Lajme
Vullnetarët u vijnë në ndihmë refugjatëve
Kaosi i përditshëm në Preshevë të Serbisë. Mijëra refugjatë presin para qendrës së regjistrimit, policia përpiqet ta mbajë nën kontroll masën e njerëzve me kangjella metali.
Një i ri me mushama për t’u mbrojtur nga shiu ua mbush mendjen policëve që ta lënë të kalojë një grua shtatzënë.
Ai lë përshtypjen e një ndihmësi profesionist, por Skip Daniels është në fakt thjesht turist.
“Kam rreth një vit që udhëtoj nëpër Evropë. Në Beograd u ndesha papritur me temën e refugjatëve. Më ra si shok. Prandaj erdha spontanisht në kufirin serbo-maqedonas, sepse këtu është gjendja më e keqe”, thotë ai për DW. Skip është nga Los Angeles, sapo ka mbushur 19 vjeç, fle në sheshin e kampit në Preshevë dhe ka ndjesinë se po bën këtu diçka me rëndësi.
Shtatë kilometra më tej, në fshatin kufitar serb Miratovac, hoxha fton për faljen e drekës.
Gati të gjithë banorët këtu janë shqiptarë etnikë, edhe Dafina, e cila po përpiqet të qetësojë një fëmijë sirian. Më pak se 3000 banorë ka Miratovaci, 6000 deri 10000 refugjatë kalojnë çdo ditë këtu.
“Ne nga qendra e rinisë jemi dymbëdhjetë vetë këtu, ndajmë mushama shiu, informojmë njerëzit, ndihmojmë sa mundemi”, thotë Dafina.
Janë njerëz si Skip dhe Dafina që kujdesen që itinerari i Ballkanit të funksionojë.
Qeveritë e Maqedonisë dhe të Serbisë janë përqendruar krejtësisht në transportimin e mëtejshëm të refugjatëve.
Furnizimin me ushqim, pije, rroba e bëjnë Organizata e OKB-së për refugjatët dhe mijëra vullnetarë.
“Kam katër muaj këtu, në fillim nuk kishte as çadra dhe as WC. Tani po bëhet më mirë. Ka ujë, ushqim, batanije, të paguara shumica nga donacione private dhe Kryqi i Kuq është këtu”.
Kështu shprehet për DW në stacionin maqedonas të kufirit Tabanovce, Driton Maliqi, nga organizata islamike e ndihmës „Legis”.
Edhe për ndihmësit çdo ditë situata po rëndohet. Shiu i vazhdueshëm ka shkaktuar përmbytje në Maqedoni, natën temperaturat i afrohen zeros. Edhe në dimër, kur udhëtimi me varka bëhet më i rrezikshëm mes Turqisë dhe ishujve grekë, vala e refugjatëve nuk do të ndalet, thotë Driton Maliqi.
“Ka një rrugë të dytë, rruga tokësore midis Turqisë për në Greqi. Trafikantët kërkojnë për të më shumë para. 2500 dollarë nëpër male, në vend të 1000 dollarëve përmes detit, por shumë refugjatë nuk shohin rrugë tjetër. Unë flas arabisht me ta dhe ata më tregojnë se e kanë shitur të gjithë pronën që kishin, se lufta në Siri u ka hequr çdo shpresë. Lufta ka hyrë në vitin e pestë”.
Në muajt e dimrit ndihmësit privatë në itinerarin e Ballkanit janë edhe më të nevojshëm.
Të tjera nga Lajme
E-Diaspora
-
Lidhja e Mjekëve Shqiptarë në Zvicër zgjedh kryetarin e ri dhe mbyll me sukses simpoziumin shkencor Kuvendi u zhvillua në kuadër të një simpoziumi shkencor, i cili u përmbyll me sukses dhe... -
Ka nisur Simpoziumi i 7-të i Lidhjes së Mjekëve Shqiptarë të Zvicrës -
SHKA “Ilirët” nga Lozana, sot me program artistik në Monthey -
Folklori shqiptar mahnit publikun në festivalin “Vallet bashkojnë” në Stokholm -
Ramë Lahaj: Mërgata jonë është pasqyra më e mirë e identitetit tonë
Jeta në Zvicër
-
Bllokada në Hormuz: A rrezikon Zvicra furnizimin me gaz? Tensionet në Ngushticën e Hormuzit po rrisin shqetësimet për furnizimin me energji në Evropë, ndërsa dërgesat... -
Nga 1 prilli: Zvicra ndalon fishekzjarrët pas tragjedisë në Crans-Montana -
Zvicra rrezikon të bëhet “qendra e pakove” të Evropës -
Prishtina, e kërkuar sa Dubai: Ja ku udhëtuan zviceranët në vitin 2025 -
Aeroporti i Gjenevës raporton më pak pasagjerë













