Sport

Shaqiri pas çdo loje e thërret familjen

Paraqitja e parë e Xherdan Shaqirit në Bayern ende mbetet në fokus të mediave zvicerane.

Derisa Xherdan Shaqiri ka filluar t’ua rrëmbejë zemrat bavarezëve ende pa filluar sezoni në Bundesligë, mediat zvicerane gati për çdo ditë shkruajnë për të.

Gazeta zvicerane “Blick” ka folur këtë herë me Erdin Shaqirin, vëllain dhe menaxherin e Xherdan Shaqirit.

Ai ka treguar për eksperiencën e parë të Shaqirit në fushë dhe jashtë fushe në Bayern. “Ne e dinim që në fillim se ai do të mbizotërojë në Bayern. Ai është në nivel me konkurrentët e tij Arjen Roben dhe Franck Ribery”, tha Erdini.

Xherdani është një njeri familjar, vëllai tjetër, Arianiti, jeton me të në Mynih. Ata luajnë shumë pin pong në shtëpi. Ndërsa gjatë dimrit  “PlayStation”, thotë Erdini.

Pas çdo loje Shaqiri e thërreth familjen e tij. “Edhe nëna don të flasë me të . Ajo nuk dëshiron të dijë për sportin, por për të dëgjuar se ai është mirë”, thotë Erdini.

E vështirë është të shpërngulesh në një qytet si Mynihu dhe të mësohesh me jetën brenda dhe jashtë fushës.

“Duhet të dini se ku dhe çka të blini. Ku mund të hidhni mbeturinat dhe si shkon reciklimi”, ka sqaruar vëllai i Shaqirit.

Xhuxhi magjik përveç mbështetjes nga familja, gëzon përkrahjen edhe të Franck Ribery, të cilin tashmë edhe e ka fqinj në Munih.

“Ata shkojnë mirë së bashku. Unë gjithashtu mendoj se është e rëndësishme që ai ka një fqinj që i beson. Nëse në shtëpinë tuaj mungon diçka, atëherë ai ka prej kujt të kërkojë ndihmë”, thotë Erdini.

Mesfushori kosovar shënoi një gol të shkëlqyer nga gjuajtja e lirë të hënën mbrëma, të parin në një ndeshje zyrtare për Bayern Munichun dhe lëvdatat për të nuk munguan.