Lajme

Shpaloset pllaka përkujtimore për LPK-në në Kollare të Kërçovës

Shtëpia e Halit Zeqirit, 24 vjet histori: “Prej sot e tutje shtëpia jonë ka hyrë në rrjedhat e historisë së të gjithë shqiptarëve dhe ju përgëzoj të gjithëve që ta gëzojmë lirinë dhe pllakën e vendosur në këtë vend”, kanë qenë fjalët e të zotit të shtëpisë, Halit Zeqiri, në vatrën e të cilit u mbajt mbledhja konsultative e LPK-së, 24 vjet më parë

  • albinfo.ch

  • albinfo.ch

  • albinfo.ch

  • albinfo.ch

Dje, në Kollare të Kërçovës, solemnisht është bërë zbulimi i pllakës përkujtimore në shenjë kujtimi për mbledhjen konsultative të Lëvizjes Popullore të Republikës së Kosovës. Në këtë ngjarje kanë marrë pjesë figura të LPK-së së atëhershme, nisur nga Ali Ahmeti, Fazli Veliu, Xhavit Bislimi, Bardhyl Mahmuti, Emrush Xhemajli, Guximtar Llabënishti, Petrit Mënaj, Musa Xhaferi, Gafut Elshani, Fatmir Arifi, si dhe shumë personalitete të tjera.

“Ju falëndëroj përzemërsisht në emrin tim dhe të familjes për pjesëmarrjen tuaj, ku para 24 vjetësh familja jonë u hapi dyert veprimtarëve të idealit, ndërsa sot ju na hapët derën e historisë së përjetshme. Prej sot e tutje shtëpia jonë ka hyrë në rrjedhat e historisë së gjithë shqiptarëve dhe ju përgëzoj të gjithëve që ta gëzojmë lirinë dhe pllakën e vendosur në këtë vend”, kanë qenë fjalët e të zotit të shtëpisë, Halit Zeqiri, në vatrën e të cilit u mbajt mbledhja konsultative e LPK-së, 24 vjet më parë, njofton Albinfo.ch. Ai nuk ka mundur të fshehë emcionet nga kjo ngjarje, derisa dikur ishte krah për krah proceseve të mëdha me veprimtarët e shquar të historisë së kombit shqiptar.

Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, në paraqitjen e tij madje tha se ka diçka që nuk ndryshon tek anëtarët e LPK-së”: “Qëllimi para së gjithash i bënë të gjithë bashkë kur thërret një çështje shumë e lartë, siç është çështja shqiptare, pra aty jemi një dhe po guxoi dikush të rrezikojë gjithë atë që e kemi ndërtuar si një trup i vetëm, aty jemi një”.

LPK-ja ka pasur njerëzit më sakrifikues

“Me fanatizëm të ruajmë atë që e kanë krijuar njerëzit e merituar. Ata njerëz sot nuk janë në mesin tonë dhe ne i nderojmë ata pikërisht duke nderuar vendet ku janë marrë vendimet e mëdha, ku më vonë pasoi me një kryengritje deri në dëbimin e forcave pushtuese. Misioni ynë është mision i pambaruar, duhet të vazhdojë, sepse kemi edhe shumë punë për të bërë…”, ka thënë Ahmeti, një nga figurat e LPK-së.

Madje, në hapje të kësaj ngjarjeje, Adem Karaga tha se jemi mbledhur rreth kësaj votre për të përkujtuar brez pas brezi zërin e përkushtimit të figurave atdhetare, “ku nga kjo votër ata që çdo frymëmarje (duke aluduar në dëshmorët) ia kushtuan atdheut dhe morën prositë e jehonës së shekujve dhe jetuan e jetojnë në përjetësi”.
“Lëvizja takimet e saj i zhvillonte në ilegalitetin më të thellë, priteshin e u bëhej siguri nga anëtarët e Këshillave popullorë të LPK-së të rrethit të Kërçovës, ngase aty do merrnin pjesë figurat më të shquara të kombit tonë”, ka thënë Karaga.

Ndërkohë, Fatmir Limani tha se u mblodhën bashkë dhe ilegalisht delegatët e të gjitha hapësirave shqiptare, si Ali Ahmeti, Gafur Elshani, Adem Grabovci, Bilall Sherifi, Xhavit Haziri, Fadil Bajrami, ku rrethanat nuk ishin as për së afërmi si sot, “por morali i lartë dhe betimi i fuqishëm bënin që të gjithë anëtarët, pavarësisht çmimit që mund të paguanin nga rreziqet e kohës”.

“Me këtë rast u organizua edhe mbledhja konsultative, e cila u vendos që të mbahej në këtë fshat nga fakti se pozita gjeo-strategjike dhe besnikëria e Këshillave popullorë mirë të organizuara garantonin sigurimin dhe mbarëvajten e kësaj mbledhjeje me rëndësi të veçantë. Dy nga pikat ishin përcaktuar në hyrje të fshatit nga ana e Kërçovës, në të djathtë dhe të majtë tek ‘Mulliri i vjetër’, tri pika të tjera ishin një te udhëkryqi me dalje drejt ‘Dardhës’, një në majë të ‘Grykës së strazhës’ dhe një në drejtim të Bukovikut, përballë lagjes së Brajeve. Plani ishte që në rast se na bien në gjurmë, tërheqja e anëtarëve pjesëmarrës në këtë mbledhje të rëndësishme të bëhej në dy drejtime, në anën e ‘Dardhës’ me dalje në Dibër dhe në anën e Bukovikut, me dalje në Sërmnovë, ku edhe kemi pasur baza të sigurta të celulave të Lëvizjes. Në këtë takim u lëshuan përfundime, sipas të cilave LPK mbështet të gjitha aksionet e armatosura kundër pushtuesve. Që do të thotë se me këtë ndryshonin mjetet nga ato politike në zgjidhjen e çështjes shqiptare me mjete luftarake”, shton përfaqësuesi i SHVL-UÇK-së, Fatmir Limani.
Sipas tij, disa nga pjesëmarrësit – delegatë, në mbledhjen e Kollarës do të shpërndaheshin nëpër shtëpitë e fshatrave dhe qytetit ku edhe kishim çerdhet e Këshillave popullorë.

“Fatmir Brajshori me shokë do të vendosej në shtëpinë tonë. Të tjerë te familja e Ali Ahmetit dhe një grup delegatësh tek jehon flamuri. Të ardhurit nga Perëndimi do të largoheshin në drejtim të kufirit me Shqipërinë”, nënvizon Limani.

Ishte zgjedhur shtëpia e veprimtarit nga Kollarja

Ndërkohë, veprimtari Emrush Xhemajli tha se në këtë shtëpi në fshatin Kollare, para 24 vjetëve, më 24 prill 1993 është mbajtur mbledhja konsultative e që ka pasur shumë rëndësi për lirinë e popullit tonë që pasuan gjatë viteve.

”Për t’u trajtuar këto çështje ishte e nevojshme të mbahet mbledhje konsultative si hap i domosdoshëm, ku pa përgatitjen politike nuk do të jepte rezultatin e duhur. Kjo mbledhje u mbajt në kohën kur në Kosovë e viset e tjera të pushtuara ishin rritur veprimet e armatosura të Lëvizjes. Mbledhjes i paraprinin vizitat e udhëheqësve të degës brenda vendit në Kosovë gjatë vitit ‘92 dhe jashtë vendit, ndërsa në pjesën e dytë të muajit prill u bë ardhja në Kosovë e Maqedoni, ku vazhduan punët përgatitore.

Në atë kohë Ali Ahmeti e Gafur Elshani ishin vendosur në Zajaz që të përgatisin e të organizojnë mbledhjen konsulative. Për vendin se ku do mbahej mbledhja ishte zgjedhur shtëpia e veprimtarit Halit Zeqiri në Kollare, pikërisht ku jemi sot”, ka thënë Xhemajli.

Madje, në fshatin Sërmnovë të Gostivarit, bashkëveprimtarët, familjarët e dëshmorëve, miqtë dhe bashkëvendësit përkujtuan 26-vjetorin e rënies së dëshmorit Naser Veliu.

“Përkujtuam dy të përjetësuar 27 vjet më parë, Naser Veliu e Nurie Zeka, dhe 24-vjetorin e mbajtjes së mbledhjes konsultative në Kollarë të Kërçovës”, tha veprimtari Fatmir Limani, i cili vuri në dukje që, “në këtë ditë për herë të parë do të ndajë një sekret të heshtur deri më tani”.
Ndërkohë, Fazli Veliu tha se Naser Veliun e ka pasur njërin nga anëtarët më të devotshëm të LPK-së që kemi udhëhequr, siç tha, “bashkë në Perëndim, me të gjithë ata që kanë rënë në luftë, pas lufte e burgjeve”.

“Naseri ishte njeri i legjendës të pakursyer për shprtin dhe vendin e tij dhe për Gostivarin e gjetiu. Është njëri nga figurat më të reja, nga ato që na vjen deri në Shtutgart për t’i nderuar dëshmorët e atdhuet me vetë kushtet e tij dhe të familjes. Vjen pastaj në vendlindje për të bërë diçka dhe për të shpërndarë zërin e shokëve të atëhershëm dhe të Lëvizjes popullore të Kosovës këtu”, ka thënë Veliu, informon Albinfo.ch.

Ndryshe, në prill të vitit 1993, në fshatin Kollare, afër Kërçovës, u mbajt Mbledhja Konsultative e LPRK-se. Në mbledhje u diskutua rreth situatës aktuale politike kombëtare e ndërkombëtare, me theks të veçantë rreth gjendjes në Kosovë dhe në Maqedoni.