Bizneset

Rafuna.ch ndër autoshkollat e para shqiptare në Zvicër për motorë dhe vetura

Intervistë me Naim Rafunën, instruktorin që ka aftësuar me qindra shqiptarë për ngarje të veturave dhe motorëve

Autoshkolla e parë e një shqiptari në St. Gallen, është ajo e Naim Rafunës. Autoshkolla mban emrin „Rafuna.ch“ dhe ajo ka vite që aftëson shoferët e rinj për patentë shoferi të veturave dhe motoçikletave për rrugët e Zvicrës e më gjerë. Albinfo.ch ka zhvilluar një intervistë me instruktorin që ka aftësuar me qindra shqiptarë për ngarje të veturave dhe motorëve.

Si ju ka lindur ideja për të hapur një autoshkollë?

Duke qenë si shumë shqiptarë të tjerë, merakli pas kerreve e motorëve, më ka lindur ideja për të hapur autshkollën. Prej moshës 14 vjeçare kam pasur shumë pasion përmotorët, kam pasur motoçikleta të vogla, pastaj edhe vetura. Kështu ka vazhduar ky pasion dhe është kthyer në profesion, aq më tepër që e dija se s’ka një instruktor shqiptar dhe besoja thellë se do të kem shanse të mira të kem sukses në këtë punë, prandaj dhe iu futa këtij profesioni.

A është vështirë të punosh në Zvicër si instruktor?

Unë jam pronar i autshkollës „Rafuna“ dhe siç dihet, kur punon për vete gjithmonë është pak më vështirë, sepse kërkohet shumë angazhim për të gjetur dhe mbajtur kontaktin me nxënësit. Unë kam pasur shumë sukses që nga fillimi dhe isha me fat se kam filluar me kategorinë B dhe me motor A njëkohësisht. Konkurrenca është shumë e madhe, edhe këtu në St. Gallen, por nëse tregon cilësi, suksesi nuk mungon.

Cilat janë problemet me të cilat ballafaqohen instruktorët?

Problemi më i madh është nëse vijnë nxënësit me mendimin apo idenë që ta kryejnë mësimin sa më shpejt e ta marrin lejen, dhe ky është një problem i madh. Me këtë ide nuk vijnë dhe aq nxënësit, por janë prindërit ata që ju thojnë që sa më shpejt të shkojnë të marrin patentin, “se ti din me vozit”. Mirëpo megjithatë këtu ka shumë rregulla që duhet zbatuar dhe kur një nxënës e merr lejen e qarkullimit këtu, mund të ngasë veturën pa problem në çdo vend të Evropës.

Sa është numri i nxënësve që kanë mësuar ngarjen e veturës përmes autoshkollës “Rafuna”?

Numri është shumë i lartë, sepse nuk i aftësoj vetëm ata për makinë, por edhe ata që kërkojnë mësimin e ngarjes së motorit dhe nxënësit që mësojnë ndihmën e parë, kështu që kam shumë punë. Çdo vit, vetëm për veturë tek unë kalojnë prej 120 deri 150 nxënës që i paraqes në poligon tek ekspertët. Mandej kam shumë motoristë dhe për ndihmën e parë dhe shikuar të gjithë bashkë dalin më shumë se 400 nxënës.

A është vështirë të mësohet ngarja e motorit? 

Mësimi i motorit nëse nuk e ke pak si pasion, nuk është i lehtë. Por me kohë e bën përvojën dhe e ndjen veten të sigurt. Shto këtu që secili aplikant detyrohet të mbajë orët e obligueshme brenda 4 muajve të parë. Ky shkollim i obligueshëm është 8 orë për kategorinë A1 deri në 125 kubikë dhe 12 orë për kategorinë A, mbi 125 kubikë. Ky kurs është shumë i rëndësishëm sepse të mëson gjëra që ndoshta privatisht nuk arrin t’i mësosh.

Sa është i lartë numri i shqiptarëve që interesohen për patentë shoferi? 

Në fillim kam pasur më pak deri sa kanë fituar besimin dhe e kanë parë mënyrën e punës sime. Momentalisht i kam gjysmën e nxënësve shqiptarë dhe gjysmën tjetër të nacionaliteteve tjera.

Ke më shumë të interesuar për vetura apo për motorë?

Për vetura duhet të mbajnë orë dhe duhet të japin provimin praktik, kurse për motorë, pas mbarimit të kursit, mund të paraqiten kur të duan për provimin praktik. Viteve të fundit është rritur interesimi për motor duke qenë se nga mosha 16 vjeçare kanë të drejtë të ngasin motor të tipit skuter, prandaj ka më shumë të interesuar. Mandej ka edhe shumë shqiptarë që vijnë sepse standardi jetësor është rritur dhe secili që punon mund të blejë makinë dhe motor

Sa orë mësimi nevojiten mesatarisht për të marrë patentin për veturë dhe sa për motor?

Për motor 8 ose 12 orë dhe pas kësaj, duhet secili vetë të vendosë a dëshiron edhe të tjera shtesë apo të mësojë ngarjen vetë. Për vetura është pak më ndryshe, ka ngarës që drejtojnë veturat shumë mirë dhe e mbarojnë edhe me 20 orë, por ka edhe nxënës që nuk qëndrojnë edhe aq mire dhe mund të shkojnë deri në 60 e 70 orë, mirëpo mesatarisht nxënësi që kalon deri në 30 orë, konsiderohet i përgatitur mirë.

Box: Instruktori i parë shqiptar i motorëve

Rafuna.ch ka filluar në vitin 2012 me punë si instruktori i parë shqiptar për vetura dhe motoçikleta në St. Gallen. Naim Rafuna vjen nga komuna e Kamenicës. Jeton dhe punon në Zvicër prej vitit 1991. Shkollën për instruktor të veturave dhe motorëve e ka mbaruar në Wohlen. Kurse për instruktor të ndihmës së parë në Cyrih.