CH-Ballkani
Rritet importi i veturave të vjetra
Adriatik Stavileci, zëdhënës i Doganave të Kosovës, tha se gjatë periudhës janar-gusht, janë importuar 779 vetura të reja dhe 11.547 automjete të përdorura
Që janari deri në gusht të këtij viti, në Kosovë janë zhdoganuar më shumë se 11 mijë vetura të vjetra, ndërsa janë importuar vetëm 779 vetura të reja. Kjo shifër tregon se pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për heqjen e kufizimeve për importin e veturave, Kosova është mbushur me vetura të vjetra.
Sipas Ministrisë së Financave, edhe të hyrat e përgjithshme buxhetore, për periudhën janar – gusht, kanë shënuar rritje për 8.2 për qind. Vlera e këtyre automjeteve ka arritur në mbi 6. 6 milionë euro.
Adriatik Stavileci është zëdhënës i Doganave të Kosovës. Ai thotë për REL se gjatë kësaj periudhe (janar-gusht), numri i vetura të reja që kanë hyrë në tregun e Kosovës është 779, kurse atyre të përdorura 11.547.
“Nëse i krahasojmë dy periudhat e njëjta janar – gusht 2014 dhe 2015, vitin e kaluar import të veturave të reja kemi pasur 606, ndërkaq gjatë kësaj periudhe kemi 779 vetura të reja. Këto automjete vitin e kaluar, kanë paguar taksë doganore dhe akcizë në vlerë totale prej 2.2 milionë euro. Kurse, në vitin e 2015 kjo vlerë është rritur në mbi 3 milionë euro”, thotë Stavileci.
Por, në numër dhe vlerë më të madhe financiare gjatë këtij viti dhe vitit të kaluar, në tregun e Kosovës kanë hyrë veturat e përdorura.
“Veturat e vjetra importohen më shumë në Kosovë. Dhe, nëse krahasojmë periudhat janar- gusht 2014 dhe 2015, atëherë vërejmë se vitin e kaluar kemi pasur afër 10 mijë vetura të vjetra, kurse gjatë këtij viti kemi pasur mbi 11 mijë vetura të importuara. Do të thotë se edhe taksat edhe sasia ka shënuar rritje”, tha ai.
Sasia, sipas tij, është rritur për 1600 copë, vlera e këtyre automjeteve është rritur për 22 për qind dhe taksat kanë shënuar rritje për 3. 6 milionë euro.
Mirëpo heqja e limitit për zhdoganim, pavarësisht vjetërsisë ka sjellë edhe reagim nga ambientalistët. Kjo për faktin se veturat që nuk janë Eko3, e ndotin shumë ambientin.
Zeqir Veselaj, profesor në Universitetin e Prishtinës, pati thënë se dëmet nga heqja e këtyre kufizimeve për vetura janë më të mëdha se sa përftimet.
“Dëmet që shkaktohen nga një vendim i tillë do të jenë shumë më të mëdha se sa zgjidhja afatshkurtër e nevojave të qytetarëve për vetura. Është e vërtetuar shkencërisht se çdo makinë sa më e vjetër që është, aspektet e përpunimit të derivateve i ka më të mëdha dhe mundësinë e përpunimit e ka më të dobët, që nënkupton lirimin e më shumë ndotësve në ambient”, tha ai.
Ndryshe, deri në mars të këtij viti, ka qenë i ndaluarimporti i veturave më të vjetra se 13 vjet. Por, sipas vendimit të ri, përveç heqjes se kufizimeve për vjetërsinë, veturat duhet t’i përmbushin kërkesat mjedisore për emetim të gazrave, sipas kërkesave të Bashkimit Evropian.
Të tjera nga CH-Ballkani
E-Diaspora
-
Mbi 18 mijë votues nga Zvicra për zgjedhjet në Kosovë Mërgata kosovare në Zvicër po dëshmon edhe këtë herë interes të lartë për procesin zgjedhor në... -
Zvicra nisë një fushatë parandaluese: kontakte të dobishme në rast dhune -
Bashkimi familjar në Gjermani: Sa ishin nga Kosova e Shqipëria -
Zvicra dhe Kosova drejt një epoke të re ekonomike -
KQZ lejon votimin në përfaqësitë diplomatike edhe me dokumente të skaduara
Jeta në Zvicër
-
Pse autoritetet e Cyrihut po i anashkalojnë intervistat për natyralizim? Shifrat e reja kantonale tregojnë se komunat në Cyrih po mbështeten gjithnjë e më pak në... -
Qyteti i Lozanës rrit përkohësisht pritjen emergjente për të pastrehët -
Nga 1 janari, do të jetë e mundur të plotësohen boshllëqet në kontributet për shtyllën e 3-të -
Shërbimi vullnetar zviceran i transportit të njerëzve sjell 9,100 njerëz të sigurt në shtëpi -
Fishekzjarrët e Vitit të Ri janë të rrallë në Zvicër











