Lajme
Themelohet në Bernë Fondacioni për Zhvillimin e Kosovës
„Edhe sot nevojitet solidariteti që bashkon komunitetin kosovar për tu organizuar më mirë", tha Didier Chassot nga Departamenti i Jashtëm
Me një mbrëmje gala të organizuar nga Ambasada e Republikës së Kosovës, në Bernë, është themeluar Fondacioni për zhvillim të Kosovës, një iniciativë e aktivistëve të diasporës dhe një numri afaristësh shqiptarë e zviceranë.
Anëtarët e këshillit të Fondacionit
Në një ambient solemn, me pjesëmarrjen e ambasadorëve të shumë ambasadave me seli në Bernë, mbrëmjen e ka hapur ambasadori i Republikës së Kosovës në Zvicër, Naim Malaj. „Mërgata jonë në Zvicër ka luajtur një rol të rëndësishëm në të gjitha periudhat e zhvillimeve në Kosovë. Ju keni mbajtur gjallë shpresën për një jetë më të mirë në Kosovë, në një kohë kur ajo po shtypej në mënyrën më të egër”, u është drejtuar ambasadori bashkatdhetarëve.
Ai ka përkujtuar rëndësinë e fondacionit për zhvillimin e Kosovës, që po krijohet sot, në praninë e miqve zviceranë dhe ambasadorëve nga bota. Ambasadori pastaj ka përgëzuar anëtarët e këshillit iniciativ të fondacionit për kurajon që kishin treguar duke marrë këtë nismë që do të ndihmojë studentët nga Kosova për të ndjekur studimet në universitetet zvicerane si dhe do të inkurajojë investimet në Kosovë.
Didier Chassot
Në emrin e Departamentit Federal të Punëve të Jashtme të Qeverisë së Zvicrës foli Didier Chassot, shef i divizionit të parë, për Evropën Juglindore. „Mund të imagjinoj emocionet tuaja se si ju, si ambasador e ndihmoni fondacionin që të marrë hapat e tij dhe duke e lënë atë të pavarur nga misioni diplomatik që ju e drejtoni, për të realizuar shpresat e mëdha që janë drejtuar nga ai”, ka thënë në fillim z. Chassot, duke iu drejtuar ambasadorit Malaj.
Ai ka bërë fjalë në vazhdim për ndihmën e madhe që ka dhënë Zvicra nga vitet 90 e këndej për Kosovën. „Të gjithë i kemi të njohura ndihmat humanitare për strehimin në Zvicër e pastaj kthimin e refugjatëve kosovarë në vendin e tyre. Po ashtu dihet edhe për ndihmën në ndërtim, ekonomi dhe në ruajtjen e paqes përmes forcave paqësore të stacionuara atje.
Edhe sot nevojitet një ndjenjë solidariteti, e cila bashkon komunitetin kosovar për tu organizuar sa më mirë, në këtë rast, në fondacionin për zhvillimin e Kosovës. Prandaj, autoritetet zvicerane, edhe pse nuk janë të implikuara, e mbështesin këtë iniciativë të ndërmarrë nga diaspora e Kosovës”, ka thënë Chasott në përmbyllje.
Ambasadori gjerman në Zvicër, Axel Hans Carlo BERG
Ambasadori gjerman në Zvicër, Axel Hans Carlo BERG pasi ka uruar për themelimin e fondacionit, ka theksuar nevojën që ka Kosova si shtet i ri për mbështetje të gjithanshme. Me një përshëndetje dhe përgëzim për punën e bërë për fondacionin, është paraqitur edhe ambasadori i Japonisë në Zvicër, Ichiro KOMATSU. Edhe Ambasadori i Shqipërisë, Mehmet Elezi i ka uruar mbarëvajtje fondacionit të ri.
Në emrin e Zyrës së Kryeministrit të Kosovës, tubimin e përshëndeti Mustafë Xhemajli, kryeshef i Agjencionit për Mërgatën që funksionon në kuadrin e zyrës së përmendur. „Do ta keni mbështetjen e pakursyer të mekanizmave të shtetit të Kosovës, veçanërisht të Agjencionit të Mërgatës”, ka thënë veç tjerash z. Xhemaili.
Fatmir Hyseni ka prezantuar këshillin e fondacionit, me përbërje prej pesë anëtarëve: Fatmir Hyseni, Avni Orllati, Pren Kqira, Fitim Dalipi dhe Mathias Desarzens. Ai ka shpjeguar mënyrën se si ndihmohet fondacioni dhe ka falënderuar donatorët.
Këngëtarja e xhazit, Elina Duni
Piktori Samedin Asllan
Një program i pasur artistik me këngëtaren e xhazit, Elina Duni me grupin e saj si dhe nga Arau ansambleja “Shota” dhe „Ilirët” nga Lozana ka krijuar atmosferë festive në sallë. Në foajenë e sallës ka qëndruar e hapur një ekspozitë me pikturat e artistit që krijon në Lozanë, Samedin Asllani. Një „pikë artistike” më vete ka qenë moderimi mjaft i shkathtë dhe elegant i gjithë gala-s, i bërë nga Adi Krasta, në gjuhën shqipe dhe angleze.
Shkolla e Vallëzimit “Shota”
E-Diaspora
-
Program përkujtimor kushtuar Masakrës së Reçakut Aktiviteti synon ruajtjen e kujtesës kolektive, nderimin e viktimave dhe përcjelljen e së vërtetës historike... -
Abdixhiku: Diaspora nuk i prish balancat demokratike në Kosovë, ajo i pasqyron ato -
PSHDK mohon legjitimitetin e degës së pretenduar në Vjenë -
Abdixhiku i drejtohet mërgatës: “Më 28 dhjetor, ejani dhe shpëtojeni Kosovën” -
“Netzwerk Dua”, inteligjenca që mbron pronën tënde në Zvicër
Jeta në Zvicër
-
Linjat telefonike pediatrike në kantone për të shmangur mbipopullimin e urgjencave Viruse që qarkullojnë gjerësisht dhe zyrat e mjekëve të mbyllura gjatë pushimeve shpesh sjellin pritje të... -
Diskutohet roli i shtëpive të pleqve në asistimin e vdekjes në Lucern -
Orari i ri i SBB-së ka hyrë në fuqi sot me ndryshime të mëdha -
Mediumi zviceran shkruan për vizitën e Kurtit në Zvicër para zgjedhjeve të parakohshme -
Policia e Bernës në kërkim të një personi të rrezikshëm, situata në Reconvilier është qetësuar












