Lajme

Zvicra kryeson Evropën për jetëgjatësi, gratë jetojnë më gjatë se burrat

Sipas të dhënave të Eurostat për vitin 2024, mesatarja e jetëgjatësisë në Zvicër është 84.2 vjet, me kantonin e Ticinos në krye të listës rajonale.

Zvicra është vendi me jetëgjatësinë më të lartë në Evropë, sipas të dhënave të publikuara nga Eurostatpër vitin 2024. Mesatarja kombëtare e jetëgjatësisë është 84.2 vjet, duke e vendosur vendin në krye të listës evropiane, përpara Spanjës (84 vjet) dhe Suedisë (83.8 vjet), transmeton albinfo.ch.

Në 25 vitet e fundit, Zvicra ka qëndruar kryesisht në vendin e parë ose të dytë për jetëgjatësi në Evropë.

Nga rajonet zvicerane, kantoni i Ticinos kryeson me 85.2 vjet, i ndjekur nga rajoni i Liqenit të Gjenevës (Gjenevë, Vaud, Valais) me 84.6 vjet. Të gjitha rajonet e tjera zvicerane renditen ndër 40 rajonet kryesore në Evropë.

Statistikat tregojnë gjithashtu një diferencë gjinore: gratë zvicerane jetojnë mesatarisht 3.5 vjet më gjatë se burrat, me 85.9 vjet për gratë dhe 82.4 vjet për burrat.

Këto të dhëna reflektojnë standardin e lartë të jetesës dhe sistemit shëndetësor zviceran, duke e bërë Zvicrën një nga vendet më të mira për jetëgjatësi në Evropë./Albinfo.ch