Uncategorized
10 vjet pavarësi të Republikës së Kosovës – Urime nga Berna federale!
Pothuaj të gjithë zviceranët kanë ndonjë marrëdhënie personale me Kosovën, duke më përfshirë edhe mua. Historia e dy vendeve, përmes katastrofës së luftës është lidhur në mënyrë të pashkëputshme, deri sot
Më 17 shkurt 2018, Republika e Kosovës do të bëhet dhjetë vjeçe, për çfarë unë mundem vetëm ta përgëzoj. E kujtoj ende mirë se sa të ashpra ishin debatet para një dekade lidhur me atë nëse Zvicra duhej ta njihte ose jo këtë shtet të ri dhe të brishtë. Ministrja e atëhershme e punëve të jashtme, Micheline Calmy-Rey, i kishte krijuar shumë shpejt faktet për një gjë të tillë dhe me këtë kishte dëshmuar jo vetëm guxim por para së gjithash largpamësi. Sot, madje edhe ata që atëbotë ishin kundër, e pranojnë se Kosova nuk mund të mendohet më jashtë Evropës. Pothuaj të gjithë zviceranët kanë ndonjë marrëdhënie personale me Kosovën, duke më përfshirë edhe mua. Unë kam shkuar në shkollë me të rinj kosovarë, kam luajtur futboll me ta. Historia e dy vendeve, përmes katastrofës së luftës është lidhur në mënyrë të pashkëputshme, deri sot.
Zvicra, në shekullin 19 kishte pasur fatin që të përfitonte nga trazirat në monarkitë e vjetra dhe që në vitin 1848 të etablohej si republika e parë në zemër të Evropës. Ky shans sjell një përgjegjësi historike me vete. Një përgjegjësi historike e cila është veçanërisht e madhe falë lidhjeve të shumëfishta personale dhe miqësore në mes të Zvicrës dhe Kosovës. Sigurisht, Kosova sot është akoma një shtet i ri dhe i brishtë, me probleme të shumënduarshme. Prandaj duhet të punohet në mënyrë që të rinjtë të gjejnë një perspektivë ekonomike. Perspektivë e cila mund t`i shërojë plagët e të kaluarës dhe të bëjë të mundur normalizimin e marrëdhënieve me të gjithë fqinjët. Që korrupsioni, kriminaliteti dhe mosndëshkueshmëria, ende mjaft e përhapur, të kenë një fund. Dhe që Kosova, sa më shpejt që të jetë e mundur, të bëhet një shtet i cili do të mundet dhe do të ketë të drejtë të administrohet vetë, e pa ndihmën ndërkombëtare.
Grupi parlamentar “Zvicër-Kosovë”, i krijuar së fundi, dëshiron të japë kontributin e tij në këtë drejtim. Felix Müri (SVP) dhe unë, si bashkëkryetarë të grupit, jemi të bindur për potencialin politik, ekonomik dhe kulturor të Kosovës. Në këtë kuptim, ne urojmë të gjitha të mirat për këtë ditëlindje të parë “të rrumbullakët” (jubilare) – pas të cilës ardhshin edhe shumë ditëlindje tjera.
- Autori është politikan i njohur i Partisë Socialdemokrate të Zvicrës (SP), deputet nacional dhe bashkëkryetar i Grupit Parlamentar Zvicër-Kosovë
E-Diaspora
-
Filharmonia e Kosovës debuton me sukses në Berlin Nën dirigjimin e Marion Wood, Orkestra e Kosovo Philharmonic Orchestra së bashku me koret ndërkombëtare sollën... -
Mërgata nga Zvicra mbështet studentët e UP-së me bursa mujore -
“The Guestkeepers”, një projekt që trajnon “ambasadorët e mikpritjes” në Kosovë -
Familjarët flasin për kosovarët që humbën jetën në Vjenë -
U mbajt Kuvendi i LAPSH “Naim Frashëri” për Kantonin e Argaut, në Zvicër
Jeta në Zvicër
-
Zvicër: Hiqet tatimi mbi vlerën e qirasë nga viti 2029 Këshilli Federal i Zvicrës ka vendosur që reforma e tatimit mbi banesat të hyjë në fuqi... -
Ekonomia e Fribourgut përballet me sfida globale -
Të rinjtë në Bazel po zgjedhin gjithnjë e më shumë abonimet vjetore të transportit publik -
Në këto vende po zvogëlohet diaspora zvicerane -
Parlamenti Evropian synon ratifikimin e marrëveshjes Zvicër-BE brenda vitit










