Qeveria, kundër sigurimit shëndetësor të unifikuar

Në arsyetimin e tij, Këshilli Federal shkruan se sistemi shëndetësor i Zvicrës bazohet në parimin e konkurrencës së kontrolluar

Qeveria e Zvicrës ka hedhur poshtë iniciativën popullore “Për një sigurim shëndetësor publik”, duke u pozicionuar kështu kundër fondit unik të sigurimit shëndetësor. Por, me këtë rast qeveria (Këshilli Federal) u ka ofruar votuesve si alternativë një kundërpropozim indirekt.

Sipas kësaj alternative, sigurimi bazë do të ndahej në mënyrë më strikte nga sigurimi plotësues. Në arsyetimin e tij për refuzimin e iniciativës, Këshilli Federal shkruan se sistemi shëndetësor i Zvicrës bazohet në parimin e konkurrencës së kontrolluar. Prandaj, duke dashur të mbrojë ekzistimin e këtij sistemi, qeveria e hedh poshtë idenë e sigurimit shëndetësor unik.

Ka qenë i menjëhershëm reagimi i bartësve të iniciativës dhe partive e subjekteve tjera lidhur me kundërpropozimin e bërë nga qeveria. Komiteti i iniciativës për sigurim shëndetësor unik shkruan se “është mirë që qeveria e ka njohur nevojën për veprim në fushë të sigurimit shëndetësor. Por kundërpropozimi i saj mbetet në gjysmë të rrugës”.

Nga ana tjetër partia CVP-PDC shprehet kundër çfarëdo shtetëzimi të shëndetësisë dhe kundërshton si iniciativën ashtu dhe kundërpropozimin. BDPshprehet kundër një sigurimi të unifikuar shëndetësor në sigurimin bazë. Ndërkaq FDP-PLR e konsideron kundërpropozimin e qeverisë si masë të gabuar.