Sport

Shaqiri, trajnerit bajernas: A guxoj të shënoj kundër Bajernit?

Shaqiri lirisht mund të tregojë nesër në Bazel nivelin e tij, për çfarë edhe e ka zgjedhur Bajerni pikërisht atë

Nesër luhet ndeshja e Ligës së kampionëve Fc Basel: FC Bayern, që llogaritet ndeshje e vitit për të dy skuadrat. por, pozicionin më të ndeshëm në këtë ndeshje e ka Xherdan Shaqiri. Ylli zviceran me rrënjë nga Kosova është ende lojtar i FC Baselit ndërkohë që ka nënshkruar me FC Bayernin.

Prandaj, siç shkruan tabloidi gjerman “Bild”, Shaqiri ka një problem: a guxon të shënojë (nëse mundet, natyrisht) kundër klubit të tij të ardhshëm? Bild thotë se madje xhuxhi magjik ka pyetur trajnerin e Bajernit, Jupp Heynckes se “a do të hidhërohej nëse do të shënonte gol kundër ekipit të tij!?”

Kur kishte shkuar para dy javësh në Munih, Shaqiri, për shkak të vonesës së aeroplanit, nuk kishte mundur ta takonte trajnerin e tij të ardhshëm Heyncke. Prandaj i kishte telefonuar atij më vonë. “E kam pyetur z. Heynckes: Ju nuk do të më hidhëroheni nëse unë shënoj në të tetën e finales kundër Bajernit, apo?”.

Trajneri gjerman kishte qeshur dhe i kishte dhënë dritën e gjelbër lojtarit të ri. Prandaj, Shaqiri lirisht mund të tregojë nesër në Bazel cilësinë, për të cilën edhe e ka zgjedhur Bajerni pikërisht atë.