Lajme

Vizita falas për të moshuarit në Cyrih për t’i mbrojtur nga temperaturat ekstreme

Vala e të nxehtit në Zvicër, Cyrihu nis mbështetje për të moshuarit

Për shkak të temperaturave të larta, autoritetet e qytetit të Cyrihut kanë nisur një program mbështetës për të moshuarit, duke ofruar vizita falas në shtëpi dhe këshilla për mbrojtjen nga vapa, përcjell albinfo.ch.

Qyteti i Cyrihut ka nisur një program të veçantë për të ndihmuar të moshuarit gjatë valës së të nxehtit, duke ofruar vizita falas në shtëpi për personat që janë më të rrezikuar nga temperaturat e larta.

Sipas autoriteteve lokale, të moshuarit janë veçanërisht të ndjeshëm ndaj problemeve shëndetësore gjatë vapës ekstreme, pasi organizmi i tyre e rregullon më dobët temperaturën e trupit, djersit më pak dhe zakonisht konsumon më pak lëngje.

Këta faktorë ndikojnë në sistemin kardiovaskular dhe rrisin rrezikun për komplikime të shkaktuara nga nxehtësia.

Në një njoftim të publikuar të enjten, qyteti i Cyrihut bëri të ditur se gjatë vizitave në shtëpi, specialistët do të diskutojnë me të moshuarit vështirësitë që mund të kenë përballë vapës dhe do të ofrojnë këshilla praktike për t’i ndihmuar të përballojnë temperaturat e larta./Albinfo.ch