Shkurt.ch

Boshnjakët, para shqiptarëve në mesin e xhihadistëve nga Zvicra

Nga Zvicra në xhihad deri tash kanë shkuar 72 persona. 25 prej tyre kanë pasaportë zvicerane ndërsa 8 nuk kanë prejardhje të huaj. Këta të fundit janë zviceranë autoktonë, që janë konvertuar në islam

Një hulumtim i realizuar nga Tagesanzeiger.ch/Newsnet, i cili sipas autorëve i ka marrë mbi dy vjet punë, është kurorëzuar me një “hartë” të xhihadistëve të Zvicrës. Aty ofrohen të dhëna mbi prejardhjen etnike, pastaj atë regjionale (brenda Zvicrës) të atyre që i janë bashkuar ISIS-it, moshën, gjininë, mënyrën e radikalizimit dhe rekrutimit etj.

Nga Zvicra në xhihad deri tash kanë shkuar 72 persona. 25 prej tyre kanë pasaportë zvicerane ndërsa 8 nuk kanë prejardhje të huaj, transmeton albinfo.ch. Këta të fundit pra janë zviceranë autoktonë, që janë konvertuar në islam. Në numrin e përgjithshëm, të huajt me prejardhje nga Ballkani janë dukshëm më të përfaqësuar, gjë që edhe kuptohet pasi që ballkanasit përbëjnë numrin më të madh të rreth 350 mijë myslimanëve të Zvicrës. Pas tyre vijnë arabët nga Sfrika e Veriut dhe më tutje kurdët, turqit, italianët dhe somalezët.

Është interesante se në “hartën” që tregon prejardhjen e xhihadistëve të Zvicrës, boshnjakët janë bindshëm të parët. Kjo, mund të shpjegohet, vazhdon gazeta, me faktin se në luftën e Bosnjës për herë të parë në truallin evropian kanë marrë pjesë edhe xhihadistë të huaj, para së gjithash, arabë. Pas luftës, salafistët kishin ngritur atje fshatra dhe enklava të tyret, përcjell albinfo.ch. Dhe, këto “emirate” të vogla boshnjake pastaj janë dalluar si vatra të radikalizimit dhe të rekrutimit për xhihad, me një rreze ndikimi deri në Zvicër. Këtë e dëshmon edhe fakti se ndër të parët, që, pas shpërthimit të revolucionit sirian në vitin  2011 udhëtuan drejt zonës së krizës ishin një grup i tërë shtetasish të Bosnjës nga Zvicra, të cilët kishin lidhje me ekstremistët boshnjakë në botë.

Më tutje artikulli bën përllogaritjen e pjesëmarrjes në xhihad të myslimanëve  me qëndrim në Zvicër. Me 0.2 për promilë xhihadistë nga 350 mijë myslimanë sa jetojnë këtu, Zvicra ka më tre herë më pak xhihadistë se sa për shembull Belgjika, transmeton albinfo.ch. Ndërsa, krahasuar me vende si Kosova, Serbia dhe Maqedonia, natyrisht, prania e xhihadistëve nga Zvicra është edhe shumë më e ulët. Është interesante ndërkaq, se pjesëmarrja e xhihadistëve në popullatën e Shqipërisë dhe të Bosnjës është më e ulët se ajo në Zvicër!

Shikuar sipas qyteteve dhe regjioneve, qyteti Winterthur me 1.47 promilë është në krye të listës. Gjysma prej 12 vetave sa i janë bashkuar xhihadit nga ky qytet, janë me prejardhje ballkanike. Pastaj vjen qarku Arbon i Thurgaut me 1.29 promilë ndërsa në vendin e tretë vjen Lozana me 1.06 promilë. Këtu bëhet fjalë kryesisht për myslimanë me prejardhje nga Bosnja.