Lajme
Gazin lotsjellës e hodhi Albin Kurti
Kjo seancë, e cila u përcoll edhe me kërcënime, fishkëllima të pipëzave, gjuajtje me ujë e vezë, ishte më e dhunshmja që nga përfundimi i luftës dhe konsolidimit të Kuvendit të Kosovës
Ish lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti ishte ai që ndezi fitilin e gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës, duke detyruar ligjvënësit dhunshëm t’i ndërprenë punimet e seancës plenare. Nga gazi lotsjellës, dy deputete nga partia më e madh parlamentare- PDK u alivanosën e madje në hollin e sallës pësuan edhe zyrtarë nga ambasada e SHBA-ve.
Kjo seancë, e cila u përcoll edhe me kërcënime, fishkëllima të pipëzave, gjuajtje me ujë e vezë, ishte më e dhunshmja prej përfundimit të luftës dhe konsolidimit të Kuvendit të Kosovës. Bllokimi i seancës nga opozita ishte me kërkesën që kryeministri Isa Mustafa t’i tërheq nënshkrimet nga dy marrëveshjet e fundit, për Asociacionin e komunave serbe me Serbinë dhe për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi.
Hedhja e gazit lotsjellës, pasoi dështimin e opozitës për ta bllokuar vazhdimin e seancës plenare me bllokimin foltores dhe fishkëllima. Mazhuranca u munda që e procedurë të shpejtuar t’i kontrabandojë disa projektligje, duke drejtuar seancën jo kryeparlamentari Kadri Veseli, por zëvendësi i tij Xhavit Haliti. Ky i fundit i rrethuar nga deputetët e shumicës u munda ta udhëheq seancën, edhe pse përmbi të u derdh një shishe me ujë nga deputeti Kurti.
Kur e pa opozita se nuk po arrin ta bllokoj punën e Kuvendit, atëherë Albin Kurtin e furnizoi me lotsjellës deputetja Albulena Haxhiu dhe Kurti shkrepi gazin, nga i cili pësuan keq deputetet e PDK-së, Flora Brovina dhe Blerta Deliu, të cilat u alivanosen.
Sipas një komunikate të Lëvizjes Vetëvendosje, gazi lotsjellës që u hodh në Kuvendin e Kosovës është marrë nga aktivistët e kësaj partie politike gjatë protestave të janarit, kundër ish-ministrit serb në qeverinë e Kosovës, Aleksandar Jabllanoviq.
Një veprim i tillë i Vetëvendosjes dhe dy partive tjera opozitare, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës për Kosovën, sipas shefit të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Adem Grabovci ishte një veprim i hidhur që një parti politike ndërmerr në institucionin e përfaqësuesve të popullit.
“Për hir të qytetarëve të Kosovës ne e përballojmë edhe këtë dhe do të bëjmë përpjekje me çdo kusht që të kthejmë normalitetin në Kuvendin e Kosovës. Shpresoj dhe besoj fuqishëm te qytetarët e Kosovës se do të vlerësojnë këtë situatë dhe do të shohin fytyrat e vërteta të gjithsecilit”, ka theksuar Grabovci.
Veprimet e opozitës, shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ismet Beqiri i ka cilësuar të turpshme.
“Edhe sot nëse këta që janë thirrur në veprime demokratike e marrin guximin dhe thonë se edhe këto që ndodhën ishin veprime demokratike, atëherë ky është turpi më i madh që mund të thonë dhe po e them se këto janë veprime kundër shtetit të Kosovës”, ka deklaruar Beqiri.
Deputetja e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu ka theksuar se veprimet e opozitës nuk ndalen deri në zhbërjen e kësaj marrëveshjeje ose në dorëheqjen e kryeministrit dhe Qeverisë së Kosovës.
“Ne nuk do të ndalemi, nuk do të zmbrapsemi përderisa Isa Mustafa të mos i tërheq nënshkrimin nga marrëveshjet e fundit” ka thënë Haxhiu.
Shefja e grupit Parlamentar të AAK-së, Donika kadja Bujupi thotë se opozita do të vazhdojë vazhdon të jetë e palëkundur në kundërshtimin e dy dështimeve, siç e uqan ajo, historike të kësaj qeverie: Demarkacioni dhe Asociacioni.
“Prandaj e ftojmë shumicën parlamentare dhe liderët e tyre Mustafa e Thaçi, që t’i japin vendit zgjidhje dhe gjithçka të rikthehet në normalitet, në të kundërtën ata do të jenë përgjegjës për eskalimin e mundshëm të situatës. Ne si deputet të mandatuar nga populli, jemi betuar se do të mbrojmë interesat e Kosovës dhe të qytetarëve të saj”, thotë ajo.
Ky veprim i opozitës, ka marrë nota proteste edhe nga përfaqësuesit e ambasadave të huaja në Prishtinë.
“Sjellja e tmerrshme e anëtarëve të caktuar të Kuvendit nga radhët e opozitës, e cila çoi te kërkimi i kujdesit mjekësor për anëtarët tjerë të Kuvendit si dhe për vëzhguesit ndërkombëtarë, përfshirë personelin nga Ambasada e ShBA-ve, bën tallje me njërën nga institucionet më të rëndësishme demokratike të Kosovës. Dhuna e sotme, së bashku me atë të tri javëve paraprake, i ka pamundësuar Kuvendit që të plotësojë mandatin e vet në përmirësimin e jetës së qytetarëve të Kosovës. Kjo nuk është demokraci. Kjo është pengim i procesit demokratik”, thuhet në reagimin e Ambasadës Amerikane.
Përfaqësuesit e SHBA-ve në Kosovës, thonë kërkojnë nga opozita që të heq dorë nga përdorimi i dhunës si taktikë politike, por të “angazhohet konstruktivisht në punën e rëndësishme të Kuvendit për të avancuar interesat e popullit të Kosovës”.
Emisari gjerman për Ballkanin, Ernst Reichel duke komentuar ngjarjet e sotme në Kuvend ka thënë se në demokraci politikat mund të ndryshohen vetëm duke i bindur votuesit dhe duke i fituar zgjedhjet e radhës. Ai ka pyetur opozitën se çfarë armësh do të përdorin tash, pas gazit lotsjellës.
Reichel po ashtu ka pyetur opozitën se me çfarë të drejte mendojnë se mund t’ia imponojnë vullnetin e tyre një qeverie të zgjedhur në mënyrë demokratike e cila përfaqëson shumicën e votuesve. “Nëse opozita ka sulmuar me gaz lotsjellës, çfarë forme të dhunës do të përdorin më pas?”, pyet ai.
Të tjera nga Lajme
E-Diaspora
-
Aktorja Fatlume Bunjaku do ta përfaqësojë Shqipërinë në “European Shooting Stars 2026” Programi çdo vit zgjedh rreth 10 aktorë/aktore nga 37 vende të Evropës, të cilët konsiderohen talente... -
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve hap 23 kuti postare për votuesit e diasporës -
Ministrja shqiptare paralajmëron iniciativa për të drejtat e diasporës në Greqi -
Udha e Lorik Canës: Sporti, Kultura dhe Kombi -
Program përkujtimor kushtuar Masakrës së Reçakut
Jeta në Zvicër
-
Të paktën gjysma e akullnajave të botës do të zhduken deri në vitin 2100 Edhe zhdukja e një akullnaje të vogël me një kontribut të ulët të shkrirjes së akullnajave... -
Uber: Trendet e përdoruesve zviceranë në vitin 2025 -
Sondazh: Zviceranët duan të paguajnë më pak për shërbimet dixhitale -
Rinovimet në aeroportin e Bazelit, do të operojë vetëm një linjë -
Pse Zvicra duhet të përqendrohet më shumë te kursimi i energjisë?










