Integrimi

“Nuk kërkohet të përcaktohesh nëse je shqiptar apo zviceran”

Si adoleshent, atij i ishte dashur të nderpriste praktikën profesionale, si pasojë e racizmit. Sot Përparim Avdili është kryetar i FDP (Partia Liberale) në qytetin e Cyrihut – dhe bën thirrje për natyralizim të lehtësuar të të huajve

Politikani i njohur shqiptar në Zvicër, Përparim Avdili, në një intervistë të gjatë për gazetën “Tages Anzeiger” rrëfen për vështirësitë me të cilat është përballur për shkak të prejardhjes së tij, për natyralizimin më të lehtë dhe karrierën e tij politike në Zvicër, shkruan albinfo.ch.

I pyetur nga gazetari nëse, duke qenë në FDP ka zgjedhur “partinë e gabuar”, Avdili thotë: Nëse kjo thuhet për faktin se jam me prejardhje të huaj, është e kundërta! Është pikërisht prejardhja ime ajo që ka kontribuar për të qenë në një parti liberale. Familja ime ka përjetuar çfarë do të thotë komunizëm në Jugosllavi, pra se si është kur individi duhet t’i nënshtrohet një shteti kolektiv dhe brutal. Kjo ka ndikuar në vlerat e mia, edhe pse unë isha i socializuar në Zvicër.

Ndërkaq vërejtjes se shumë njerëz me prejardhje të huaj zakonisht përcaktohen për PS-në ose të Gjelbrit, Avdili i përgjigjet duke thënë se origjina dhe rrjedhimisht kushtet politike në vendin e origjinës janë shpesh vendimtare. Njerëz që, për shembull, kanë jetuar në një vend të sunduar për një kohë të gjatë në mënyrë konservatore, si për shembull, ata në Turqi, janë ndoshta më të majtë kur jetojnë në Zvicër.

Në Ballkan, nga ana tjetër, sundonin socialistët dhe komunistët brutalë. Gjenerata e parë e emigrantëve nga Ballkani ishin punëtorë klasikë. Në Zvicër për ta u kujdesën sindikatat dhe kështu ata u lidhën me partitë e majta – edhe nëse ata nuk ishin fare të majtë, transmeton albinfo.ch. Megjithatë, shumë nga gjenerata e dytë tani kanë ambicie për të arritur diçka dhe për këtë arsye janë liberalë. Ne, zviceranët e Ballkanit nuk kemi arritur ende në fazën postmaterialiste.

Si kryetar i FDP-së së qytetit të Cyrihut, a po përpiqeni t’i drejtoheni në mënyrë specifike këtij segmenti votuesish?

Ndër të tjera, sigurisht është edhe kjo. Për zgjedhjet e qytetit të Cyrihut, ne kemi zhvilluar një fushatë në rrjetet sociale me njerëz ku të gjithë e thonë në gjuhën e tyre përkatëse – në greqisht, farsi, turqisht ose shqip këtë fjali: “Një ekonomi e fortë siguron prosperitet për të gjithë ne, pavarësisht në cilën gjuhë komunikojmë Prandaj jam me FDP-në”.

Ju vetë keni kandiduar për Parlamentin Kantonal në vitin 2015 me postera në gjuhën shqipe, për të cilat pati protestuar SVP-ja.

Nuk kam bërë thirrje që shqipja të bëhet gjuhë zyrtare. Fushata zgjedhore nënkupton përdorimin e të gjitha mjeteve të mundshme të komunikimit për të marrë një mesazh te votuesit. Dhe, pse jo me shqipen?

“Vetëm në adoleshencë kuptova se isha disi ndryshe në sytë e disave”

SVP në mënyrë implicite ju pati akuzuar se nuk jeni zviceran i vërtetë pasi komunikoni në shqip

Max Frisch kishte thënë: “Ne thirrëm fuqinë punëtore, por erdhën njerëzit”. Dhe këta njerëz morën me vete edhe gjuhën dhe kulturën e tyre – në rastin tim, gjuhën dhe kulturën shqiptare. Por unë kam dhënë mjaft prova gjatë dekadave të fundit se jam lojal ndaj qytetit tim.

Pra, a do të “pushtohet” FDP së shpejti nga njerëz me prejardhje migrimi?

Shpresoj. Në fakt, kemi rritje të brezit të tretë. Kjo është e mrekullueshme.

Ju keni ardhur në Zvicër si fëmijë i një familjeje shqiptare nga ajo që atëbotë quhej Jugosllavi dhe që sot është Maqedonia e Veriut. Si fëmijë, ndjeheshe si jugosllav, shqiptar apo zviceran?

Si fëmijë ndihesha si fëmijë. Të gjithë fëmijët e përjetojnë veten si të barabartë, pavarësisht nga emri apo pamja e tyre. Vetëm kur u bëra adoleshent e kuptova se isha disi ndryshe në sytë e disave. Më pyesnin vazhdimisht për origjinën time, megjithëse isha gjithmonë një qytetar krenar i Altstette-s (Cyrih) dhe e doja FC Zürich-un. Dallimi im i supozuar u bë problem vetëm kur fillova trajnimin profesional.

Çfarë përjetuat?

Fillova një praktikë si elektricist automjetesh, por u desh ta lija për shkak të racizmit. Në vazhdimësi jam reduktuar në origjinën time dhe jam fyer, madje edhe nga drejtuesit. Kur u ankova, kompania nuk e zgjidhi problemin, por më transferoi në një objekt tjetër prodhimi. Ishte e vështirë të ndërprisja kontratën time të praktikës në ditëlindjen time të 18-të, por thjesht nuk ishte e mundur më.

Si ju formësuan politikisht përvojat e tilla?

Mbi të gjitha, kjo më formoi si person. Shoqëria e ka për detyrë të pranojë më mirë të gjithë ata që rriten këtu. Për shembull, natyralizimi për këdo që rritet këtu duhet të thjeshtohet ndjeshëm. Dikush nënvlerëson se çfarë do të thotë për të rinjtë me prejardhje të huaj kur atyre u bëhet me dije që herët ndjesia: “Ti na përket neve!”

A duhet që brezi i dytë i të huajve të marrë automatikisht pasaportën?

Jo, por natyralizimi duhet thjeshtuar. Unë mbështes mocionin në të cilin këshilltarja e Gjelbër, Lisa Mazzone kërkon pikërisht këtë. Regjimi i sotëm i natyralizimit bën që shumë njerëz rriten këtu dhe ende ndiejnë një distancë të caktuar nga vendi ynë, sepse atyre u jepet vazhdimisht ndjenja: “Nuk të duam këtu”.

A ishte i vështirë natyralizimi juaj?

Jo, por nuk është këtu problemi. Merrni si shembull dy fëmijë që rriten së bashku në Zvicër. Ata përjetojnë gjithçka së bashku: shkollën, kohën e lirë, gjithçka. Por vjen një moment në jetën e tyre kur njëri nga këta dy persona duhet të bëjë më shumë se tjetri për të marrë një të drejtë që tjetri tashmë e ka. Kjo nuk është thjesht liberale. Liberalizëm do të thotë mundësi të barabarta.

A janë natyralizuar edhe prindërit tuaj?

Vetëm pas neve fëmijëve. Ka ndodhur kështu në mënyrë që ne të mos bënim kërkesë të përbashkët familjare për natyralizim. Prindërit e mi kishin frikë se ne të gjithë do të refuzoheshim për shkak të tyre. Jam natyralizuar kur isha 16 vjeç.

Natyralizimi më i lehtë është gjithashtu i diskutueshëm në FDP

Ne jemi duke punuar për këtë. Ideja se të gjithë këta njerëz do të kthehen është një iluzion. Kjo është arsyeja pse ne si shoqëri i bëjmë një nder vetes nëse krijojmë një marrëdhënie me këta njerëz që në fillim. Demokracia jonë e drejtpërdrejtë lulëzon me qytetarë aktivë dhe të barabartë. Bëhet fjalë për lidhje, për identitet, për përkatësi.

Në një dokument të ri të saj, partia juaj bën thirrje për një qasje më të ashpër ndaj politikës për të huajt – ndër të tjera, ajo dëshiron të vështirësojë bashkimin familjar.

Zvicra duhet të mbajë kontrollin se kush ka qasje në shtetin e saj të mirëqenies. Këtu duhet të ushtrohet edhe njëfarë fortësie që të mund të ruhet mirëqenia e banorëve.

Por familja juaj ka ardhur në Zvicër nëpërmjet bashkimit familjar. Dhe tani pengesat supozohet të rriten?

Babai im punonte si punëtor sezonal në Zvicër. Ky status sot nuk ekziston. Por edhe sot të huajt duhet të vijnë në Zvicër nëse ekonomia jonë ka nevojë për ta. Për qasjen e lehtësuar me kontingjentet e të huajve të vendeve të treta angazhohet politikisht FDP-ja. Për ata që kanë nevojë për mbrojtje, Zvicra gjithmonë duhet të ketë  hapësirë. Mbi të gjitha, duhet të kuptojmë se kush dhe pse emigron dhe të mundësojmë integrimin sa më të mirë në shoqëri dhe në jetën profesionale.

Çfarë do të thotë “të jesh në shtëpi” për ju?

“Në shtëpi” është një vend apo një mjedis ku ndihem rehat dhe i sigurt, ku jam i pranuar, ku kam rreth, ku mund të zhvillohem si individ. Për mua, ky vend është Cyrihu.

Dhe çfarë do të thotë “në shtëpi” për prindërit tuaj sot?

Babai im kishte ardhur në Zvicër sepse donte të punonte këtu dhe pastaj të kthehej. Por unë dhe tre vëllezërit e motrat e mi jemi “në shtëpi” në Zvicër. Kjo iu sqarua prindërve të mi kur ne ishim adoleshentë. Asnjë adoleshent nuk dëshiron të shpërngulet në një fshat që e njeh vetëm nga pushimet. Prindërve të mi iu desh të kalonin një proces të gjatë që të pranojnë se ata nuk do të kthehen kurrë prapa – edhe nëse ende ndjejnë një lidhje të fortë me Maqedoninë edhe sot e kësaj dite.

A duhet të reflektojnë të huajt nga gjenerata e dytë më shumë se çfarë do të thotë atdheu dhe identiteti i tyre?

Po, si fëmijë emigrantësh përballesh vazhdimisht me këto çështje. Përkatësia e atyre që kanë jetuar me 20 breza në Zvicër vihet më pak në dyshim. Por unë mendoj se njeriu duhet të jetë pa komplekse rreth këtyre çështjeve. Nuk ke pse të vendosësh nëse je shqiptar apo zviceran. Të gjithë ne jemi shumëçka dhe nuk jemi shumëçka tjetër.

Pra, është një klishe që njerëzit me prejardhje migrimi janë të “grisur” mes disa kulturave?

Për mua nuk ka grisje. Unë kam shumë identitete që plotësojnë njëri-tjetrin: futbolldashës, liberal dhe po, shqiptar, cyrihas, zviceran. Origjina e gjeneratës së dytë zakonisht problematizohet më shumë se sa është. E sheh emrin apo ndonjë “karakteristikë” tjetër dhe pyet menjëherë: Nga je?

A ju bezdis kjo pyetje?

Ajo më bezdis në brendi. Por e kuptoj se nga vjen pyetja, ndaj po përpiqem të përgjigjem në një mënyrë të mirë, në mënyrë që, me shpresë, që brezave të ardhshëm kjo pyetje t’u shtrohet më rrallë.