Alberina nëpërmjet esesë tregon se si gjyshi i saj i rrëfen për kushtet e vështira të fëmijëve në Kosovë, të cilët kanë mbetur jetimë, pasi prindërit e tyre janë vrarë në luftën e fundit në Kosovë.
Po ashtu ajo rrëfen edhe për fëmijët që punojnë punë të rënda nëpër rrugë, vetëm e vetëm që të sigurojnë ushqim dhe veshmbathje.
Motoja e Alberinës në punimin e saj ishte: “Arsimi është e drejtë njerëzore”.
Juria e Shoqatës Ekonomike për Integrim, e cila ishte iniciatore e konkursit, i kishte përzgjedhur për në finale punimet e 16 pjesëmarrësve, nga 407 sa kishin konkurruar në këtë konkurs nga e gjithë Austria.
Vetëm tri prej tyre e kanë fituar çmimin për punimin më të mirë, ose esenë më të mirë në konkursin e lartpërmendur.
Në mbrëmjen finale, para më shumë se 300 mysafirëve, Alberina pati rastin ta mbante fjalimin e saj edhe në shqip, përpos në gjuhën gjermane. Në këtë finale, ndër të tjerë, ishin të pranishëm kryetari i Vjenës,
Michael Häupl, nënkryetarja Sandra Frauenberger, ministri i Jashtëm i Austrisë, Sebastian Kurz, deputeti austriak Alev Korun dhe përfaqësues të Ministrisë së Arsimit të Austrisë, biznesmenë e familjarë.
Kosovarja nga Grieskircheni i Austrisë, sërish bashkë me dy të rinj të tjerë u zgjodh që në emër të të gjithë finalistëve ta mbante fjalimin e saj përfundimtar për çmimin e fituar në garën për esenë më të mirë në Austri, thuhet në një njoftim të MeD-it.