Lajme

Valon Ademi, triumfues në konkursin e arkitekturës në Vjenë

“Kur e pamë modelin tek 20 projektet më të mira jemi habitur. Nuk e prisja të fitonim sepse ishin 400 ide, 400 koncepte, 400 plane të ndryshme ... “

Studentët shqiptarë që jetojnë në Austri janë të shumtë në numër. Megjithëse nuk kemi shifra të sakta, dimë që disa prej tyre na nderojnë me rezultatet dhe arritjet në universitete përkatëse. Një prej tyre është dhe Valon Ademi, lindur e rritur në Gostivar të Maqedonisë. Ai studion arkitekturë në Universitetin Teknik të Vjenës. U njoha me të në ditëlindjen e mikeshës sonë të përbashkët. Në bisedë e sipër pasi e pyes më tregon për arritjet e tij, duke përfshirë marrjen e çmimit të parë në një prej konkurseve më të rëndësishme të universitetit.

Për të realizuar këtë shkrim, shkoj ta takoj Valonin në një zonë industriale të Vjenës  ku ndodheshin edhe ndërtesat e TU-së. Studentët më të dalluar kanë zyrën e tyre për të punuar projektet e shkollës apo personale. Tek më tregonte hapësirat tepër komode, Valoni më thotë që ishte dhe përgjegjës për përdorimin e mjeteve të prerjeve. Studentët e arkitekturës që të realizojnë projektet, duhet të kenë leje specifike për to, për të shmangur ndonjë aksident të papritur. Ndërkohë personazhi ynë e kishte marrë lejen për të prerë me laser që në semestrin e parë të studimeve. Në korridor më zë syri një ndërtesë të njohur e vizatuar me laps dhe e ngjitur në mur. “Mos është gjë vila e pushimit të mbretit Zog në Shirokë të Shkodrës?” – e pyes unë. “Po ajo është,”-ma kthen Valoni. “Madje kjo tjetra është katedralja e qytetit nga brenda. Nuk jam i vetmi shqiptar në këtë ndërtesë,”- më përgjigjet duke qeshur.

Si lindi pasioni për arkitekturën

Pasi më bën dhe një kafe e rehatohem, fillojmë muhabetin: “Dëshira për të studiuar arkitekturë më filloi në gjimnaz kur po ndërtonim shtëpinë e re. Ishte shumë interesante ta shikoja si ndërtohej dhe si diçka transformohet nga asgjë në banesë për të jetuar. Njohuri vizatimi nuk kisha, por më ndihmoi nusja e xhaxhait sepse është piktore. Isha katastrofë në marrjen e masave, ama më vonë ja mora dorën pasi më erdhi në qejf.”

Duke qenë student i dalluar, universiteti e ka caktuar Valonin të jetë mentor i disa të tjerëve më të rinj në moshë. Si djalë patriot kishte zgjedhur të ndihmonte kryesisht shqiptarë të talentuar, duke u dhënë hapësirë për të punuar në njërën prej zyrave. Kjo gjë të gëzon pa masë sepse për persona të tillë që të japin një dorë ka nevojë çdo student i ri që përballet me vend të panjohur. Në zyrën e Valonit gjëja e parë që të bën përshtypje gjendej mbi tavolinën e punës. Projektimi i një teatri modern me të cilin fituan çmimin e parë, quhet krenaria e tij.

Në 2019 së bashku me Mirlindin, bashkatdhetar nga Gostivari, morën pjesë në konkursin për projektin më të mirë arkitektonik të universitetit. Koncepti i djemve shqiptarë u komentua si i pamundur herën e parë gjatë prezantimit. Dikush nga pedagogët besoi që mund t’ia dilnin dhe i ndihmoi me këshilla duke u bërë mentor dhe mbikëqyrës i tyre. “Na kanë sulmuar tepër shumë. Ishim komplet të demotivuar. Koncepti ynë ishte i shtrenjtë për tu ndërtuar. Teatri që projektuam hapet me shinë ku kati i dytë funksionon në mënyrë statike. Dyshemeja përbëhet nga pjesë hidraulike të cilat lëvizin lart e poshtë. Kur ua shpjeguam, u dukej abstrakt. Por mentori e mbrojti punën tonë dhe kaluam fazën e parë,” – rrëfehet Valoni ndërkohë që më tregonte si funksiononte ndërtesa.

Fiton konkursin për projektin më të mirë arkitektonik

Pjesëmarrësit e konkursit arrinin në shifrën e 400 studentëve nga e gjithë shkolla. Për ta realizuar teatrin kam sakrifikuar gjumin duke qëndruar edhe dy ditë pa fjetur. “Të paktën dy javët e fundit kam qëndruar ulur para kompjuterit rreth 10 orë në ditë.” Ju deshën tre muaj për ta përfunduar e sipas Valonit kjo është kohë e shkurtër për një arkitekt që të ndërtojë diçka nga e para. Këto ekstreme në kohë rekord i bëjnë vetëm njerëzit e pasionuar pas diçkaje. E ku ka më mirë se të bësh punën që do e të ofrosh maksimumin tënd?

Në fund, projekti u prezantua bashkë me mentorin dhe jurinë që vlerësonin e gjykonin. “Kur e panë përfundimin u shokuan sepse nuk kishin parë në TU asnjë model të tillë që hapet. Studentët vinin e bënin foto me modelin tonë që peshonte rreth 30 kilogramë. Ta dish se ç’ kemi hequr vetëm për ta transportuar deri atje. Pas tri ditësh u vlerësua si projekti më i mirë dhe ne morëm çmimin e parë nga drejtori i përgjithshëm i Teatrove të Vjenës, shefja e Institutit për Njohuritë e Ndërtesave të Veçanta dhe një arkitekt shumë i njohur. Kur e pamë modelin tek 20 projektet më të mira jemi habitur. Nuk e prisja të fitonim sepse ishin 400 ide, 400 koncepte, 400 plane të ndryshme e mendoja që s’kishte shanse,”- tregon Valoni gjithë krenari për “albinfo.at”.

Anëtarët e jurisë i kanë shkruar një letër urimi që ai e konsideron si çmimin më të madh, meqë këto figura janë goxha të njohur në arkitekturën austriake. Përveç kësaj i kanë dhuruar libra në lidhje me studimet e tyre por të kushtueshme për ekonominë e një studenti. Pas fitores, mentori i kërkoi të punonte për studion e tij të arkitekturës, por Valoni  është në marrëdhënie pune me një tjetër zyrë. Momentalisht projekton shtëpia ose vila private, pasi ky është biznesi që sjell më shumë fitim.

Ëndërron kthimin në identitet të qyteteve e fshatrave shqiptare

Qytetet e fshatrat e vjetra të jugut të Shqipërisë janë të preferuarat e Valonit. Megjithëse është ndërtuar shumë, ai beson që jemi akoma në kohë për të përmirësuar e kthyer zonat turistike në identitetin e mëparshëm. Sigurisht tani edhe qytetin e lindjes Gostivarin e shikon me syrin kritik se si mund ta përmirësonte duke ua bërë jetën më të thjeshtë banorëve. Por ai thekson se mund të kthehej nëse do t’i vinte një ofertë e mirë pune që të kishte në dorë këtë lloj ndryshimi.

“Qytetet e reja e moderne nuk janë në preferencat e mia. Më pëlqejnë ato qytete që kanë një shkencë pas ndërtimit për shëndetin psikologjik si p.sh: Barcelona, Parisi. Vjena ndoshta funksionon mbase në qarkun (Bezirk-un) e parë, por pak më larg ka nevojë për ndryshim” – flet ai duke më treguar në kompjuter disa nga konceptet për Vjenën. E për mua, që mendoja se kryeqyteti austriak ishte pothuajse i përsosur, ja një mendim kritik arkitektësh. Valoni shprehet se ka dëshirë të vazhdojë dhe masterin. Konstruksionet me dru janë më të preferuarat për të, e mbase në të ardhmen do të punojë aty ku ka dëshirë.

Asgjë si mungon në fakt. Qoftë Valonit apo studentëve të tjerë që jetojnë në Austri. Me vullnet e shumë punë mund të arrihet gjithçka.

Box

A ka ende kohë për shpëtimin e qyteteve shqiptare?

Qytetet e fshatrat e vjetra të jugut të Shqipërisë janë të preferuarat e Valonit. Megjithëse është ndërtuar shumë, ai beson që jemi akoma në kohë për të përmirësuar e kthyer zonat turistike në identitetin e mëparshëm. Sigurisht tani edhe qytetin e lindjes Gostivarin e shikon me syrin kritik se si mund ta përmirësonte duke ua bërë jetën më të thjeshtë banorëve.

Box

I pëlqejnë qytetet që kanë shpirt

“Qytetet e reja e moderne nuk janë në preferencat e mia. Më pëlqejnë ato qytete që kanë një shkencë pas ndërtimit për shëndetin psikologjik si p.sh: Barcelona, Parisi. Vjena ndoshta funksionon mbase në qarkun (Bezirk-un) e parë, por pak më larg ka nevojë për ndryshim,”