Lajme
TikTok gjobitet me 530 milionë euro nga BE për transferim të të dhënave në Kinë
Platforma popullore e videove të shkurtra TikTok është goditur me një gjobë rekord prej 530 milionë eurosh (rreth 602 milionë dollarë) për transferimin e të dhënave personale të qytetarëve evropianë në Kinë, njoftoi sot Komisioni Irlandez i Mbrojtjes së të Dhënave (DPC), shkruan DW, transmeton albinfo.ch.
Në emër të Bashkimit Evropian, DPC deklaroi se TikTok kishte shkelur Rregulloren e Përgjithshme për Mbrojtjen e të Dhënave (GDPR), duke mos arritur të garantojë një nivel mbrojtjeje të barasvlershëm me atë të BE-së për të dhënat e përdoruesve evropianë, të cilat ishin të aksesueshme nga stafi në Kinë.
Sipas zëvendëskomisionerit të DPC-së, Graham Doyle, platforma nuk arriti të “verifikojë, garantojë dhe demonstrojë” se të dhënat personale të përdoruesve të saj në Evropë ishin të mbrojtura nga qasja potenciale e autoriteteve kineze, përfshirë në bazë të ligjeve kineze për kundërterrorizmin dhe kundërspiunazhin, që ndryshojnë ndjeshëm nga standardet e BE-së, transmeton albinfo.ch.
TikTok, që është në pronësi të kompanisë kineze ByteDance, ka selinë evropiane në Irlandë dhe për këtë arsye është subjekt i mbikëqyrjes së DPC-së, ashtu si edhe gjigantë të tjerë teknologjikë si Meta, Google dhe Amazon.
Kjo është gjoba e dytë më e madhe e vendosur ndonjëherë nga BE-ja për shkelje të privatësisë. Në vitin 2023, TikTok u gjobit me 345 milionë euro për mënyrën si trajtonte të dhënat e fëmijëve në BE.
Gjatë hetimit, TikTok kishte deklaruar se nuk ruante të dhënat e përdoruesve evropianë në serverë në Kinë, por më pas pranoi se një pjesë e vogël e të dhënave ishin përpunuar atje. Kompania e ka bërë të ditur se do të apelojë vendimin, transmeton albinfo.ch.
Në një deklaratë, TikTok këmbënguli se nuk ka marrë asnjëherë një kërkesë nga autoritetet kineze për të dhënat e përdoruesve evropianë dhe theksoi se ByteDance ka investitorë ndërkombëtarë, pavarësisht se selia kryesore ndodhet në Pekin.
Ndërkohë, TikTok përballet me shtim të kufizimeve ndërkombëtare, pasi disa vende si Pakistani, Nepali dhe territori francez i Kaledonisë së Re e kanë ndaluar përkohësisht aplikacionin.
Në Shtetet e Bashkuara, shqetësimet për sigurinë e të dhënave kanë qenë gjithashtu të theksuara. Ligji i nënshkruar nga Presidenti Joe Biden vitin e kaluar kërkon që ByteDance të shesë TikTok-un në SHBA ose të përballet me ndalim – një afat që aktualisht është në pritje të zbatimit nga administrata e Presidentit Donald Trump.
E-Diaspora
-
Shoqata ‘Iliria München’ shënon 25-vjetorin me muzikë dhe traditë Festë jubilarie në Mynih: Kënga dhe vallja shqiptare lidhin brezat... -
Hektor Krasniqi, futbollisti që la Austrinë për të ndërtuar ëndrrën e tij në Kosovë -
Kuvendi i Shqipërisë miratoi ligjin për Diasporën -
Qendra e Botimeve për Diasporën uron Ditën Kombëtare të Diasporës dhe Ditën Ndërkombëtare të Migracionit -
Emily Munishi ngjitet në elitën kombëtare U18 në gjimnastikë artistike
Jeta në Zvicër
-
Teknologjia zvicerane që po ndryshon trajtimin e tumoreve Radioterapia inovative zvicerane për trajtim të saktë të tumoreve... -
Ferma më e lartë e erës në Evropë ndodhet në Zvicër -
Kaosi i Krishtlindjeve në aeroportet zvicerane: Si të udhetoni pa stres -
Mungesë e vaksinës kundër gripit në Zvicër për shkak të kërkesës së lartë -
Emily Munishi ngjitet në elitën kombëtare U18 në gjimnastikë artistike











