Jeta në Zvicër

Zvicra, së shpejti zgjidhje kompromisi me BE-në?

Kompromisi parasheh që Zvicra të vazhdojë mos zgjerimin e lëvizjes së lirë me Kroacinë por që megjithatë të lejojë qëndrimin e shtetasve kroatë me të njëjtat lehtësira

Bllokimi që i është bërë bashkëpunimit me Zvicrën nga BE-ja në disa fusha pas miratimit të iniciativës kundër migrimit masiv duket se do të ketë një zgjidhje të shpejtë. Mes tjerash BE-ja kishte pezulluar pjesëmarrjen e Zvicrës në programin e bashkëpunimit shkencor Horizon 2020 dhe në atë për shkëmbimin e studentëve Erasmus +.  

Qarqet diplomatike kanë thënë për srf.ch se gjatë 48 orëve në vijim mund të arrihet një kompromis në këtë drejtim. Shtetet e BE-së do të diskutojnë sot nëse do të pranojnë kompromisin ose jo. Në rast se kjo ndodh, nesër këtë marrëveshje kompromisi do ta miratojnë të dyja palët, në Bruksel dhe në Bernë. Qeveria e Zvicrës do të mbajë të mërkurën një këshillim dhe pas kësaj pritet ta komunikojë marrëveshjen eventuale.

Ky kompromis parasheh që Zvicra të vazhdojë mos zgjerimin e lëvizjes së lirë me Kroacinë por që megjithatë të lejojë qëndrimin e shtetasve kroatë në Zvicër me të njëjtat lehtësira. Kjo quhet “zgjidhje De-facto”. Në këtë mënyrë Kroacia formalisht nuk do të ishte e përfshirë në marrëveshje por realisht do të gëzonte të gjitha përparësitë që i kanë edhe vendet tjera të BE-së.

Nga ana tjetër, ky kompromis do t`ia hapte dyert Zvicrës për pjesëmarrje në programin Erasmus etj.