mediet e Bernës, e kanë vizituar një numër i mirë artdashësish dhe njerëzish të interesuar për realitetin kosovar
Trupa e një teatri “fiktiv” të Kosovës po e përgatiste dramën “Duke pritur Godonë”, kur i vjen porosia “nga lartë” që të ndërpriste atë për të përgatitur shfaqjen “kombëtare” që duhej të jepej enkas në ditën kur Kosova do të shpallte pavarësinë. Por problemi paraqitet te kërkesa për të inkorporuar në këtë shfaqje edhe fjalimin e kryeministrit, në një kohë kur fjalimi nuk ishte askund dhe kur as dita e shpalljes nuk dihej akoma…
Këtu fillojnë telashet dhe traumat e një regjisori konformist dhe të një trupe që shpesh di të rebelohet, duke ngritur kështu shkallën e konfliktit në komedinë “Fluturimi mbi Teatrin e Kosovës”, me autor Jeton Nezirajn dhe regjisore Blerta Nezirajn. Ky prodhim i Qendrës Multimedia të Prishtinës, pas një rruge të gjatë prezantimesh në qendra të ndryshme ballkanike dhe evropiane, është ngjitur edhe në skenën e teatrit “Schlachthaus” të Bernës, ku është mysafire me tri shfaqje. Albinfo.ch ishte në shfaqjen e parë, e cila është vizituar mjaft mirë nga publiku vendës dhe ai shqiptar.
Komedia “Fluturimi…” ka një histori interesante tensionesh. Premiera, e cila është shfaqur nga fundi i vitit 2012 është shoqëruar nga peripeci të ndryshme deri edhe kërkesa për t`u ndaluar. Por kanë qenë ndërhyrjet “subtile” të disa ambasadave të huaja që e kanë mundësuar megjithatë shfaqjen. Dhe, siç e thotë edhe autori i saj Jeton Neziraj në bisedë me albinfo.ch, doli se shfaqja gjithsesi ia ka vlejtur.
“Ka pasur një pritje jashtëzakonisht të mirë nga publiku, sa që mund të them se ata që e kanë kritikuar ose kanë kërkuar të ndalohej, në fakt as që e kishin parë shfaqjen. Ngjarjet që i shohim këtu nga distanca duken komike por në fakt para se të shfaqej ajo qe pritur me tensione dhe komplikime sa që ka ishte vënë në pikëpyetje edhe mbajtja e premierës. Më vonë “Fluturimi…” ka bërë një sërë vizitash në teatrot e rajonit dhe së fundi edhe të Evropës Perëndimore, ku është pritur tepër mirë”, thotë Neziraj.
Ndërsa lidhur me bashkëpunimin me teatrin “Schlachthaus” të Bernës ai thotë se pikënisja ka qenë në takimin me drejtoreshën e këtij teatri, Maike Lex. “Ajo e ka parë shfaqjen në Prishtinë dhe ka konstatuar se ia vlen që ajo t`i ofrohet publikut të Bernës, duke llogaritur këtu edhe në publikun e këtushëm shqiptar. Dhe më duhet të them se kjo që po shohim sonte këtu i ka konfirmuar këto pritje. Ne na gëzon shumë edhe prania e konsiderueshme e shikuesve shqiptarë sonte. Sa i përket bashkëpunimit me teatrin mikpritës, kjo shfaqje është pjesa e parë e një bashkëpunimi që do të zgjasë dhe do të rritet në vazhdim. Vitin tjetër planifikojmë të përgatisim edhe një shfaqje të përbashkët”.
I pyetur për pikënisjen e tekstit të tij dramatik, gjegjësisht mbështetjen në realitet autori thotë: “Në tekst e kam potencuar se `shfaqja është e bazuar në një ngjarje të vërtetë`. Nga zhvillimet e kohës sa kam qenë drejtor artistik në Teatrin Kombëtar të Kosovës janë inspiruar edhe shumë pjesë nga teksti im. Por shkas më konkret është ky: Filarmonia e Kosovës kishte përgatitur një koncert solemn për nder të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës ndërsa ngjarjet rreth përgatitjes janë pakashumë të ngjashme me ato që i keni parë në shfaqjen tonë. Ata në fakt po e realizonin koncertin pa pasur një ide të qartë se kur do të shpallej pavarësia… Kështu që ky është një projeksion satirik i atmosferës së asaj periudhe”, thotë Neziraj. Ai shton se në Kosovë ka pasur njerëz që e kanë kosnideruar si shfaqje “antikombëtare, subversive e cila e vë në pikëpyetje pavarësinë e Kosovës” etj.etj. Por shfaqja në fakt nuk e ka atë rol. Fakti se ajo pastaj është pritur mirë e tregon këtë. Në të vërtetë është e kundërta: duke reflektuar në mënyrë kritike për shoqërinë nuk pengohet por përkundrazi, ndihmohet zhvillimi i saj.
Vetë shfaqja është luajtur me një nivel mjaft të mirë të trupës teatrore prej shtatë aktorësh. Protagonistët, me situatat komike që shkonin shpesh deri në groteskë kanë arritur të vendosin kontaktin me publikun, jo vetëm shqiptar. Vënia në lojë e institucioneve shtetërore, të përfaqësuara nga “sekretari shtetëror i gjithëdijshëm” është bërë me shije dhe me masë. Ai, për shembull, thotë se ka përvojë e njohuri nga punët e teatrit pasi që si fëmijë ka luajtur rolin e drurit në shfaqjen e kësulkuqes. Mbi këtë meritë dhe mbi forcën që i jep pushteti, ai i jep vetes të drejtë të përzihet në shfaqje dhe të mbajë në tension gjithë trupën.
Loja zhvillohet në një skenografi mjaft funksionale që me rrjetet dhe me fushën e shahut bart edhe nënkuptime simbolike. Aktorët ecin mbi kutitë e shahut sipas kahut të lëvizjes që kanë figurat e caktuara të lojës së shahut, gjë që sugjeron në një mënyrë labirinthin e forcës që karakterizon aparatin shtetëror.
Shfaqjen, të cilës i kanë dhënë publicitet të konsiderueshëm edhe mediet e Bernës, e kanë vizituar një numër i mirë artdashësish dhe njerëzish të interesuar për realitetin kosovar. Sipas njërit ndër aktorët e komedisë, Bajrush Mjakut, vizita e publikut në Bernë ka qenë ndër më masivet në shfaqjet e deritashme të “Fluturimit mbi Teatrin e Kosovës”.
Në shfaqje luajnë: Bajrush Mjaku, Adrian Morina, Anisa Ismaili, Adrian Aziri, Ernest Malazogu. Dy instrumentistët në skenë: Susanna Tognella (violinë) dhe Gabriele Marangoni; Dramaturg: Ilir Gjocaj; Koreografia: Arthur Kuggeleyn; Muzika: Gabriele Marangoni; Skenografia dhe kostumografia: Susanne Maier-Staufen.
Teksti: Blerim Shabani
Fotot: Xhevdet Kallaba
Të tjera nga E-Diaspora
E-Diaspora
-
Diaspora
Doktorantët e Diasporës 2025, një vit i arritjeve shkencore Doktorantët e Diasporës po lënë gjurmë suksesi në universitetet më prestigjioze të botës me punime shkencore... -
Konsullata e Kosovës në Cyrih: Informohuni për mënyrën dhe procedurat e votimit -
Miratohet unanimisht Marrëveshja për Tregti të Lirë të Kosovës me EFTA -
Mustafa kritikon presidenten Osmanin për takimet me diasporën gjatë fushatës -
Slloveni
Ganimet Shala, asambleistja e parë shqiptare në Parlamentin e Lubjanës
Jeta në Zvicër
-
Diaspora
Doktorantët e Diasporës 2025, një vit i arritjeve shkencore Doktorantët e Diasporës po lënë gjurmë suksesi në universitetet më prestigjioze të botës me punime shkencore... -
A është ky stacioni policor më i bukur në botë? -
Swisscom do të heqë plotësisht teknologjinë 3G deri në fund të vitit 2025 -
Marketingu i influencerëve në Zvicër: Praktika jo të rregulluara dhe të dëmshme për të rinjtë, paralajmëron FRC -
Zgjedhjet komunale në Vernier konfirmohen nga Këshilli i Shtetit










