Tematike

Rritje enorme e çmimeve të roamingut nga Sunrise

Kush do të thërrasë nga Zvicra përmes sunrise në Shqipëri ose në Maqedoni, do të paguajë rreth 80 për qind më tepër se që paguan tash. Në disa vende tjera, shtrenjtimi do të jetë për 116%

Telefonimi ose dërgimi i mesazheve jashtë vendit, normalisht, kushton më shtrenjtë se brenda vendit. Por kompania e njohur telefonike “Sunrise”, me shtrenjtimin më të ri duket se do të shkojë tepër larg. Telefonimi jashtë vendit, posaqërisht në vendet e ashtuqajtura “të regjionit të tretë” do të kushtojë 4 fish më shumë se te konkurrenca, kompania Swisscom, shkruajnë sot mediat zvicerane.

Çmimi për të telefonuar ose shkruar mesazhe  nga Zvicra në këto vende do të rritet deri në 116 për qind, transmeton albinfo.ch.

Të prekur nga këto shtrenjtime do të jenë klientët që kanë abonuar taria standarde, gjegjësisht të cilët në kuadër të abonimit nuk e kanë edhe roamingun ose që nuk kanë blerë pako të dhënash.

Ndërkaq, telefonatat në vendet e “regjionit të parë”, ku hyjnë shumica e vendeve evropiane bashkë me SHBA-në dhe Kanadanë do të kenë rritje më të moderuar të çmimeve. Kështu, nëse deri më tash një minutë telefonimi ka kushtuar 1.30 franga, tash e tutje ajo do të kushtojë 1.75 franga, që i bie se çmimi është rritur për 35%, përcjell albinfo.ch. Edhe thirrjet hyrëse do të shtrenjtohen, nga 80 rapë sa kanë qenë, ato do të kushtojnë 1 frang, ose 25% më shtrenjt.

Për dërgimin e mesazheve, do të ketë një rritje të çmimit, nga 50 sa është tash, në 60 rapë.

Rritje të madhe të çmimeve për telefonim do të ketë për thirrjet në vendet e “Regjionit të dytë”, ku bëjnë pjesë vendet e Ballkanit si dhe Australia, Tajlanda etj. Kush do të thërrasë nga Zvicra përmes sunrise në Shqipëri ose në Maqedoni, do të paguajë rreth 80 për qind më tepër se që paguan tash. Çmimet për telefonatat ose mesazhet në Kosovë, nuk figurojnë në tekstet të cilave u referohet ky shkrim, por duke ditur se Kosova po ashtu bën pjesë në “Regjionin e dytë”, mund të nënkuptohet se rritja e çmimeve vlen edhe për këtë vend, shkruan albinfo.ch.

Mesazhet me shkrim (SMS) në vendet e regjionit të dytë do të shtrenjtohen nga 50 sa kanë qenë, në 70 rapë.

Por, “Regjioni i tretë” do të preket më së shumti nga këto shtrenjtime. Për shërbimet telefonike nga Zvicra në këtë regjion, ku bëjnë pjesë shtete si Argjentina, Kuba, Ukraina, Bangladeshi ose Korea Jugore, rritja e çmimeve do të jetë maksimale, pra 116 %.

Rritja e çmimeve për të cilën u bë fjalë, “nuk prek shumicën dërmuese” të klientëve, thonë në Sunrise. Kjo, për faktin se një numër pakrahasimisht i madh i klientëve të kompanisë, telefonatat dhe dërgimin e SMS-ve i bën përmes whatsupp-it ose viberit.

Me gjithë këto rritje çmimesh, sunrise ende nuk është kompania me shërbmet më të shtrenjta të roamingut. Në vendin e parë vazhdon të jetë konkurrentja e saj, Salt.