Lajme

Studimi: Cyrihu ndër qytetet më problematike në Evropë për vozitje

Cyrihu në mesin e qyteteve më të bllokuara të Evropës për trafik

Një analizë e re ka zbuluar se Cyrihu renditet ndër qytetet më të mbingarkuara në Evropë për qarkullim, duke u pozicionuar në vendin e nëntë në listën e qyteteve me trafikun më të rënduar, përcjell albinfo.ch.

Studimi është realizuar nga kompania e njohur e veturave me qira SIXT, e cila ka analizuar 40 qytete të mëdha të Evropës Qendrore. Sipas të dhënave, drejtuesit e automjeteve në Cyrih humbin mesatarisht 94 orë në vit në kolona trafiku, kryesisht gjatë orëve të pikut.

Po ashtu, raporti tregon se për të përshkuar një distancë prej 10 kilometrash në qendrën e qytetit, nevojiten mesatarisht 26 minuta e 18 sekonda, çka e bën lëvizjen me veturë mjaft të ngadaltë.

Megjithatë, këto gjetje bien në kundërshtim me një analizë tjetër të fundit, të realizuar nga kompania e navigimit GPS TomTom. Sipas këtij studimi, qyteti zviceran me bllokimet më të mëdha në trafik është Gjeneva, dhe jo Cyrihu.

Dallimet mes dy analizave tregojnë se vlerësimi i trafikut mund të ndryshojë në varësi të metodologjisë dhe burimeve të përdorura, por në çdo rast, qytetet zvicerane po përballen me sfida gjithnjë e më të mëdha sa i përket qarkullimit rrugor. /Albinfo.ch