Gruaja

Filmi me protagonisten shqiptare, merr çmimin e publikut

Shqiptarja 21 vjeçe, Nazlija, pas vdekjes së nënës vjen te babai në Zvicër. Ajo bën pjesë në klasën integruese, të cilën regjisorja Thommen e ka përcjellë për dy vite

Filmi dokumentar “Neuland” i regjisores së re Anna Thommen ka marrë çmimin e publikut në Festivalin e 49-të të filmit në Solothurn. Filmi bën fjalë për një klasë në Bazel për integrimin e nxënësve të ardhur nga jashtë dhe, njëra ndër dy protagonistët e filmit është shqiptarja nga Lugina e Preshevës, Nazlija.

Ky është çmimi dytë me radhë që regjisorja Thommen po e merr brenda pak muajve me filmin e saj që ka qenë temë diplome në Shkollën e Lartë të arteve në Cyrih.

“Solothurnerr Filmtage” është festivali më i madh dhe më përfaqësues i filmit në Zvicër

Syzheu i filmit është me pak fjalë ky: z. Zing është një mësues i angazhuar dhe që e ka marrë shumë seriozisht punën për integrimin e të rinjve të klasës së tij integruese. Ai i mëson dhe i përcjell hap pas hapi të rinjtë duke i përgatitur për jetën në rrethin e tyre të ri.

Shqiptarja 21 vjeçe, Nazlije Aliji, pas vdekjes së nënës vjen te babai në Zvicër. Pakistanezi Ehsnaullah dhe Nazlija takohen në Bazel në klasën e integrimit, te mësuesi z. Zingg.

Bashkë me emigrantët tjerë ata do të duhej që brenda dy viteve të mësonin gjuhën dhe kulturën zvicerane. Se në Zvicër ka rregulla strikte, atyre do t`u bëhet e qartë që në ditën e parë.

Megjithatë nxënësit e adhurojnë mësuesin e tyre. Ai duket të jetë i vetmi që angazhohet për ta.

Filmi “Neuland” kundërshton paragjykimin se të gjithë migrantët e rinj janë kriminelë dhe sorollaten rrugëve pa punë me rrobat e tyre sportive. Megjithatë mbetet pyetja torturuese: A kanë këta të rinj një të ardhme në Zvicër? Filmi nuk mund të jape përgjigje. Por është e qartë se shumë nga ëndrrat dështojnë dhe jo çdonjëri do të ketë sukses në jetën e mëvetësishme profesionale, shkruan srf.ch.

Festivali i 49-të i filmit “Solothurner Filmtage” ka mbyllur perdet e tij të enjten. Ai është vizituar nga 65000 shikues. Në këtë festival edhe çmimi i jurisë “Prix de Soleure” i është ndarë një filmi dokumentar. Fjala është për filmin “L`escale” të regjisorit Kaveh Baktiari. Edhe ky film bën fjalë për jetën e migrantëve.