Teolog

Xhabir Hamiti

Teolog

Radikalizmi dhe ekstremizmi, të ngjyrosura me fe, janë të dënueshme…devijime dhe shmangie nga rruga e vërtetë e Zotit- Krijuesit tonë”, thotë për “Albinfo.Ch”, Xhabir Hamiti, njëri nga profesorët më të dalluar të fesë islame në Kosovë

Feja islame nuk lejon që brenda saj të ketë grupe radikale apo ekstremiste, por lejon vetëm islamin që në themel ka paqen. Kështu deklaron në një intervistë për “Albinfo.Ch”, Xhabir Hamiti, prof.dr i shkencave islame dhe njëri nga zbatuesit e frymës liberale të islamit në Kosovë. Hamiti, i cili edhe vet ka rënë preh e grupeve radikale islame, thotë se literatura islame burimore autentike e mbështetur në Kur`an, nuk njeh islam radikal dhe as islam ekstremist, sepse që të dy këto janë në kundërshtim me parimet bazë të fesë. “Një njeri i cili beson në Zot, nuk mund të jetë edhe mysliman i devotshëm edhe radikal, siç nuk mund të jetë edhe mysliman i devotshëm edhe ekstremist”, tha ai.

Të gjitha aktet si, fyerja, dhuna, imponimi, vrazhdësia, lëndimi, vrasja e njerëzve të pafajshëm, vrasja në pabesi dhe ajo tinëzare, mund të jenë pjesë e një njeriu, i cili beson racionalisht në Zotin dhe në llogarinë që duhet dhënë para Tij. “Radikalizmi dhe ekstremizmi, të ngjyrosura me fe, janë të dënueshme…si devijime dhe shmangie nga rruga e vërtetë e Zotit- Krijuesit tonë’, thotë ai.

Hamiti, i cili është kryetar i Kuvendit të Bashkësisë Islame është zgjedhur edhe rektor i Fakultetin të Shkencave Islame në Prishtinë, por disa grupe radikale ia pamundësuan atë. Ai, megjithatë vazhdon rrugën e tij për të promovuar fenë islame ashtë siç është, origjinal, dhe pa ndërskamca.

Albinfo.ch: Z. Profesor Hamiti, jashtë Kosovës mendohet se jetojnë rreth një milion kosovarë. Sa mbahet feja në mërgim sipas informatave të juaja?

Hamiti: Kosovarët në vendet e Evropës perëndimore kanë filluar të emigrojnë pas luftës së Dytë Botërore, kryesisht si punëtor krahu për nevoja të tyre familjare dhe ekonomike. Në vitet e para të emigrimit, diku pas 1960-ve numri i tyre ishte i vogël, prandaj edhe organizimet kolektive të tyre të asaj kohë si; kulturore, politike dhe fetare kanë qenë të vështira për t`u realizuar, e për të mos thënë edhe in-ekzistence. Ndërsa, në tri dekadat e fundit, numri i emigrantëve tanë në diasporë është rritur dukshëm dhe sot kemi gjeneratën e tretë të pasardhësve tanë të lindur në këto vende. Me rritjen e numrit të emigrantëve është rritur edhe nevoja për kulte fetare, kështu që tani kemi dhjetëra xhami dhe kisha, të cilat mbikëqyren nga kosovarët në vend të ndryshme evropiane. Kosovarët të cilët në vendlindjen e tyre e kanë mbajtur fenë, mundësinë, kushtet dhe të drejtat për të praktikuar fenë i kanë edhe në migrim. Statistika të sakta se sa është numri praktikues i tyre nuk ka, mirëpo vlen të theksohet se edhe ata të cilët nuk janë praktikues të rregullt të fesë, veten e ndiejnë se janë pjesëtar të një besimit të caktuar qoftë islam apo të krishterë.

Albinfo.ch: A e dini përafërsisht sa xhamia janë jashtë Kosovës. Dhe a është e përfshirë edhe BIK-u në shpërndarjen e hoxhallarëve nëpër botë?

Hamiti: Xhamitë të cilat administrohen nga shqiptarët në diasporë, në përgjithësi nuk janë vetëm të kosovarëve. Ato kryesisht identifikohen si xhami të shqiptarëve, ku bëjnë pjesë të gjithë besimtarët e besimit Islam, të cilët flasin shqip, por edhe pjesëtar të nacionaliteteve tjera. Personat e ngarkuar me detyrë të imamit  janë të të gjitha trojeve shqiptare, të cilët zgjidhen nga këshillat e xhamisë së qyteteve të ndryshme në diasporë, që zakonisht formohen në baza vullnetare. Çdo këshill i xhamisë, i përbërë kryesisht prej civilëve, është i pavarur në punën dhe vendimmarrjen e tij, qoftë edhe në përzgjedhjen e imamit. BIK-së deri më tani ka mundur t`a luaj rolin e këshilluesit dhe propozuesit, por jo edhe të vendimit dhe përcaktimit të një imami të caktuar, jashtë vullnetit të një  këshilli të një xhamie kudo në diasporë. Në këtë çështje BI e Maqedonisë deri diku qëndron më mirë, sepse sipas informacioneve që kam imamët e Maqedonisë nuk mund të shërbejnë në diasporë pa miratimin e BI të Maqedonisë. Në disa vende si Zvicra, Gjermania, Austria dhe SHBA ekzistojnë unione të cilat i bashkojnë xhamitë shqiptare, mirëpo jo në nivelin bashkëpunues të duhur. Llogaritet se në diasporë, përfshirë edhe SHBA, Kanadanë dhe Australinë, numri i xhamive të cilat administrohen nga vet shqiptarët, të jetë diku rreth 150 xhami.

Albinfo.ch: Në Kosovë kohën e fundit është duke u theksuar gjithnjë e më shumë një lloj islam më radikal, ose thënë ndryshe, një lloj islami që nuk e kanë zbatuar shqiptarët më herët. A po manifestohet edhe në perëndim e njëjta “shkollë” e islamit?

Hamiti: Më lejoni që në fillim të sqarojë për opinionin e gjerë se, literatura islame burimore autentike e mbështetur në Kur`an, nuk njeh islam radikal dhe as islam ekstremist, sepse që të dy këto terme bashkëkohore janë në kundërshtim të drejtpërdrejtë me parimet dhe principet bazë të fesë. Një njeri i cili beson në Zot, nuk mund të jetë edhe mysliman i devotshëm edhe radikal, siç nuk mund të jetë edhe mysliman i devotshëm edhe ekstremist. Të gjitha aktet si; fyerja dhuna, imponimi, vrazhdësia, lëndimi, vrasja e njerëzve të pafajshëm, vrasja në pabesi dhe ajo tinëzare, pastaj ndalimi i shkollimit të femrave etj.etj., nuk mund të jenë pjesë e një njeriu, i cili beson racionalisht në Zotin dhe në llogarinë që duhet dhënë para Tij. Radikalizmat dhe ekstremizmit, të ngjyrosura me fe, janë të dënueshme si nga ekspertë e fesë e njashtu edhe nga institucionet larta akademike islame kudo në botë,  si  devijime dhe shmang-je nga rruga e vërtetë e Zotit- Krijuesit tonë.

Tendencat për të ndryshuar qasjen dhe mënyrën e predikimit dhe praktikumit të disa riteve fetare të vijës tonë tradicionale 600 vjeçare, të bazuar në shkollën juridike hanefite tek ne, janë evidente që nga vitet e 1990-ta, pra menjëherë pas rënies së sistemit komunist, kurse ato dukshëm janë rritur në dekadën e fundit. Edhe në diasporë janë themeluar ca xhami të caktuara, të cilat pasojnë programe dhe mënyrë tjetër të predikimit dhe praktikumit islam çeshit nga pjesa tjetër shumicë e pjesëtarëve mysliman të kombit tonë, por fatmirësisht që nuk është numër i madh i tyre.
Konsideroj se uniteti fetar për ne është si alfa dhe omega dhe si ajri që frymojmë. Nuk ka qenë dhe nuk është asnjëherë porosi e Zotit, që në emër të fesë të përçahen besimtarët e njëjtës fe dhe të njëjtit komunitet fetar si dhe as që në emër të fesë të ndihen të kërcënuar e të rrezikuar pjesëtarët e feve tjera.

Albinfo.ch: Sa mund të paraqet rrezik (në aspektin e ndërkombëtarizimit), salefizmi ndër shqiptar?

Hamiti: Shoqërive islame bashkëkohore në përgjithësi, duke mos përjashtuar as shumicën e besimtarëve mysliman të kombit tonë, nuk i duhet as konservatizmi vehabist e as shiizmi ekstrem, ky në fakt ishte konstatim edhe i studiuesit më të njohur të trojeve shqiptare, profesorit dhe pedagogut Sherif Ahmeti, ndryshe përkthyes dhe komentues i Kur`anit në gjuhën shqipe, vdiq në vitin 1997 . Selefizmi, si term fetar dhe politik i kohë së sotme, i shfaqur në vitet e fundit të shekullit XX-të, është nëndegë e vehabismit, dhe formë e veçantë e interpretimit të mësimeve islame, e cila nuk njeh asnjërin nga shkollat kryesore juridike të fesë Islame të pranuara me konsensus të dijetarëve islam të të gjitha kohrave dhe të pranuara botërisht. Si formë e tillë e veçantë, e interpretimit dhe predikimit selefizimi është gjetur dhe krijuar qëllimisht,  për t`u shkëputur  nga trungu i përgjithshëm i Islamit dhe i myslimanëve, dhe si tillë po e luan rolin e brejtësit dhe përçarjes së radhëve shumicë të myslimanëve. Shqiptarët si kurrë më parë, janë të zotët e tyre që vet të shpjegojnë dhe kultivojnë fenë e tyre, pa imponime dhe pa tutorë të jashtëm, dhe të seleksionojnë dhe shoshitin çdo element i cili dëmton interesin e përgjithshëm të fesë dhe të kombit. Është e vërtetë se janë derdhur shumë mjete nga institucione dhe individ, kryesisht privat të vendeve të botës arabe dhe jashtë saj, për të futur këtë formë të interpretimit të Islamit edhe në mesin tonë, sidomos pas luftës në Kosovë, me qëllim të përçarjes dhe shkëputjes  së besimtarëve tanë nga vija shekullore e formës mesatare dhe racionale të mësimeve islame, dhe me qëllim edhe të paraqitjes së Kosovës karshi Evropës si vend me orientim konservativ fetar. Mirëpo, fatmirësisht, qytetarët dhe besimtarët tanë, dita ditës,  këtë qasje fetare, po e shohin si therë të huaj në trupin e tyre të shëndosh dhe jo diçka si të denjë që ja vlen për t’u pasuar.

Albinfo.ch: Ju jeni njëri nga profesorët që e keni sfiduar këtë rrymë, por edhe vet keni rënë preh e grupeve radikale, ose grupeve që nuk e pranojnë mendimin ndryshe. A janë të rrezikuar predikuesit tradicional të fesë islame në Kosovë?

Hamiti: Nuk është çështja se a janë të rrezikuar vetëm interpretuesit tradicional të fesë islame në Kosovë nga kjo rrymë, por problemi është më i gjerë dhe më gjithëpërfshirës. Radikalizmat dhe eksremizmat në fe kudo janë devijime, pra nuk janë feja, prandaj si të tilla janë të rrezikshme për gjithë shoqërinë e jo vetëm për predikuesit tradicional autokton. Veprimet irracionale, të pamatura, nxitësurrejtëse, kërcënimet, imponimet e dhunshme, sjelljet e vrazhdëta dhe të ngurta, fyerja e të tjerëve, sanksionimi i të drejtave elementare të njeriut në emër të fesë dhe shumë veprime tjera anti-humane  janë akte kundër parimeve të Kur`anit dhe assesi  cilësi dhe virtyte të një besimtari me besim të shëndosh dhe të denjë në Zotin e Madhërishëm. Në Kur`an Zoti thotë se, njerëzit janë të krijuar në popuj e fise të ndryshëm, me raca dhe ngjyra të ndryshme, që flasin gjuhë të ndryshme, se Zoti sikur të donte të gjithë njerëzit do ti bënte pasues të një feje të vetme, se në fe nuk ka dhunë, se thirrja për besim në Zot duhet të bëhet në formën dhe mënyrën më të butë të mundshme, se Muhammedi a.s detyrë të tij kishte vetëm përkujtimin e mesazhit të Zotit në tokë dhe jo mbizotërimin e zemrave të njerëzve dhe se njerëzit nuk duhet urryer  e nënçmuar vetëm pse nuk besojnë etj.etj. Prandaj nëse këto janë porosi të Zotit në Librin e tij Kur`ani, atëherë të gjitha veprimet të cilat bien në kundërshtim me këto parime dhe mësime nuk kanë mbështetje burimin e parë të Islamit Kur`anin e as praktikën autentike të Muhammedit a.s.

Albinfo.ch: Ju, profesor jeni dekan i Fakultetit të Studime Islame në Prishtinë? Sa studentë i ka ky fakultet dhe kush e financon këtë?

Hamiti: Keni të drejtë kur më quani dekan, sepse unë jam zgjedhur dekan, por në fakt kandidatura ime është përmbysur dhunshëm dhe padrejtësisht nga Kryesia e BIK-së, e cila ka ndërhyrë në formë klasike në rrënimin e autonomisë akademike dhe administrative të Fakultetit, e cila për ta pa mundësuar zgjedhjen time të lirë nga ana e profesorëve konformë kritereve dhe normave akademike, pat demoluar natën ndërtesën e Fakultetit. Me rrënimin e autonomisë akademike është rrënuar edhe e ardhmja e Fakultetit, sepse aty më nuk vendosin kriteret akademike, por preferencat e Kryesisë. Gjatë kësaj kohe, po ashtu janë dhënë edhe tituj dhe thirrje të reja akademike, në stilin “ unë ty- ti mua” !. Fakulteti tani e dy vite udhëhiqet nga një dekan i pensionuar, i përzgjedhur dhe i emëruar nga vet Kryesia e BIK-ut, në formë klandestine.

Albinfo.ch: A ka edhe studentë nga diaspora në FSI?

Hamiti: Ka një numër simbolik të tyre . Studentë në FSI-së kryesisht gravitojnë nga trojet tona shqiptare.

Albinfo.ch: Pse UP nuk e ka pranuar në gjirin e saj edhe FSI-në?

Hamiti: Senati i Universitetit të Prishtinën para gati një viti ka marr vendim  për inkuadrimin e FSI-së në kuadër të Universitetit të Prishtinës, mirëpo që nga ndërhyrja e Kryesisë së BIK-së në pavarësinë akademike dhe administrative të FSI-së, në vitin 2010, ku rrënoi dhe nëpërkëmbi autonominë akademike të FSI-së, dhe largojë mësimdhënës kredibil nga mësimdhënia, duke i zëvendësuar më të tjerë pa tituj shkencor me vendosje të rojës “security” në hyrje të ndërtesës, për t`i parandaluar të gjithë profesorët mbështetës të kandidaturës tonë, prandaj këto veprime dhe të tjera  kanë qenë prova të mjaftueshme,  që Universiteti akoma të mos e ekzekutoi vendimin e vet në lidhje me FSI-së. Ndryshe, FSI-ja, i themeluar në vitin 1992, është institucion tepër i rëndësishëm për nxjerrjen e kuadrove vendore në fushën e studimeve islame, një veprim të cilin sot po e bëjnë edhe shumë universitete të shumë vendeve evropiane. Avancimi i këtij fakulteti nënkupton edhe avancimin e mendimit akademik fetar vendor.

Albinfo.ch: Z, Hamiti. Kosova ka nevojë për njohje nga shumë vende, edhe nga bota arabe. Pse shtetet me shumicë islame nuk e njohin Kosovën. Ku është defekti?

Hamiti: Sot, kemi të bëjmë me probleme jashtëzakonisht të mëdha të botës arabe në përgjithësi, e në veçanti të vendeve të cilat e kanë kaluar fruthin e pranverës arabe, e që nuk po mund të konsolidojnë qeveritë e tyre të reja për të udhëhequr vendin denjësisht. Kurse, një pjesë vendeve të tjera, vazhdojnë të mbajnë mardhënie të ngushta me Rusinë, e cila vazhdimisht po u bënë presion, që të mos ta njohin Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran. Me konsolidimin e vendeve arabe, të cilat një kohë të gjatë ishin aleat të bllokut socialist, besojë fuqishëm se njohjet nuk do të mungojnë në të ardhmen.

Albinfo.ch: Këtë vit, do të mbahet zgjedhjet për myfti të Kosovës, a do të jeni kandidat për këtë post të rëndësishëm dhe për vendin ?

Hamiti: Kërkesat e shumë punonjës të BIK-së dhe të besimtarëve të vendit  në përgjithësi, çdo ditë e më shumë po rriten që unë të marr në dorë udhëheqjen e BIK-së gjatë mandatit të ardhshëm. Besojë se me ndihmën e të gjithëve, me vullnet të mirë dhe të sinqertë, gjërat në BIK-së do të vendohen në binar të duhur, të cilat kanë devijuar skjashmërisht së fundi, në mungesë të një riorganizimi të brendshëm administrativ si dhe të një vizioni dhe vije të qartë karshi besimtarëve dhe opinionit në përgjithësi.

Albinfo.ch: Cili është mesazhi i juaj për besimtarët në diasporë?

Hamiti: Urojë të gjithë motrave dhe vëllezërve shqiptarë, kudo që janë në mërgim, që të kenë një jetë të qetë e të rehatshme familjare dhe që vendin e lindjes dhe prejardhjes së tyre mos t`a harrojnë kurrë. Ndërsa të gjithë besimtarëve të besimit Islam, urojë që të kenë kaluar një atmosferë të këndshme gjatë muajit të shenjtë të Ramazanit dhe që festën e Fitër Bajramit të e kalojnë në ambient të ngrohtë familjar, duke lutur Zotin e Madhërishëm, që të ju dhurojë shëndet dhe gjithë të mirat në jetë !

M.SH.

 Biografi e shkurt

  • Emri, MbiemriXhabir Hamiti
  • Prejardhja:Bllate-Podujeve-Kosovë
  • Vendi ku vepron:Prishtinë-Kosovë
  • Profesioni:Teolog

  WHO’S WHO të tjera