Lajme
Zelensky: 200 mijë trupa paqeruajtëse për marrëveshjen e mundshme të paqes me Rusinë
Derisa presidenti amerikan, Donald Trump, është duke i shpeshtuar thirrjet për një marrëveshje paqeje në Ukrainë, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky paraqiti një ide për një forcë paqeruajtëse evropiane me 200.000 trupa.
I pyetur më 22 janar gjatë një paneli diskutimi për numrin e një force paqeruajtëse për ta garantuar një marrëveshje armëpushimi me Rusinë në të ardhmen, Zelensky tha: “Nga të gjithë evropianët? Të paktën 200.000 [trupa]. Ky është minimumi, përndryshe është e kotë”.
Zelensky, duke folur në Forumin Ekonomik Botëror në Davos të Zvicrës, tha se një forcë e tillë paqeruajtëse do të ishte vetëm njëra nga pjesët e garancive të përgjithshme të sigurisë që do t’i nevojiteshin Kievit, në rast se fillojnë bisedimet për armëpushim me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin.
Më herët, Zelensky tha për Bloomberg News se për të qenë efektive një forcë paqeruajtëse, pjesë e saj duhet të jenë patjetër edhe trupat amerikane.
“Nuk mund të jetë pa Shtetet e Bashkuara”, tha ai për Bloomberg.
“Së pari, askush nuk do të rrezikojë pa Shtetet e Bashkuara. Së dyti, kjo mund ta ndajë NATO-n, t’i ndajë Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian. Është ëndërr e Putinit ta ndajë këtë aleancë”, shtoi ai.
Një forcë paqeruajtëse prej 200.000 trupash do të ishte përpjekje e paparë për Evropën, shumë më e madhe se forcat individuale të shumicës së kombeve. Misioni ndërkombëtar i udhëhequr nga NATO-ja në Bosnje e Hercegovinë arriti kulmin në vitin 1996 me 60.000 trupa, rreth një e treta e tyre nga Shtetet e Bashkuara.
Zelensky tha se një forcë kaq e madhe ndërkombëtare do të ishte e nevojshme duke pasur parasysh se personeli i Ushtrisë së Rusisë tejkalon shifrën prej 1.5 milion, ndërsa Ukraina ka vetëm gjysmën e këtij numri.
Vendosja e një një force të huaj ushtarake në Ukrainë po diskutohet me vende që mund të jenë të gatshme të marrin pjesë, tha Zelensky gjatë një konference për shtyp me kryeministrin britanik, Keir Starmer, më 16 janar.
Shtypi britanik raportoi gjithashtu se Starmer dhe presidenti francez, Emmanuel Macron, kanë biseduar për mundësinë e dërgimit të ushtarëve në Ukrainë si një forcë paqeruajtëse pas arritjes së ndonjë marrëveshjeje për t’i dhënë fund luftës.
Në ditët e fundit, Trumpi ka bërë komentet më të ashpra deri më sot ndaj Putinit, për të cilin shpesh ka folur me admirim.
Më 22 janar, Trumpi, duke iu drejtuar homologut të tij rus me emër, paralajmëroi Moskën se do të përballet me tarifa, taksa dhe sanksione të reja “të larta” nëse nuk e ndalë shpejt pushtimin e plotë të Ukrainës.
Një ditë më herët, ai sugjeroi se do të vendoste sanksione shtesë ndaj Rusisë, nëse Putini nuk do të pranonte bisedimet për paqe për t’i dhënë fund luftës.
Dhe më 20 janar, në ditën e parë pas marrjes së mandatit të ri, Trump tha se Putini po e “shkatërron” Rusinë duke mos pranuar të bëjë një marrëveshje për t’i dhënë fund luftës.
“Ai duhet ta bëjë një marrëveshje. Mendoj se po shkatërron Rusinë duke mos e bërë një marrëveshje”, tha Trump.
Rusia i ka derdhur qindra miliarda dollarë për luftën, ka pësuar rreth 700.000 viktima dhe ka zemëruar fqinjët e saj, derisa gjithashtu ka sakrifikuar tregun fitimprurës evropian të gazit dhe qasjen në tregjet financiare perëndimore, gjë që ka çuar në rënien e vlerës së rublës.
Kremlini po e shpenzon rreth 40 për qind të buxhetit të tij për ushtrinë dhe po has në vështirësi të mëdha për ta frenuar inflacionin pavarësisht normave të interesit mbi 20 për qind.
Lufta në Ukrainë filloi në vitin 2014 me pushtimin dhe aneksimin e paligjshëm të Gadishullit të Krimesë nga Kremlini dhe u përshkallëzua me pushtimin e plotë të saj nga Rusia në shkurt 2022. /Radio Evropa e Lirë
E-Diaspora
-
Abdixhiku i drejtohet mërgatës: “Më 28 dhjetor, ejani dhe shpëtojeni Kosovën” “Më 28 dhjetor, ejani në Kosovë. Ejani me avionë. Ejani me autobusë. Ejani me vetura. E... -
“Netzwerk Dua”, inteligjenca që mbron pronën tënde në Zvicër -
Albin Kurti në Cyrih: Siguria si garanci e paqes dhe shtetndërtimi si përgjegjësi historike -
Kurti në Cyrih: Mërgata nuk është rezervë emocionale, por forcë zhvillimi dhe shtyllë e shtetit -
Gjykata Federale mbështet dënimin e shtetasit kosovar për tentativë vrasjeje
Jeta në Zvicër
-
Ish kandidatja për Miss Zvicra ishte kontaktuar gjithashtu nga Epstein Historia e saj është përfaqësuese e një kohe kur burra të fuqishëm e përdornin industrinë e... -
“Netzwerk Dua”, inteligjenca që mbron pronën tënde në Zvicër -
Zvicër: Fondet mjaftojnë vetëm për 24 avionë luftarakë në rast ekstrem -
Gjykohet një mercenar zviceran që ka luftuar për Ukrainën -
Ticino: Gjenden 40 kilogramë kokainë në makinën e serbit dhe italianes











