Lajme

Shorti i 2 dhjetorit për Evropian, çka duhet të dini

Gjermania, si vendi pritës, do të pozicionohet në Grupin A dhe do të luajë ndeshjen hapëse të Evropianit

Shqipëria do të mësojë rivalët në grupet e Kampionatit Evropian “Gjermani 2024” të shtunën, më 2 dhjetor. Në Hamburg prej orës 18:00 do të hidhet shorti për grupet e “Euro 2024”. Skuadrat janë të ndara na katër vazo dhe Shqipëria ndodhet në vazon e dytë së bashku me Hungarinë, Turqinë, Rumaninë, Danimarkën dhe Austrinë, njofton FSHF, përcjell albinfo.ch.

Gjermania si ekipi pritës i Evropianit ndodhet në vazon e parë dhe ekipet e tjera në atë vazo janë Portugalia, Franca, Spanja, Belgjika dhe Anglia. Në vazon e tretë ndodhen Holanda, Skocia, Kroacia, Sllovenia, Sllovakia dhe Çekia. Ndërsa vazo e katërt ende nuk është e plotësuar, pasi deri më tani janë të konfirmuar vetëm tri ekipe: Italia, Serbia dhe Zvicra.

Tri ekipet e tjera do të përcaktohen nëpërmjet fazës Play – off, ku bëjnë pjesë 12 skuadra bazuar në performacën e tyre në Nations League. Skuadrat janë të ndara në tri grupe (A, B dhe C) dhe do të luajnë shanset e tyre në marsin e vitit 2024. Tre fitueset e grupit do të plotësojnë edhe vazon e katërt. Evropiani “Gjermani 2024” do të nisë më datë 14 qershor dhe do të ulë siparin me finalen e madhe në datë 14 korrik.

Gjermania si vendi pritës do të pozicionohet në Grupin A dhe do të luajë ndeshjen hapëse të Evropianit. Përsa i përket formatit do të jetë i njëjtë si ai i “Euro2020”. Dy ekipet që pozicionohen të parat në Grup do të kualifikohen më tej në raundin e 1/16-ve, së bashku me katër ekipet më të mira që vijnë nga vendet e treta në grupe. Më pas starton faza me eliminim direkt nga 1/16-tat në çerekfinalet e Evropianit, gjysmëfinalet dhe finalja e madhe.