Kultura
Përmes komedisë deri tek katarsisi
Në kuadër të festivalit Secondo Theaterfestival që po mbahet në Miller’s Theater në Cyrih u dha shfaqja “Freud herscht” (Frojdi mbizotëron) nga kompania teatrore “Eidgenosssisches Improvisationstheater”
Gërshetim stilesh e zhanresh
Që në fillim, në flajer e në pllakatin e shfaqjes, trupa teatrore ua kishte bërë me dije spektatorëve që do të shohin një shfaqje të improvizuar. Dhe shfaqja filloi me paraqitjen e nje burri në moshë që doli në skenë dhe shkoi e u ulë pranë pianos e cila ndodhej në skenë së bashku me dy karrige që ishin zinin mesin e skenës dhe dy kolltuqe në skajin e djathtë të skenës. Pas disa takteve muzikore në skenë u shfaq një burr tjetër që u prezantua si psikanalist, Dr. Treptow. Shfaqja nisi si një Stand Up Comedy ku doktori e mori që në fillim audiencën me vete me humorin e tij. Më pas doktori shkoi dhe u ulë në kolltukun e tij në “studion” e tij ku do të takonte pacientët e tij.
Publiku bashkëkrijues dhe bashkëpacient
Në skenë filluan të dalin dhe aktorët tjerë. Por ata shfaqeshin pa një identitet të caktuar dhe qëndronin në skenë e prisnin derisa spektatorët të pyetur nga doktori ua krijonin personalitetin në bazë të të cilit mandej ata do të vepronin deri në fund të shfaqjes. Publiku merrte rolin e bashkëkrijuesit të shfaqjes dhe derisa kjo ndodhte nuk mund të mos na binte ndërmend drama e mirënjohur e Luigi Pirandelos “Gjashtë persona kërkojnë autorin”. Por për dallim nga drama e Pirandellos ku personazhet kërkojnë të kenë identitet dhe nuk pajtohen me fatin që ua ka përcaktuar autori dhe ku çdo gjë është menduar mirë, këtu janë aktorët ata që kërkojnë personazhet dhe improvizohet e krijohen situata të atypëratyshme. Një qasje e tillë është shumë e rrezikshme sepse kurrë nuk i dihet se si do t’i dilet në krye. Një shfaqje e tillë, nëse do të mund të përdornim terminologjinë muzikore, do të mund të përkufizohej si Jazz Theater (Xhazz Teater) ku interpretuesit (në këtë rast aktorët) janë të shkëlqyer në punën e tyre dhe edhe pa ndihmën e “partiturave” apo kujtesës, ata krijojnë aty për aty. Sigurisht se për një realizim të tillë duhet punuar shumë për të arritur sigurinë që para publikut të dilet pa e pasur frikën se “ do të dështohet publikisht” siç thotë Adam Driver.
Qasja e tillë është shumë e veçantë dhe origjinale pasi që publiku e ndjen se është pjesë e shfaqjes por jo vetëm pjesë pasive (siç kërkon Grotovski) por edhe bashkëkrijues dhe me knaqësi e me kureshtje i ndjek personazhet e “tij”.
V efekti
Katër aktorët që paraqiteshin në shfaqje, për rreth dy orë, treguan mjeshtri të madhe duke u shndërruar në personazhe të ndryshme, duke interpretuar në zhanre e sisteme të ndryshme. Ata me lehtësi kalonin nga vajza tinejxhere tek plaka, nga burri i fortë tek gjyshja… E, edhe pse në skenë shfaqeshin vetëm katër aktorë ata sollën një numër të madh personazhesh të cilët i interpretonin në mënyrë brilante. Por përveç personazheve, ata gjatë shfaqjes ndërronin edhe stilin e lojës ku herë luanin sipas “Sistemit” të Stanislavskit e herë sipas “Teatrit epik” të Brehtit. Në skenat ku rrëfeheshin para psikanalistit ata ishin “të vërtetë”, ishin stanislavskian kurse kur luanin në skenat retrospektive ishin brehtian, që do të thotë se veprimet e tyre ishin të ekzagjeruara deri në ekstrem por që ishin veprime të ekzekutuara shumë mirë ashtu siç “Teatri epik” e kërkon. Sigurisht se në shfaqje të tilla nuk mungon V-efekti (Verfremdungseffekt) të cilin aktorët e përdorën qëllimshëm e edhe paqëllimshëm, por në një shfaqje ku improvizohet V- efekti është i natyrshëm dhe i mirëseardhur pasi që është situatë në vete dhe shërben edhe si pauzë për aktorët por edhe për audiencën që në moment kujtohet se është në teatër.
Pauza si gjetje artistike
Një element tjetër i veçantë që la përshtypje ishte se regjisorja dhe aktorët e kishin menduar mirë dhe gjetur bukur momentin që t’i jepnin publikut dhe vetës një pauzë. Aktori që rrëfehej para Dr. Treptow kërkoi prej tij që t’i jepej një pauzë pasi që ndihej i lodhur e i tensionuar. Dhe doktori i jep pacientit të tij pauzën prej 15 minutash por ai u jep pauzë edhe “pacientëve” që ishin në sallë e që ishin lodhur duke qeshur.
Për fund
Shfaqja në shikim të parë dukej se ishte vetëm për atë që Brehti e quan “qëllimin kryesor të teatrit”, argëtimin. Por kur shfaqja mbaron, ajo të le një përshtypje se pacientët që ne pamë në skenë, të cilët i bashkëkrijuam, janë pjesë e jona apo ndoshta janë komplet ne. Shfaqja nuk ka një përfundim me një mesazh didaktik por ajo na bën të mendojmë se ne të gjithë jemi ngapak të çmendur (ose edhe shumë të çmendur). Shfaqja është një pasqyrë e madhe ku ne shohim veten ashtu siç nuk e kemi parë ndonjëherë.
Në “Poetikën” e tij, Aristoteli flet se si njerëzit shkojnë në teatër dhe shikojnë tragjeditë dhe gjatë shfaqjes ata përjetojnë frikë e mëshirë për personazhet, që do të thotë e përjetojnë Katharsisin, apo atë që nëse përkthehet, ka kuptimin e spastrimit nga ndjenjat e këqija. Aristoteli thotë se Katharsisi përjetohet derisa shikohet drama tragjike, por ata që kanë parë komedinë “Freud herscht” (Frojdi mbizotëron) të kompanisë teatrore “Eidgenosssisches Improvisationstheater”, e kanë përjetuar Katharsisin përmes të qeshurave që shkonin deri në ilaritet.
E-Diaspora
-
Kurti në Cyrih: Mërgata nuk është rezervë emocionale, por forcë zhvillimi dhe shtyllë e shtetit Kurti sonte në Cyrih: “Nga ndjenja kombëtare te vetëdija shtetërore – diaspora si partner i Kosovës”... -
Gjykata Federale mbështet dënimin e shtetasit kosovar për tentativë vrasjeje -
Elina Duni, Ambasadorja e Xhazit Modern: Fituesja e Swiss Jazz Award 2025 -
Dega e LDK-së në Austri kandidon Besart Berishën për deputet të Parlamentit të Kosovës -
Suzanna Shkreli kandidon për Sekretare Shteti në Michigan
Jeta në Zvicër
-
Aeroporti i Cyrihut do të heqë kufizimet për lëngjet në vitin 2026 Falë skanerëve të rinj CT që po instalohen në aeroportin e Cyrihut, shishet e ujit dhe... -
A keni nevojë për një certifikatë mjekësore në ditën tuaj të parë të pushimit në Zvicër? -
Ministri Pfister: “30 avionë nuk janë të mjaftueshëm në planin afatgjatë” -
Gjykata Federale mbështet dënimin e shtetasit kosovar për tentativë vrasjeje -
Përleshje në mes të shqiptarëve në Romanshorn, shtatë të plagosur












