Shkurt.ch

OKB i kërkon Zvicrës forcim të luftës kundër racizmit dhe dhunës familjare

Ndërsa Pascale Baeriswyl, sekretare e shtetit në EDA ka thënë se masat kundër dhunës familjare në Zvicër janë duke u jetësuar dhe niveli i të drejtave të njeriut në Zvicër, marrë në përgjithësi, është i mirë

Zvicra duhet të bëjë më shumë në luftë kundër racizmit dhe kundër dhunës mbi gratë. Këtë e ka kërkuar Këshilli për të Drejtat e Njeriut në kuadrin e OKB-së, në Gjenevë.

Një numër anëtarësh të këtij këshilli kanë shprehur shqetësimin se, sipas tyre, Zvicra nuk merr pjesë në Konventën kundër dhunës familjare mbi gratë.

Nga ana tjetër, Pascale Baeriswyl, sekretare e shtetit në Departamentin Federal për Punë të Jashtme (EDA) ka kundërshtuar, duke thënë se masat kundër dhunës familjare në Zvicër janë duke u jetësuar. Po ashtu edhe niveli i të drejtave të njeriut në Zvicër, marrë në përgjithësi, është i mirë, ka shtuar ajo. Baeriswyl ka përkujtuar se Zvicra i ka zbatuar tashmë shumë rekomandime të bëra nga shtete anëtare të OKB-së.