Të huajt, bekim për Zvicrën, thotë shefi i sigurimeve sociale

Rossier: Fiaskoja e arkave sociale është parandaluar që nga fillimi i viteve të nëntëdhjeta në saje të ardhjes masive të të huajve në Zvicër

Sipas drejtorit ne dorëheqje të Zyrës Federale për Sigurime Sociale të Zvicrës, Yves Rosier, situatën e mirë financiare Zvicra ka arritur ta ruajë falë migrantëve. Në një intervistë dhënë gazetës “La Liberte” të Friburgut, Rossier ka rikonfirmuar përparësitë financiare që Zvicra ia detyron ekskluzivisht migracionit të fuqishëm. Sipas tij, pa migrantët, AHV-ja (sigurimi pensional) prej vitesh do të fundosej në humbje disamilardëshe!

Kjo fiasko do ta gjente Zvicrën për shkak të mplakjes së popullatës vendëse dhe ajo është parandaluar që nga fillimi i viteve të nëntëdhjeta vetëm në saje të ardhjes masive të të huajve në Zvicër, ka thënë Rossier, i cili ka mbajtur postin e drejtorit për tetë vite me radhë.

Këto konstatime drejtori në dorëheqje i ka bërë duke iu kundërvënë thirrjeve për kufizimin e numrit të imigrantëve. Masat në drejtim të tillë do të ishin mjeti “më i mirë” për të dëmtuar AHV-në ka thënë Rossier. Nga migracioni nuk përfitojnë vetëm sigurimet sociale por edhe spitalet dhe universitetet, ka thënë ai.

Rossier, më 1 maj kalon në postin e ri, si sekretar shtetëror në Departamentin Federal të Punëve të Jashtme.