Kosova
Rame Lahaj dhe Fondacioni Rame Lahaj, zëri botëror në shërbim të një misioni kombëtar
Lahaj flet për rrugëtimin e tij drejt skenave më prestigjioze ndërkombëtare, për Fondacionin Rame Lahaj si mision afatgjatë në shërbim të artit dhe brezave të rinj shqiptarë etj.
Me rastin e tetëmbëdhjetëvjetorit të Pavarësisë së Kosovës, kjo intervistë ekskluzive sjell një rrëfim të thelluar me tenorin mirënjohur Rame Lahaj, një nga figurat më përfaqësuese të artit shqiptar në skenat botërore të operës. Në një bisedë që tejkalon biografinë personale dhe hyn në dimensionin e përgjegjësisë kulturore, Lahaj flet për rrugëtimin e tij nga një realitet i shënuar nga lufta dhe mungesa, drejt skenave më prestigjioze ndërkombëtare, për identitetin si bosht krijues, si dhe për Fondacionin Rame Lahaj si mision afatgjatë në shërbim të artit dhe brezave të rinj shqiptarë.
albinfo.ch Si e përkufizoni rrugëtimin tuaj artistik nga një kontekst shoqëror i shënuar nga lufta dhe mungesa drejt institucioneve më elitare të operës botërore?
Rame Lahaj: Rrugëtimi im artistik është i pandashëm nga konteksti në të cilin jam rritur, edukuar dhe formuar. Duke u rritur në një provincë të vogël, në fund të viteve ’90, me mundësi minimale jetese, mungesa ka qenë forca dhe motori kryesor i gjithë asaj që ka ndodhur më pas. Në atë kohë, shumë gjëra dukeshin pothuajse të pamundura jo vetëm për t’u realizuar, por edhe për t’u ëndërruar. Pikërisht ky kontrast mes pamundësisë dhe dëshirës së madhe për të eksploruar jetën, profesionin dhe vetveten kam ndërtuar themelet e personalitetit tim artistik. Rrugëtimi im nuk ka qenë linear; ka qenë një proces i gjatë ballafaqimesh, sakrifice dhe vetëdisipline, që gradualisht më ka çuar drejt institucioneve më elitare të operës botërore.
albinfo.ch Në çfarë mase identiteti juaj kulturor shqiptar ka ndikuar në formësimin e estetikës suaj së interpretimit dhe në përqafimin ndërkombëtar të artit tuaj?
Rame Lahaj: Identiteti im kulturor shqiptar nuk ka qenë kurrë një element i shtuar artificialisht mbi artin tim. Jam rritur me këngën popullore, folkloristike, patriotike dhe të dashurisë, forma të sinqerta shprehjeje që nuk vinin nga shkolla të mëdha evropiane, por nga përvoja e jetuar. Ky autenticitet ka ndikuar thellë në estetikën time të interpretimit. Kur jam përballur me repertorin elitar operistik, ky bagazh kulturor ka funksionuar si një pasuri e brendshme, duke i dhënë interpretimit tim një sinqeritet dhe një ngjyrim emocional që publiku ndërkombëtar e percepton si origjinalitet.
albinfo.ch: A ekziston një moment paradigmatik në karrierën tuaj kur afirmimi personal u shndërrua në përfaqësim kulturor kolektiv?
Rame Lahaj: Nuk do ta veçoja një moment të vetëm. Që nga fillimi, paralelisht kanë bashkëjetuar dy kolona, zhvillimi im personal dhe përfaqësimi i identitetit kombëtar. Kudo që kam performuar rëndësia nuk ka qenë vetëm cilësia artistike, por edhe mënyra se si përfaqësohej kultura shqiptare. Kjo nuk ka qenë një strategji e menduar, por një gjendje e mishëruar thellë brenda meje.
albinfo.ch Si ruani autonominë artistike dhe integritetin estetik në një sistem global ku standardet institucionale dhe konkurrenca janë përcaktuese?
Rame Lahaj: Besoj fuqishëm se çdo artist është unik vetëm atëherë kur e jep origjinalitetin e vet pa kompromis. Në një sistem global ku rreziku i uniformizimit është i madh, ruajtja e autonomisë artistike kërkon vetëdije dhe guxim. Nuk e kam ndjerë kurrë të nevojshme të adaptohem në mënyrë të sforcuar ndaj trendeve apo rregullave të jashtme. Rrugëtimi im jetësor, pasuria ime shpirtërore dhe disiplinimi profesional kanë krijuar standardin tim dhe më kanë lejuar të ruaj integritetin estetik edhe në mjedise shumë konkurruese.
albinfo.ch Kush është Rame Lahaj jashtë skenës, në jetën e përditshme?
Rame Lahaj: Jashtë skenës jam një njeri i thjeshtë dhe reflektiv, pa nevojën për të ndërtuar një fasadë publike. Respekti për punën, për njerëzit dhe për disiplinën është pjesë e edukatës sime. Nuk kam vepruar kurrë për të krijuar një imunitet artificial apo për të dëshmuar veten përmes pozitës, gjithçka që kam ndërtuar ka ardhur nga dashuria për zhvillimin dhe përfaqësimin dinjitoz të vendit tim.
albinfo.ch Kur shihni pas në rrugëtimin tuaj jetësor dhe artistik, cilat kanë qenë momentet që ju kanë formuar më thellë?
Rame Lahaj: Formësimi im nuk lidhet me një kulm të vetëm, por me një vazhdimësi përvojash. Fëmijëria në fund të viteve ’90, trauma e luftës, përballja me realitete të vështira sociale dhe më pas sfidat profesionale në ambiente ndërkombëtare janë gërshetuar natyrshëm. Pikërisht këto periudha të vështira kanë ndërtuar një personalitet që sot jeton në paqe me veten dhe e sheh jetën si një proces të pandërprerë zhvillimi.

albinfo.ch Si e interpretoni sot situatën e vitit 2019 me koncertin e planifikuar në Shkup?
Rame Lahaj: Sot e shoh atë situatë me qartësi profesionale. Nuk ishte një bojkot institucional, por pasojë e joprofesionalizmit të disa individëve që tentuan të destabilizonin një nismë kulturore. Në një kontekst shoqëror të ndjeshëm, reagimi im ishte i bazuar në parim, zero tolerancë ndaj mungesës së disiplinës profesionale. Koncerti u realizua, edhe pse në një format tjetër, duke dëshmuar se arti nuk duhet të ndalet nga energji destruktive.
albinfo.ch Si e lexoni marrëdhënien mes artit tuaj dhe mërgatës shqiptare, veçanërisht në Zvicër?
Rame Lahaj: Mërgata shqiptare është një nga audiencat më të sinqerta dhe më të ndjeshme. Për dekada, ajo ka qenë e ekspozuar ndaj formave të muzikës që nuk kanë qenë gjithmonë autentike. Përmes koncerteve dhe festivaleve, kam synuar të krijoj një dialog mes muzikës klasike urbane dhe këngës shqipe. Mërgata është e hapur për të eksploruar, për sa kohë ndien respekt dhe sinqeritet në atë që i ofrohet.
albinfo.ch A mendoni se në të ardhmen do të angazhoheni institucionalisht për mbështetjen e talenteve të reja shqiptare?
Rame Lahaj: Ky angazhim tashmë po realizohet përmes Fondacionit Rame Lahaj, i cili mbështet talentet e reja dhe krijon ura mes artistëve vendorë dhe atyre ndërkombëtarë. Fondacioni përveç që paraqet një projekt kulturor, gjithashtu është një mision afatgjatë për të ndërtuar një infrastrukturë më të qëndrueshme artistike dhe për të mbushur një boshllëk institucional që ende ekziston në realitetin tonë kulturor.
albinfo.ch Në përmbyllje, kush është sot Rame Lahaj dhe cili është mesazhi për brezat e rinj shqiptarë?
Rame Lahaj: Jetojmë në një kohë të mbingarkuar me zhurmë digjitale dhe frustrim, që shpesh na çon drejt heqjes dorë nga edukimi dhe sakrifica. Besoj se njeriu e gjen vetveten vetëm përmes punës, studimit dhe analizës së vazhdueshme të vetes. Ky është mesazhi im për brezat e rinj shqiptarë, brenda dhe jashtë atdheut, të mos heqin dorë nga ky proces, sepse vetëm kështu ndërtohet një vizion i qartë për jetën, profesionin dhe kontributin në komunitet. Duke qenë se kjo intervistë botohet në albinfo.ch, platformë e mërgatës shqiptare dëshiroj t’i ftoj lexuesit, veçanërisht ata që jetojnë në Zvicër dhe në diasporë, të jenë pjesë e aktiviteteve të Fondacionit Rame Lahaj gjatë muajit korrik. Programi përfshin festivale, koncerte, masterclasse, punëtori dhe projekte edukative të dedikuara për të gjitha gjeneratat, duke krijuar hapësira ku muzika, dija dhe përvoja ndërthuren natyrshëm. Përmes këtyre aktiviteteve synojmë të ndërtojmë ura të qëndrueshme mes Kosovës, mërgatës dhe hapësirës kulturore evropiane, duke e pozicionuar kulturën si një nga format më të qëndrueshme të lidhjes dhe përfaqësimit. Ju faleminderit!
Kjo bisedë nxjerr në pah Rame Lahajn si figurë të formuar përmes një procesi të qëndrueshëm pune dhe përvoje, të ndërtuar mbi disiplinë, përkushtim dhe vetëdije të qartë për përgjegjësinë që arti mbart në hapësirën publike. Rrëfimi i tij dëshmon se veprimtaria artistike dhe prania skenike përbëjnë pjesë integrale të një procesi më të gjerë përfaqësimi kulturor dhe të një marrëdhënieje të ndërgjegjshme me shoqërinë.
Në kontekstin e tetëmbëdhjetëvjetorit të Pavarësisë së Kosovës, kjo intervistë e trajton kulturën si element thelbësor të ndërtimit shoqëror dhe të përfaqësimit publik. Angazhimi i Lahajt përmes Fondacionit Rame Lahaj përfaqëson një orientim të qartë drejt krijimit të mekanizmave të qëndrueshëm mbështetës për brezat e rinj, duke e zhvendosur theksin nga arritja individuale drejt përgjegjësisë institucionale. Në këtë kuadër, arti konceptohet si veprimtari me funksion afatgjatë, e lidhur ngushtë me edukimin, trashëgiminë kulturore dhe konsolidimin e një vizioni të qëndrueshëm për të ardhmen.
Mërgata, ndër audiencat më të sinqerta
Mërgata shqiptare është një nga audiencat më të sinqerta dhe më të ndjeshme. Për dekada, ajo ka qenë e ekspozuar ndaj formave të muzikës që nuk kanë qenë gjithmonë autentike. Përmes koncerteve dhe festivaleve, kam synuar të krijoj një dialog mes muzikës klasike urbane dhe këngës shqipe. Mërgata është e hapur për të eksploruar, për sa kohë ndien respekt dhe sinqeritet në atë që i ofrohet.
E-Diaspora
-
Disspora
Diaspora: 15 miliardë € në 18 vjet për Kosovën Nga 608 milionë në 1.4 miliardë euro: Si u rrit mbështetja e diasporës për Kosovën... -
Koncert festiv i Ansamblit “Vatra” u mbajt në Bülach -
Me 18 vjet jetë, Kosova ndodhet në pragun e pjekurisë si shtet -
Spiropali viziton katedrën e Albanologjisë në Munih -
Ylli Rita Ora, pjesë e himnit zyrtar të “Open Masters Games Abu Dhabi
Jeta në Zvicër
-
Rriten dërgesat ilegale të medikamenteve nga BE drejt Zvicrës Dërgesat ilegale të barnave drejt Zvicrës po vijnë gjithnjë e më shumë nga vendet e Bashkimit... -
Coop njofton konsumatorër pasi tërhoqi nga shitja çokollatat “Halba” -
Autoritetet zvicerane nisin hetim për qumështin e foshnjave të tërhequr nga tregu -
Mbi 1.000 tela elektrikë të dëmtuar në linjën Lozanë–Renens, trafiku hekurudhor i paralizuar deri të mërkurën -
Koncert festiv i Ansamblit “Vatra” u mbajt në Bülach













