Lajme

Zvicra shpall 5 ditë zi kombëtare pas tragjedisë në Crans-Montana

Pesë ditë zi kombëtare në Zvicër pas tragjedisë në Crans-Montana

Zvicra ndodhet në zi kombëtare pas tragjedisë së rëndë që ndodhi gjatë natës së Vitit të Ri në barin “Le Constellation”, brenda resortit luksoz të skive Crans-Montana. Deri tani, autoritetet kanë raportuar 47 viktima dhe 115 të plagosur, ndërsa shumë prej të prekurve janë shtetas të huaj, përfshirë italianë, disa prej të cilëve ende rezultojnë të zhdukur. Shumica e të lënduarve janë të rinj, të moshave 16–26 vjeç, transmeton albinfo.ch.

Si reagim ndaj tragjedisë, qeveria zvicerane ka shpallur pesë ditë zi kombëtare, ndërsa aktivitetet festive në resort janë anuluar dhe komuniteti lokal po nderon viktimat me lule dhe mesazhe ngushëllimi.

Reagimi i Presidentit zviceran

Presidenti i Konfederatës Zvicerane, Guy Parmelin, e cilësoi ngjarjen si një nga tragjeditë më të rënda në historinë e vendit. Ai vizitoi Crans-Montana-n së bashku me përfaqësues të lartë të kantonit Valais, duke shprehur solidaritetin e qeverisë me familjet e viktimave dhe personave të zhdukur. Parmelin premtoi se Zvicra do të bëjë gjithçka për të zbardhur shkaqet e ngjarjes dhe për të parandaluar përsëritjen e saj.

Ai vuri në dukje se një pjesë e madhe e viktimave janë të rinj dhe falënderoi vendet fqinje, përfshirë Italinë, Francën dhe Gjermaninë, për mbështetjen e ofruar. Gjithashtu, Parmelin vlerësoi përkushtimin e ekipeve të shpëtimit, të cilat rrezikuan jetën për të ndihmuar të plagosurit.

Ndihma ndërkombëtare dhe trajtimi i të lënduarve

Autoritetet zvicerane po fokusohen kryesisht te identifikimi i viktimave, një proces që pritet të zgjasë për shkak të përfshirjes së shumë shtetasve të huaj. Në operacionet e shpëtimit janë angazhuar dhjetëra ambulanca, helikopterë dhe mbi 150 shpëtimtarë, ndërsa të lënduarit u dërguan në spitale të ndryshme të vendit.

Italia ka konfirmuar se 12–15 shtetas italianë janë të shtruar në spitale zvicerane, disa në gjendje të rëndë, ndërsa 16 të tjerë rezultojnë të zhdukur. Një pjesë e të plagosurve do të transferohen për trajtim në Itali.

Hetimet paraprake tregojnë se zjarri u përhap shumë shpejt përmes fenomenit të quajtur “flashover”, duke përfshirë të gjithë ambientin, ndërsa autoritetet kanë përjashtuar mundësinë e një akti të qëllimshëm.