Lajme
“Oda e Grave Shqiptare”, një hap i ri për fuqizimin e grave shqiptare në Zvicër
ODGSH është një organizatë e pavarur, jopolitike dhe jofitimprurëse, e ndërtuar mbi besimin në fuqinë, potencialin dhe zërin e çdo gruaje
Në ambientet e Ambasadës së Republikës së Kosovës në Bernë, më 28 mars, u mbajt punëtoria e parë e Odës së Grave Shqiptare në Zvicër (ODGSH), një organizim që bashkoi gra të angazhuara rreth temave të integrimit, punës dhe zhvillimit profesional.
E themeluar në dhjetor 2025, ODGSH është një organizatë e pavarur, jopolitike dhe jofitimprurëse, e ndërtuar mbi besimin në fuqinë, potencialin dhe zërin e çdo gruaje. Vizioni i saj synon të promovojë pjesëmarrjen sociale, arsimore, profesionale dhe politike të grave shqiptare në Zvicër, duke forcuar rolin e tyre në familje, në shoqëri dhe në proceset vendimmarrëse, si dhe duke ruajtur identitetin kulturor.
Në Zvicër jetojnë shumë gra dhe burra shqiptarë të suksesshëm, profesionistë, sipërmarrës dhe ekspertë në fusha të ndryshme. Ky potencial përbën një pasuri të çmuar për komunitetin. ODGSH synon të ndërtojë ura lidhëse mes këtij potenciali dhe atyre që kanë nevojë për mbështetje, këshillim apo bashkëpunim profesional, duke zgjeruar rrjetin e bashkëpunimit me partnerë të ndryshëm.
Programi i aktivitetit përfshiu një panel diskutimi dhe një punëtori interaktive. Në panel morën pjesë Dhurata (Lurata) Reçi, Florije Rexhepi, Valbona Koca, Violeta Salihu dhe Mirela Mezani. Diskutimet u përqendruan në rrugëtimin personal, sfidat e integrimit, motivimin dhe balancën mes jetës familjare dhe angazhimit profesional.
Punëtoria krijoi një hapësirë të hapur ku pjesëmarrëset ndanë përvoja konkrete profesionale, shpesh të shoqëruara edhe me dimension emocional. Ky shkëmbim i drejtpërdrejtë dëshmoi rëndësinë e krijimit të hapësirave të tilla për mirëkuptim dhe mbështetje të ndërsjellë.
Kryetarja e Odës së Grave Shqiptare në Zvicër, Dhurata (Lurata) Reçi, e cilësoi këtë nismë si një proces që ndërtohet mbi besim dhe bashkëpunim të ndërsjellë: “Ne nuk kemi synuar të krijojmë një strukturë formale pa përmbajtje, por një hapësirë që u përgjigjet nevojave reale të grave në komunitet.
Ky takim e bëri të qartë se ekziston një potencial i madh, por edhe një nevojë e dukshme për lidhje, orientim dhe mbështetje të ndërsjellë.
Shumë gra kanë ndërtuar rrugën e tyre me përkushtim, shpesh në heshtje, ndërsa të tjera janë ende në kërkim të mundësive dhe drejtimit. Oda synon pikërisht të krijojë këtë urë, një hapësirë ku përvoja nuk mbetet individuale, por ndahet dhe kthehet në forcë kolektive. Ne besojmë se rrjetëzimi nuk është vetëm njohje, por përgjegjësi ndaj njëra-tjetrës. Kur krijohet besimi, lind edhe gatishmëria për të mbështetur, për të këshilluar dhe për të hapur rrugë. Kjo është ajo që duam të ndërtojmë: një komunitet ku gratë nuk ndihen të vetmuara në sfidat e tyre, por të mbështetura dhe të përfshira në një proces të përbashkët zhvillimi.
Përmes bashkëpunimit mund të ndërtohen modele të qëndrueshme që i shërbejnë jo vetëm grave, por gjithë komunitetit. Synimi ynë është që kjo nismë të mos mbetet në nivel diskutimi, por të përkthehet në mundësi konkrete, në projekte dhe në mbështetje reale për çdo grua që kërkon të ecë përpara.”
Zëvendësambasadorja e Republikës së Kosovës në Bernë, Shukrije Ramadani, theksoi rëndësinë e përfshirjes së brezave të rinj në jetën e komunitetit dhe vazhdimësinë ndërmjet gjeneratave: “Për mua është thelbësore të shoh gjeneratat e reja aktive dhe të angazhuara. Brezat e mëparshëm kanë hapur rrugën me shumë sakrifica dhe sfida, prandaj është e rëndësishme që kjo trashëgimi të vazhdohet. Nëse të rinjtë nuk janë të pranishëm dhe nuk marrin rol në përfaqësim, atëherë përpjekjet e deritanishme do të humbnin kuptimin e tyre. Më gëzon veçanërisht prania e vajzave dhe nënave të reja, dhe shpresoj që ky angazhim të rritet edhe më tej në të ardhmen”.
Punëtoritë u udhëhoqën nga Flora Rexhepi dhe Kadire Idrizi, të cilat orientuan diskutimin dhe krijuan një hapësirë të strukturuar për shkëmbim dhe reflektim të përbashkët.
Ky takim shënon një fillim të përbashkët, i cili synon të vazhdojë me hapa të qëndrueshëm në ndërtimin e një rrjeti funksional dhe mbështetës për gratë shqiptare në Zvicër. Takimi u përmbyll me një apero me ushqime tradicionale shqiptare.
Eventet e ardhshme janë paraparë të mbahen më 14 qershor 2026 në Spreitenbach dhe më 22 nëntor 2026 në St. Gallen, në kuadër të konferencës vjetore.
E-Diaspora
-
Talenti shqiptar që po pushton taekwondon zvicerane: Ajan Krasniqi shkëlqen me fitore dhe rekorde Një i ri me prejardhje nga Kosova po bën bujë në Zvicër. Ajan Krasniqi, i lindur... -
Presidentja Osmani i ndan mirënjohje gazetarit veteran, Rexhep Rifati -
Shasime Osmani zgjidhet deputete në Parlamentin e Kantonit të Bernës -
Cyrih: U prezantua projekti “The Guestkeepers” për turizmin kulturor në Kosovë -
Lidhja e Mjekëve Shqiptarë në Zvicër zgjedh kryetarin e ri dhe mbyll me sukses simpoziumin shkencor
Jeta në Zvicër
-
Eutanazia e asistuar do të jetë e mundur në spitalet e Lucernit Banorët me sëmundje terminale në kantonin zviceran Lucern nuk do të jenë më të detyruar të... -
Liqeni i Gjenevës më i pastër, por edhe më i ngrohtë -
Eutanazia do të bëhet e mundur në spitalet e Lucernës -
Masat kundër gripit të shpendëve hiqen nga 1 prilli -
Një çerek ton bakllava e padeklaruar u gjet në kufirin zviceran

















