Tematike

Si ndikon divorci në të drejtat tuaja të qëndrimit në Austri?

Çështjet e divorceve sjellin komplikime në vizat dhe lejet e qëndrimeve, ndërsa thelocal.at përmes një interviste me një ekspert ligjor zbulon të drejtat tuaja në Austri, përcjell albinfo.at.

Një nga arsyet më të zakonshme për t’u zhvendosur në një vend tjetër është për dashuri dhe nuk është ndryshe në Austri me bashkimin familjar që vazhdon të jetë një arsye popullore për t’u zhvendosur në Republikën Alpine.

Nëse e keni pyetur vetën a e humbisni të drejtën e qëndrimit në Austri nëse divorcoheni, çfarë mund të bëni për të mbrojtur statusin tuaj të imigracionit dhe çfarë është një vizë familjare, kjo është gjithçka që duhet të dini.

Një vizë familjare u jepet shtetasve të vendeve të treta (shtetas jo të Zonës Ekonomike të Evropës ose shtetasve zviceranë) në mënyrë që ata të mund të bashkohen me familjen e tyre në Austri.

Anëtarët e familjes janë bashkëshortët, partnerët e regjistruar dhe fëmijët nën moshën 18 vjeç, ku përfshihen fëmijët e njerkut dhe të birësuar. Bashkëshortët dhe partnerët e regjistruar duhet të jenë të paktën 21 vjeç.

Mbajtësit e një vize familjare kanë qasje të plotë në tregun e punës, por mund të marrin sigurimin shëndetësor (i cili është i detyrueshëm në Austri) përmes partnerit ose bashkëshortit të tyre nëse nuk punojnë.

Dr Alexander Raidl, avokat i imigracionit në Rechtsanwalt Raidl në Vjenë, ka thënë se të huajt mund të divorcohen në Austri, kështu që nuk duhet të ketë pengesa për banorët ndërkombëtarë që kërkojnë divorc, edhe nëse janë martuar në një vend tjetër.

Por nëse dikush me vizë familjare merr një divorc në Austri, kjo do të ndikojë në lejen e tyre të qëndrimit, ndonëse, përderisa mund të plotësojnë disa kërkesa, nuk do të duhet të largohen nga Austria.

Dr Raidl tha: “Personi me titull qëndrimi si anëtar i familjes ka të drejtën e qëndrimit në Austri pavarësisht nga bashkëshorti/ja, por kjo nuk mbetet automatikisht pas divorcit. Personi i sapo divorcuar duhet të plotësojë të gjitha kërkesat e qëndrimit për ta mbajtur atë vetë, si të ardhura të mjaftueshme, strehim dhe sigurim shëndetësor”.

Nëse i divorcuari mund të provojë se mund të përmbushë të gjitha kriteret, atëherë (në shumicën e rasteve) një vizë familjare do të zëvendësohet me një Karton Kuq-Bardhë-Kuq Plus, i cili do t’i lejojë ata të vazhdojnë të jetojnë dhe punojnë në Austri.

Për këtë arsye, ai këshillon këdo që ka një vizë familjare që kërkon divorc të presë derisa të mund të mbështesë veten në mënyrë të pavarur.

Ai tha: “Fatkeqësisht kjo më së shumti ka të bëjë me femrat, kështu që para se të bien dakord për një divorc, ato duhet të jenë të sigurta se mund të mbajnë jetën e tyre dhe të mbulojnë të gjitha shpenzimet vetë”.

Të njëjtat rregulla zbatohen për një martesë dhe një partneritet të regjistruar.

Një i divorcuar me vizë familjare jo gjithmonë duhet të plotësojë kërkesat e të ardhurave, sigurimit dhe akomodimit për të ndryshuar statusin e qëndrimit pas divorcit, por kjo varet nga rrethanat.

Dr Raidl shpjegoi: “Është e rëndësishme të dihet se në disa raste bashkëshorti nuk do të duhej të përmbushte kërkesat e përgjithshme nëse do të ishte faji i bashkëshortit tjetër që martesa përfundoi. Për shembull, në rastin e tradhtisë nga njëri prej partnerëve, këto kërkesa të përgjithshme nuk kërkohen, por kjo mund të vlerësohet vetëm nga një gjykatë”.

Arsyet e tjera për një përjashtim nga rregullat përfshijnë martesën e detyruar ose dhunën në familje.

Teksa sa u përket fëmijëve, për familjet me fëmijë, ka një lehtësim në faktin se të miturit (ata nën moshën 18 vjeç) nuk duhet të ndryshojnë statusin e tyre të vendbanimit kur prindërit divorcohen.

Dr Raidl tha: “Fëmijët nuk e humbin pozitën e tyre si pjesëtar i familjes së personit që e solli familjen në Austri. Kjo do të thotë që vetëm bashkëshorti duhet të ndryshojë statusin e emigracionit pas divorcit”.

Çfarë është kartoni i kuq-bardhë-kuq Plus?

Ky karton është një leje qëndrimi që u lejon mbajtësve të jetojnë dhe punojnë në Austri me qasje të pakufizuar në tregun e punës – si të punësuar dhe të vetëpunësuar.

Kjo leje zakonisht lëshohet për një vit, ose për tre vjet nëse aplikanti ka jetuar tashmë në Austri për dy vjet.

Kushtet e përgjithshme për lëshimin e kartonit janë një jetesë e sigurt (minimumi 1,110.26 € në muaj), sigurimi shëndetësor që mbulon të gjitha rreziqet dhe akomodimi i përshtatshëm.