Lajme
Zvicër: Përplasje mbi masat shtrënguese, kantonet ndihen të përjashtuara
Konsultimi publik mbi paketën e masave shtrënguese të propozuara nga Këshilli Federal mbyllet sot, ndërkohë që qeveritë kantonale kanë ngritur shqetësime të forta për faktin se janë lënë jashtë procesit të hartimit. Kritikët thonë se propozimet minojnë balancën federale dhe vendosin barrë të padrejtë mbi kantonet, shkruan SRF, transmeton albinfo.ch.
Në qendër të debatit është arsimi — një kompetencë tradicionale kantonale — ku pritet të aplikohen shkurtimet më të mëdha. Qeveria federale synon të reduktojë shpenzimet në këtë fushë, por pa marrë përsipër koston politike apo financiare të zbatimit. Në vend të kësaj, kantonet do të detyrohen të mbulojnë vetë kostot ose të reduktojnë shërbimet për qytetarët.
“Fakti që Berna përcakton drejtimin dhe kantonet mbajnë pasojat është i papranueshëm,” thuhet në një reagim të përbashkët nga disa qeveri kantonale.
Një studim i fundit i universiteteve të Lozanës dhe Kentit, që analizoi zhvillimin e federalizmit zviceran nga 1848 deri më sot, vëren një trend në rritje të ndërhyrjeve federale në politika që historikisht kanë qenë në kompetencë kantonale. Megjithëse ekzekutimi ende mbetet në nivel lokal, kantonet ndihen gjithnjë e më shumë si zbatues të direktivave të hartuara në Bernë, transmeton albinfo.ch.
Rahel Freiburghaus nga Universiteti i Bernës thekson se kantonet janë të pafavorizuara në këtë proces. “Procesi i konsultimit shpesh ndodh shumë vonë. Kushdo që dëshiron ndikim real, duhet të jetë pjesë e hartimit që në fillim,” thotë ajo. Ajo shton se përfaqësimi i kantoneve në Këshillin e Shteteve nuk garanton interesat e tyre, pasi senatorët zgjidhen drejtpërdrejt nga qytetarët dhe jo nga qeveritë kantonale.
Ndërkohë që kantonet teorikisht mund të përdorin instrumente si referendumi për të sfiduar vendimet federale, praktikisht kjo ndodh rrallë për shkak të kompleksitetit dhe kostove të larta.
Sipas Freiburghaus, një model bashkëpunimi më i ngushtë mes niveleve të qeverisjes do të ishte më efikas. Ajo përmend si shembull pozitiv Rrjetin Zviceran të Sigurisë, ku qeveria federale dhe kantonet përfaqësohen në mënyrë të barabartë dhe punojnë së bashku për çështje si lufta kundër ekstremizmit apo reagimi ndaj fatkeqësive natyrore. Përmbytjet e fundit në Valais treguan se bashkëpunimi federal-kantonale mund të funksionojë me sukses, transmeton albinfo.ch.
E-Diaspora
-
Hektor Krasniqi, futbollisti që la Austrinë për të ndërtuar ëndrrën e tij në Kosovë Hektor Krasniqi mori një vendim që do t’i ndryshonte jetën: të linte pas futbollin austriak dhe... -
Kuvendi i Shqipërisë miratoi ligjin për Diasporën -
Qendra e Botimeve për Diasporën uron Ditën Kombëtare të Diasporës dhe Ditën Ndërkombëtare të Migracionit -
Emily Munishi ngjitet në elitën kombëtare U18 në gjimnastikë artistike -
Dr. Përparim Limani, në krye të Kirurgjisë Onkologjike në Aarau
Jeta në Zvicër
-
Ferma më e lartë e erës në Evropë ndodhet në Zvicër Në 2,465 metra lartësi: Ferma e erës Gries, rekord evropian... -
Kaosi i Krishtlindjeve në aeroportet zvicerane: Si të udhetoni pa stres -
Mungesë e vaksinës kundër gripit në Zvicër për shkak të kërkesës së lartë -
Emily Munishi ngjitet në elitën kombëtare U18 në gjimnastikë artistike -
UBS planifikon shkurtime vendesh pune në janar











