Muzikë

Një “Fundjavë Kulturore Shqiptare” me Stefan Çapalikun dhe me frymë Shkodre

Organizatorë të "Fundjavës Kulturore Shqiptare" në Bazel ishin Kuvendi i Shqiptarëve të Zvicrës, ABSM Basel dhe shoqata “Gjakova – Basel”

“Fundjava Kulturore Shqiptare”, një format i ri i prezantimit të kulturës sonë në diasporë, është mbajtur fundjavën që shkoi, të premten dhe të shtunën, në Bazel. Organizatorë të kësaj ngjarjeje me pretendime përmbledhëse të arritjeve kulturore të vitit në diasporën shqiptare të Zvicrës ishin Kuvendi i Shqiptarëve të Zvicrës, Këshillimorja “ABSM Basel” dhe shoqata “Gjakova – Basel”. Albinfo.ch ishte partnere mediale e aktivitetit.

Mbrëmjen e parë të “Fundjavës…” e ka hapur me një fjalë përshëndetjeje kryetari i Kuvendit të Shqiptarëve të Zvicrës, Orhan Spahiu. Pasi ka përmendur se ishte viti i tretë që po mbahej ky aktivitet – pas atij në Cyrih, në vitin 2021 dhe në Lozanë, 2022 Spahiu ka përmbledhur me pak fjalë synimet e këtij organizimi, që konsistojnë në ruajtjen, kultivimin dhe afirmimin e vlerave tona kulturore, në mërgim.

Pas tij, fjalën e ka marrë Besim Pajaziti, nënkryetar i Këshillimores ABSM të Bazelit. Ai ka prezantuar organizatën të cilën e përfaqësonte si dhe partneren tjetër në organizim, shoqatën Gjakova-Basel dhe ka përshëndetur në emrin e tyre.

Aktivitetin e ka moderuar në emër të KSHZ, anëtari i kryesisë, Gzim Hasanaj, i njohur edhe si politikan, në regjion dhe më gjerë, në Zvicër.

Mbrëmja e parë është hapur me promovimin e librit  “Albumi i thashethemeve”, të Stefan Çapalikut. Autori i njohur nga Shkodra ishte i pranishëm skenë dhe ka zhvilluar një prezantim mjaft interesant, jo vetëm të këtij libri por edhe të krijimtarisë së tij, në përgjithësi. Promovimi pastaj është zhvilluar në një bashkëbisedim spontan të autorit me publikun e interesuar për veprën e tij.

Çapaliku , duke folur për “Albumin e thashethemeve” ka thënë se qyteti i tij, Shkodra, prej nga ai merr frymëzimin për pothuajse të gjitha krijimet e tij letrare, është një “qytet i thashethemeve”. Krahas të gjitha epiteteve si qytet i kulturës, djep i civilizimit në Shqipëri etj., Shkodra dallohet edhe me thashethemet që e karakterizojnë, ka thënë ai. Por, nuk bëhet fjalë këtu për kuptimin negativ, të intrigave me pasoja, të kësaj fjale veçse për një stil komunikimi të lirshëm dhe të përshkuar nga humori, që veçon gjithmonë Shkodrën.

Më tutje, shkrimtari i njohur ka folur për pozitën e krijuesit, e në këtë kontekst, sidomos të shkrimtarit, në shoqërinë shqiptare. Artisti, sipas tij, në asnjë periudhë të historisë së Shqipërisë nuk ka pasur trajtim të mirë, kushte që do t`i mundësonin një krijimtari duke ruajtur dinjitetin dhe njëherësh, një jetë pa problemet bazike, shkruan albinfo.ch. Kështu, shkrimtarët në kohën e diktaturës, ose i janë servilosur partisë, diktaturës, për të pasur një jetë të privilegjuar ose, në rast se nuk e kanë bërë këtë, kanë përfunduar në burgje deri edhe në dënime me vdekje, siç ka mjaft raste, nga kjo periudhë jo e largët.

Shqiptarët ishin të izoluar jo vetëm fizikisht, me kufij shtetërorë, por edhe me ata kufijtë e padukshëm të dhunës ideologjike, përjashtuese ndaj çdo zhvillimi artistik jashtë vendit. Kështu, ka vazhduar Çapaliku, ne në Shqipëri ishim të painformuar për rrjedhat, trendët, arritjet letrare në botën e lirë. Aq të painformuar sa që librat, romanet e autorëve më të njohur botërorë të kësaj periudhe (45-90), që kishin bërë bujë dhe kishin trasuar shkolla të reja letrare, ne i njohëm vetëm pas kthesës së vitit 1990.

Këtu hyjnë autorë të tillë si Kamy, Markez, Jonesko dhe shumë të tjerë, që shënjonin skenën letrare perëndimore në këtë periudhë. Kishte në mesin e këtyre shkrimtarëve edhe ndonjë që nuk i prishte punë ideologjisë komuniste në Shqipëri, siç ishte Gabriel Garcia Markezi por as ai nuk lejohej. Kjo ndodhte, sipas Çapalikut, sepse partia nuk donte që shqiptarët të kishin një model të avancuar krijimi, i cili do të përqafohej prej tyre dhe kështu do të turbullonte moçalin krijues të realizmit socialist, që kontrollohej nga partia.

 

Stefan Çapaliku ka folur edhe për fazat e krijimtarisë së tij, që fillon me dy libra poezish dhe vazhdon me një numër të madh dramash dhe romanësh, ku ai është më prodhimtar viteve të fundit, shkruan albinfo.ch. Veprat e tij dramatike janë vënë në skenë nga shumë teatro shqiptarë dhe të jashtëm ndërsa romanet i janë përkthyer në më shumë se dhjetë gjuhë botërore, duke ngjallur interes në vendet përkatëse, si paraqitje interesante artistike.

“Treshja” muzikore shkodrane 

Pas promovimit të librit dhe bashkëbisedimit me autorin e tij, Stefan Çapalikun, programi ka vazhduar me “frymën shkodrane”. Këngëtarja shkodrane Gentjana Tafili, mjaft e njohur në komunitetin shqiptar të Zvicrës, ka gostitur publikun me një numër këngësh perla, të Shkodrës por dhe të gjithë Shqipërisë. Ajo shoqërohej nga instrumentistët virtuozë si Rafael Lishi me akordeon dhe Ahmet Ujkashi, me klarinet. Kjo treshe shkodrane na ka gjezdisur me tingujt e ëmbël nëpër oborret e Shkodrës, duke na e sjellë nga afër “Luleborën”, “Karajfilet që ka Shkodra” etj. por dhe këngë nga treva tjera shqiptare, që dëgjohen gjithmonë me kënaqësi, në mërgim.