Lajme
Qeveria austriake pezullon rritjen e ndihmave familjare për dy vitet e ardhshme
Qeveria austriake ka njoftuar masa të reja shtrënguese në kuadër të konsolidimit buxhetor, të cilat do të ndikojnë drejtpërdrejt në përfitimet sociale për familjet. Ministrja e Familjes, Claudia Plakolm (ÖVP), konfirmoi të mërkurën se ndihmat familjare dhe përfitimet nga leja prindërore nuk do të rivlerësohen për dy vitet e ardhshme, ashtu si edhe kredia tatimore për fëmijët, shkruan ORF, transmeton albinfo.ch.
Kancelari Christian Stocker (ÖVP), duke mbrojtur masat e reja, theksoi se “askush nuk do të marrë më pak, por rritja do të pezullohet përkohësisht”. Ai nënvizoi se rregullimet vjetore të këtyre përfitimeve nuk kanë ekzistuar gjithmonë dhe se Austria vazhdon të mbetet ndër vendet me mbështetjen më të lartë për familjet në Evropë.
Aktualisht, ndihma familjare llogaritet në mënyrë të shkallëzuar sipas moshës së fëmijës, duke filluar nga 138.4 euro në muaj për fëmijët nën dy vjeç dhe deri në 200.4 euro për ata mbi 19 vjeç. Sipas Ministrisë së Familjes, pezullimi i rivlerësimit do të thotë një reduktim mesatar prej 4.20 eurosh në muaj për familje, çka pritet të sjellë kursime mbi 100 milionë euro në vitin 2026 dhe më shumë se 200 milionë në 2027, transmeton albinfo.ch.
Përfitimet për kujdesin ndaj fëmijëve do të kursehen me 30 milionë euro vitin e ardhshëm dhe 55 milionë në vitin 2027. Ministria synon gjithashtu të reduktojë shpenzimet administrative dhe ato për projekte të financuara deri në 10 përqind.
Masat janë pritur me kritika të forta nga opozita dhe organizatat sociale. Caritas Austria paralajmëroi për pasojat e këtyre shkurtimeve tek familjet që jetojnë në kufi të varfërisë. “Nëse bëhen shkurtime, ato duhet të jenë të drejta socialisht”, tha sekretarja e përgjithshme Anna Parr.
Zëdhënësja për çështje sociale e FPÖ-së, Dagmar Belakowitsch, e cilësoi të papranueshme që familjet austriake të humbin përfitime, ndërsa përfitimet shpërndahen edhe për të huajt që nuk kanë kontribuar në sistem. Kritikë të fortë shprehën edhe përfaqësues të Partisë së Gjelbër, të cilët e cilësuan pezullimin e rivlerësimit si një ulje të fshehtë të përfitimeve për fëmijët dhe familjet, transmeton albinfo.ch.
Ndërkohë, ndryshime janë paralajmëruar edhe për ndihmat që u jepen personave të zhvendosur nga Ukraina, të cilët, sipas Plakolm, duhet të kontribuojnë më shumë në tregun e punës pas nëntorit, kur skadon marrëveshja aktuale.
Zëvendëskancelari Andreas Babler (SPÖ) nuk komentoi masat konkrete, por theksoi mbështetjen e tij për një qasje të përbashkët në konsolidimin e buxhetit. Marrëveshja e rritjes së pagave në sektorin civil për vitin 2026, që parashikon një rregullim 0.3% mbi inflacionin, për momentin mbetet në fuqi, transmeton albinfo.ch.
E-Diaspora
-
Çfarë masash paralajmëroi Kurti për mërgatën këtë mandat? Kryeministri Albin Kurti, gjatë prezantimit të programit të tij qeverisës për mandatin e tretë në Kuvend,... -
Samiti IV-të i Diasporës Shqiptare në Tiranë, 14–15 prill 2026 -
Nis në Itali gjyqi për vdekjen e kosovares 24-vjeçare -
Bashkatdhetarë nga diaspora mblidhen para Speciales për të ndjekur deklaratën përmbyllëse të mbrojtjes së Thaçit -
Austri
Ansambli “Hasan Prishtina” sjell festën e Pavarësisë së Kosovës në Austri
Jeta në Zvicër
-
Shumica e zviceranëve mbështet ndalimin e telefonave në shkolla Një studim i ri tregon se tetë nga dhjetë zviceranë mbështesin ndalimin e telefonave celularë në... -
Këshilli Federal kërkon legjislacion urgjent për viktimat e tragjedisë në Crans-Montana -
Zvicër: Masa të reja për të rinjtë që marrin pension të paaftësisë -
Këshilli Federal prezanton masën më të fundit për mbrojtjen e pagave në raport me BE-në -
Zvicër: Ne ende i duam paratë, por nuk po i përdorim














